Qerim Vrioni: Lazër Filipi, artisti që shpërfilli moshën

                          

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë aktorit, Lazër Filipi.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Nga Qerim Vrioni

Aktori i njohur Lazër Filipi (1921-2016) hynte me qetësi në bar “Aleanca” duke përshëndetur plot mirësjellje të njohurit nëpër tryeza të ndryshme, mandej ulej, porosiste kafen dhe hapte çantën e nxirrte prej andej fletë të bardha.

Ai i përkiste shejzës së aktorëve të parë dramatikë të pas L2B të Teatrit Popullor (sot Kombëtar). Lazër Filipi ka realizuar shumë role në teatër dhe kinematografi, të cilat kujtohen veçanërisht edhe për zërin e tij karakteristik. Publiku e kujton mirë për ngjajshmërinë fizike në rolin e diktatorit të parë komunist në histori, Lenini te drama propagandistike ruso-sovjetike, ”Orët e Kremlinit”. Përvoja e tij artistike ishte e madhe dhe e larmishme.

A mund të tejçohej kjo përvojë ose më ndryshe, a kanë nevojë brezat e rinj të aktorëve për këtë përvojë në teatër dhe kinematografi? Kësaj pyetje, e cila e mundonte shpesh ai kishte vendosur t’i përgjigjej me gjera të prekshme, do shkruante sa mbante mend nga puna e tij e, mandej kush të kishte dëshirë le t’i lexonte, madje edhe t’i përdorte në skenë ose në dy ekranet, tv dhe kinema.

Në një bisedë miqësore ai tha, me zërin e tij të veçantë se, mbante mend, që rolin e parë e kishte luajtur në Teatrin Popullor në vitin 1945, mbi gjashtëdhjetë vjet më parë. Prej atëherë e deri tani që po shkruan (në foto), në karrierën e Lazër Filipit numërohen mbi 80 role në teatër dhe filma, ngarkesë e pazakontë për një artist.

E fotografova nga larg dhe në padijeni të tij, ashtu të përqëndruar tërësisht mbi materialet që po shkruante, veshur me një bluzë të freskët e me vija. Pa mëdyshje, Lazër Filipi është një shembull të veçantë për të gjithë, se puna me pasion nuk njeh moshë dhe lodhje.

Ishte shtator 2009, ai kishte mbi supe më tepër se 88 vjet.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: PARASHQEVI SAHATÇI- ZONJA E FOTOGRAFISË