Qerim Vrioni: Kur mendohej Uran Kostreci…

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë ish-të burgosurit politik dhe poetit, Uran Kostreci. 

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Te Bar “Piazza” më ke thuajse çdo ditë, – më tha Uran Kostreci (Korçë, 1938 – Tiranë, 12 korrik 2021) në telefon pasi e pyeta për vendin e takimit për të pirë një kafe bashkë. E gjeta në të majtë të hyrjes, ulur në një karrige duke thithur një cigare. Me gjithë moshën e thyer, rreth 82 vjeç, ai ishte mjaft energjik, i këndshëm në bisedë, me kulturë dhe humor.

Nga Qerim Vrioni

Uran Kostreci njihet si një nga ish-të burgosurit politikë më të paepur ndaj diktaturës më të egër të Europës. Vite pas arestimit të të atit më 1946, i erdhi radha dhe atij. Ka kryer rreth 20 vite burg, duke filluar që nga mosha 23 vjeçare, kohë kur u arrestua së pari për tentativë arratisjeje. Gjatë kohës së burgut, në mjedise vuajtjeje, ai u njoh dhe miqësua me figura historike të inteligjencies shqiptare, nga të cilat përfitoi jo vetëm mësimin e gjuhëve të huaja, por edhe kulturë të përgjithshme.

Më 1991 ai themeloi dhe ishte kryeredaktori i gazetës së parë kombëtare antikomuniste “Liria” e më pas u zgjodh dy herë kryetar i Partisë Demokratike për Elbasanin.
Kostreci ka shkruar edhe poezi me tema lirike, duke lëvruar sidomos sonetin. Pas vitit 1992, ka botuar disa libra. Ndër to shënohen: “Lundërtari dhe Deti” (Sonete, 1993), “Epopeja e karkalecave” (1995), “Agonia e karkalecave” (1996), “Sonete” (2006) dhe në prozë “Pabesia” (novelë, 2009) etj.

Kohët e fundit ai ishte shumë i pranishëm edhe në rrjetet publike elektronike si p.sh, në facebook, ku herë pas here shpërndante sonete të sapo krijuara me karakter politik kundra diktaturës, të cilat lexoheshin me interes dhe komentoheshin nga shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ndër miqtë (dhe armiqtë) e pandarë të tij zinte vend të paluajtshëm cigarja. Vetëm brenda një gjysmë ore, ai doli 4-5 herë për të pirë cigare te karrigia e tij në hyrje të barit. Në një nga këto pushime-duhani, e fotografova. Thithja e cigares kushedi në ç’vend dhe kohë të largëta, por edhe të ardhme ia kishte hedhur mendimet…
Ishte fillim maji 2019.

ObserverKult


Lexo edhe:

KUJTIM M. SHALA: TRAGJEDIA E JERONIM DE RADËS