Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë arkitektit, poetit, përkthyesit, Petraq Kolevica.
Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:
Kjo foto e arkitektit, poetit, përkthyesit dhe intelektualit të ndershëm Petraq Kolevica (Korçë, 1934) u realizua në shtëpinë e tij rreth viteve 2001-2002. Në vizitën e asaj dite, ai më tregoi me dashamirësi edhe bibliotekën e tij të pasur në shqip dhe gjuhë të huaja, madje aty edhe e fotografova.
Nga Qerim Vrioni
Si arkitekt atij i përket projektimi i ”Biblioteka e Korçës”, i “Pallat banimi” pas Bankës Qendrore në Tiranë dhe pajisja e Ekspozitës “Shqipëria Sot”. Si përkthyes: “Kam njohur sy o, ata sy”, ”Demoni dhe “Poezi gjermane dhe austriake”. Si poet shënojmë vëllimet: ”Këngë nga koha e keqe” (1992) dhe “Të korrat e vona” (2013), ndërsa në prozë: “Varri i fshehtë”, “Arkitektura dhe Diktatura”, “Lasgushi më ka thënë“ e “Bisedë me Mitrush Kutelin”. Gjithashtu, ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës, më 1991 dhe ka qënë antar i këshillit botues të gazetës RD.
Ato kohë, gjatë bisedave të këndshme me të, kryesisht për letërsinë, ai më dhuronte me kënaqësi edhe ndonjë libër të tij (origjinal ose përkthim) të sapobotuar. Ndërkohë nuk harronte pa i shoqëruar me autografe të kujdesëshme dhe tepër miqësore.
Ngaqë shëndeti i Kolevicës prej vitesh është rënduar, edhe si pasojë e moshës, atij nisi t’i dëmtohej shikimi. Kështu, bukuria e shkrimit të autografeve filloi të prishej deri sa nisi të m’i dhuroj librat (të cilat vazhdojnë të botohen nga familjarët), sërish me kënaqësi por…pa autografe. Natyrisht kjo më ka pezmatuar.
Kur shikoj vendet zbrazëta të autografeve, mendja më shkon te bisedat telefonike nga larg me Kolevicën. Pas përshëndetjes, dhe njohjes së zërit tim, vjen përgjigjja e tij e shpejtë: “Ooo, Qerimi” e shqiptuar me kënaqësi dhe gjallëri. Kjo thirrje e tij, në një farë mënyre, do të zëvendësojë për mua autografët e munguar, madje më tingëllon edhe si vazhdim i një bisede të këndëshme, sikur të ishim pranë njëri-tjetrit dhe me kafetë përpara. E, në këto të fundit, unë kuptoj se intelekti, kultura dhe bota e madhe e artistit, me kalimin e viteve, nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të ndjeshëm te miku im.
Kthehemi në vizitën e largët: e fotografova disa herë, duke biseduar dhe folur për librat e tij, por edhe në çaste përsiatjeje. Në njërin nga këto është shkrepur kjo foto e Kolevicës, ku rezatohet dukshëm çiltërsia e syve të tij.
P.S. Petraq Kolvica është ndarë nga jeta në shkurt të vitit 2023.
ObserverKult
Lexo edhe: