Qerim Vrioni: Kineasti dhe fotografi i njohur, Afrim Spahiu

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë kineastit dhe fotografit, Afrim Spahiu.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Nga Qerim Vrioni

Emrin e Afrim Spahiut (Dibër e Madhe, 1951), kineastit dhe fotografit të njohur nga Prishtina, e kam hasur në shtyp në fillim të viteve ‘2000. Ai kishte hapur në vitin 2002, në kryeqytetin e Kosovës një institut për fotografinë dhe filmin me emrin “Gjon Mili” (IFF .”Gjon Mili”), nismë e vyer vetjake, por jo jetëgjatë.

Afrimi kishte studiuar për teatër, film dhe televizion në Universitetin e Zagrebit (Kroaci). Pas përfundimit të studimeve, ai drejtoi fotografinë në disa filma artistikë dhe dokumentarë. Përmendim ndër të tjerë “Gjurmë të bardha” (1980), “Përroi vërshues” (1983), “Proka” (1986), “Kolonel Bunkeri” (1996), “Lule të kuqe, lule të zeza” (2002), ”Trishtimi i Zonjës Shnajder” (2005), si dhe dokumentarët “117” (1977) dhe “Me arbëreshët e Italisë“ (1981) etj. Gjithashtu, ai ka hapur disa ekspozita të suksesshme fotografike në Dibër, Prishtinë, Novi Sad (Serbi), Lubjanë (Slloveni), Sarajevë (Bosnjë), Pejë etj, dhe ka botuar dy albume mbresëlënëse. Po ashtu, Afrim Spahiu ka botuar edhe disa monografi studimore kushtuar artit dhe kulturës në Kosovë si “Kosova” (1982), “Arti bashkëkohor i Kosovës” (2001) dhe “Agim Çavdarbasha” (2007).

Afrim Spahiu është vlerësuar me mbi 10 çmime dhe kupa nderi brenda dhe jashtë Kosovës.

Për takimin dhe njohjen e drejtpërdrejtë me të shkak ishte një festival i filmit të shkurtër që do zhvillohej në Tiranë rreth vitit 2007. Si kineast ishte ftuar si pjesëtar i jurisë nga organizatorët. Lajmin ma njoftoi me email, kështu që mundësuam takimin.

Rreth një vit më vonë, fundvere 2008, drejtori i Galerisë së Arteve të Kosovës, skulptori Luan Mulliqi, na ftoi të dyve si anëtarë jurie në konkursin e fotografisë “Çmimi Gjon Mili” që si çdo vit, zhvillohej në shtator. Vendin e parë e meritoi fotoja ”Fëmijët e Krushës” e fotografes Mimoza Veliu, përzgjedhja kishte goditur në shenjë, sepse fotoja botohet shpesh në shtyp si ikonë e barbarive serbe në Kosovë (1998-99).

Pak vite më vonë, Afrimi erdhi sërish në Tiranë për një festival. Gjetëm rastin edhe për takimin e zakonshëm, ku kënaqësinë e bisedave për fotografinë e shoqëronte edhe gjerbja e kafes. Në një nga çastet e fotografova.

Ishte tetor 2013.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: BUJAR ASQERIU- AKTORI I NJOHUR I FILMIT DHE TEATRIT