Qerim Vrioni: Piro Naçe, fotograf dhe studiues i fotografisë

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë fotografit dhe studiuesit, Piro Naçe.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Nga Qerim Vrioni

Emrin e fotografit dhe studiuesit Piro Naçe (Korfuz, 1928 – Tiranë, 2006) me origjinë nga Përmeti, e kisha hasur në faqet e shtypit shqiptar para shumë vitesh. Njohja e drejtëpërdrejtë me të u realizua në vitin 2001, pak kohë pasi kisha botuar shkrimin tim të parë kushtuar fotografisë, për shkrepjen e njohur të Kelë Marubit “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës” (1922). Pasi folëm për shkrimin tim dhe fotografinë në përgjithësi, shkëmbyem numrat e telefonit për t’u takuar rishtas.

Ai kishte studiuar 2-3 vite për gazetari në Pragë (ish-Çekosllovaki), mandej ishte kthyer në atdhe ku nisi punën si gazetar në Radio Tirana. Më vonë kaloi në organe qendrore të shtypit si “Zëri i Rinisë“, Ylli” dhe “Drita”. U shqua në këtë ndërkohë (vitet ’70-’80) për fotoreportazhe të goditura, ndonëse propagandistike, që ishte kërkesa kryesore e kohës për shtypin. Me nismën e tij dhe fizikantit të njohur e shkrimtarit Kostandin Leka, u krijua në vitin 1990 në Tiranë “Shoqata e Fotografëve Shqiptarë, Gjon Mili”, e para e llojit në vend, edhe pse nuk pati veprimtari të dukshme.

Si fotograf, Piro Naçe, përveç shumë fotove për shtypin e para viteve ’90, ka hapur në Vjenë më 1999, bashkë me dy autorë të tjerë, një ekspozitë me peizazhe shqiptare. Pak më vonë, më 2002, ai çeli në Qendrën “Lindart” në Tiranë, një ekspozitë vetjake edhe me pamje nga SHBA. Ekspozitën tjetër “Shqipëri- Kujtime”, Naçe e hapi në Pragë në vitin 2003.

Historia e fotografisë shqiptare ishte një nga fushat me kontribut të Piro Naçes, në shtyp dhe në televizion. Me vlerë mbetet artikulli i tij me titull “Krijues dhe pasurues të traditës fotografike”, i botuar në vitin 1988 në revistën “Skena dhe Ekrani”. Ky shkrim për herë të parë jep informacion të gjerë për të shkuarën e fotografisë shqiptare.

Ekspozitën e vitit 2002, e vizitova qysh prej përurimit. Ajo niste me një foto të nënës së fotografit, e cila, gjithashtu, e ka pas përdorur aparatin fotografik. Bash, pasi më foli disi i mallëngjyer nga kujtimet për të, e fotografova. Ndoshta pesha e nostalgjisë për nënën pasqyrohet edhe në shikimin e tij.

ObserverKult

=========

Lexo edhe:

 QERIM VRIONI: SADIK BEJKO, POETI I PASHTERSHËM