Qerim Vrioni: Një antropologe e shquar, Afërdita Onuzi

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë antropologes, Afërdita Onuzi.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Nga Qerim Vrioni

Afërdita Onuzin, antropologen e shquar e kisha njohur disa vite më parë, kur ishte drejtuese e Institutit të Kulturës Popullore. Më vonë, më 2010, u takuam në Shkodër në një veprimtari mbi piktorin dhe fotografin Kolë Idromeno. Prej atëhere ruanim një miqësi që mbështetej tek interesat e përbashkëta kulturore.

Që nga viti 2002 ajo mban titullin Prof.Dr., ndërkohë që për disa vite, 1998-2008, drejtoi IKP. Veprimtarisë së saj shkencore i përkasin disa botime të saj dhe me bashkautorësi si “Shqipëria- Jeta dhe Tradita”, Torino, 1994 (bashkautore); “Himara në shekuj”, 2004 (bashkautore); “Veshje popullore shqiptare në Kosovë, 2018” etj. Autorësinë e prof.dr. Afërditës e mbajnë edhe shumë artikuj e kumtesa në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, po ashtu edhe disa ekspedita në terren, në Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, tek Arbëreshët e Italisë etj. Ajo vazhdon studimet në fushë të antropologjisë me të njëjtin pasion sikundër të ishte me detyra shtetërore.

Rasti e solli të merrem me studimin e një fotoje të vjetër shqiptare, të fillimshekullit të kaluar të fotografit Kolë Maca. Brenda kësaj fotoje gëlonin edhe elemente etnografik dhe Prof. Dr. Afërdita mund të më ndihmonte për kthjellimin e tyre.

Dikur i telefonova dhe caktuam orën dhe vendin e takimit. Gjatë bisedës, duke gjerbur kafe, celulari i saj ra disa herë; ajo, e kujdesshme, mundohej t’i shkurtonte bisedat me bashkëfolësit. Njëra nga këto zgjati më shumë, madje e nervozoi disi. Ajo ngriti zërin dhe e shoqëroi me disa lëvizje të dorës së majtë. Ndërkohë, kisha nisur ta fotografojë. Një çast, ajo hapi pëllëmbën e dorës dhe si me pakënaqësi e qortim, shqiptoi fjalët “sjellje e pahijshme”. Kisha kohë që nuk i kisha dëgjuar bashkë këto dy fjalë për marrëdhënie sa më të drejta midis njerëzve.

Pikërisht, shkrepjen që përkonte me çastet e shqiptimit nga ajo të dyshes “sjellje e pahijshme”, e veçova.

Ishte mars 2018.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: PIKTORI DHE GRAFISTI I SHQUAR, ABAZ HADO