Qerim Vrioni: Kontribut sa një institucion- Luan Rama

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë shkrimtarit, Luan Rama.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Nga Qerim Vrioni

Me Luan Ramën (Tiranë, 1952) jam njohur në vitin 2004, kur ai shoqëronte në ekspozitën në GKA piktorin e njohur Omer Kaleshi, kur daton edhe kjo shkrepje, në padijeni të tij.

Ai është diplomuar për gazetari në UT, mandej është specializuar në Paris në Universitetin Paris VII, Denis Diderot, për kinematografi. Punoi disa kohë në kinostudion ”Shqipëria e Re” si skenarist, ndërkohë që edhe botonte në shtyp studime dhe analiza veprash. Në vitin 1991 u emërua Ambasador në Francë deri më 1992 dhe sërish më pas nga viti 1997 deri më 2001 si ambasador dhe në Portugali e Monako.

Më 2002 është dekoruar nga Presidenti i Francës, Shirak, me “Grand Offier de l’Ordre National de Merite” dhe “Naim Frashëri” nga Presidenti i Shqipërisë. Ndërkohë ka drejtuar edhe misione të Organizatës së Frankofonisë dhe të OKB-së. Po ashtu, ka disa vlerësime në lëmin e frankofonisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjinive të ndryshme letrare dhe ka marrë pjesë në festivale poetike në Tiranë, Paris, Luksemburg, Romë etj. dhe në disa simpoziume ndërkombëtare për letërsinë

Jeton dhe krijon në Paris, ku ka dhënë mësim në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris (INALCO) për gjeopolitikën, historinë e Shqipërisë dhe për “Traditën dhe Modernitetin”.

Shumica dërrmuese e opusit të tij lidhet me të shkuarën e vendit tonë, duke kryer kësisoj punën e shpërndarësit të mjegullave të historisë. Ai ka autorësinë e mbi 50 botimeve në Shqipëri dhe Francë. Prej opusit të tij të madh shënojmë romanet: “Santa Quaranta”, ”Një kohë pa kohë“, përmbledhjet poetike: ”Territoret e shpirtit”, “Porto Palermo-fjalët e gurit”, nga librat historikë: ”Gjenerali De Gol, një legjendë e gjallë“, “Durazzo-t, dozhët e purpurt“, ”Pranvera dy hapa largë – Ali Demi”, nga biografitë artistike: “Dino”, ”Omer-shtërgu nga Ballkani” etj., ese: “Shqiptarët e Leon Gerome”, “Shqipëria në veprat e piktorëve francezë tê shek.XIX. Ka përkthyer frengjisht-shqip e anasjelltas mbi 20 libra dhe ka botuar rreth 500 artikuj në Shqipëri dhe Francë.

Kohë më parë duke biseduar me një mikun tim të vjetër për krijimtarinë dhe prurjet e Luan Ramës në kulturën shqiptare, ishim të një mendje se ai me aftësitë dhe pasionin e tij si kontribut mund të quhej një institucion me vete.

ObserverKult


Lexo edhe:

HISTORIA E FOTOGRAFISË SË PANDELI KOÇIT, SHKREPUR NGA QERIM VRIONI