Qerim Vrioni: Mirënjohje për regjisorin Viktor Gjika

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë Viktor Gjikës.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Kjo foto daton pranverën e vitit 2005 në një lokal, bar–kafe, i cili ndodhet diku poshtë Malit të Dajtit. Ato kohë kërkoja një redaktor për librin tim të parë, “Fotografia-një grusht diell”, i cili ta njihte përgjithësisht fotografinë, përpara se ta dërgoja në shtypshkronjë.

Nga Qerim Vrioni

Viktori kishte studiuar në ish-Bashkimin Sovjetik për drejtor fotografie (operator), por me t’u kthyer drejtoi edhe realizimin e disa filmave dokumentarë dhe artistikë në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Ai mbahet nga regjisorët më të talentuar të para viteve ‘90. Ndër filmat dokumentarë përmendim :”Unë jam Ismail Qemali” dhe “Antoni Athanas”, ndërsa nga artistikët: “Nëntori i Dytë“, “Gjeneral Gramafoni” dhe “Njeriu me top”.

Ndonëse me një përshëndetje të lehtë me Viktor Gjikën (Korçë,1937-Tiranë, 2009), nga kafetë që pinim në tryeza të afërta poshtë valanidhit të madh para Galerisë së Arteve, ai pranoi me një fisnikëri të veçantë e pa asnjë shpërblim të bënte redaktimin e librit. Pas pak ditësh, ia dhashë atij materialin e printuar, të cilin ma ktheu brenda afatit të caktuar nga të dy, të redaktuar me kujdes.

Duke pirë kafe atë ditë, biseduam kryesisht për librin, mangësitë dhe vlerat e tij, sidomos meqënëse ishte botimi i parë origjinal në Shqipëri për fotografinë. Ai, me mirësjellje shprehu konsideratë për punën e bërë për librin. Madje, përveç shënimeve në dorëshkrim, ai më dha edhe vlerësimin e tij për librin, të cilin e ruaj me kujdes. Pjesën më mbresëlënëse të opinionit të tij e vendosa edhe në ballinën e fundit të “Fotografia-një grusht diell”, bashkë me mendimet edhe të disa studiuesve të tjerë për këtë botim.

Për këtë, atij i jam përherë mirënjohës. Ndërmjet çasteve të bisedës, rregullova aparatin me film dhe pasi i thashë diçka për humor, që për fat shkrepi, shtypa butonin. Më vonë, kur e pashë imazhin e ndehur në letër, mendova se, në një farë mënyre, kisha plazmuar përgjithmonë në celuloid buzëqeshjen karakteristike të Viktor Gjikës.
Ishte ditë me diell, data 4 prill 2005.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: KUR PIKTURON SKËNDER KAMBERI