Qerim Vrioni: Poeti dhe kineasti, Petrit Ruka

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë poetit dhe kineastit, Petrit Ruka.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Emrin e Petrit Rukës (Tepelenë, 1954 – Tiranë, 2021) e kam hasur shumë vite më parë në faqet e gazetës “Drita” me poezi të frymëzuara lirike.

Nga Qerim Vrioni

Petriti ka mbaruar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në UT. Më vonë, gjatë 1985-86, studioi për dramaturgji filmike në ILA. Më pas ka kryer disa detyra si skenarist dhe regjisor në ish-kinostudion “Shqipëria e Re”.

Petrit Ruka është autor i disa skenarëve për filma artistikë dhe dokumentarë, si “Një djalë dhe një vajzë“ (1989), ”Vazhdojmë me Bethovenin” (1995), “Nënë Tereza”(1999), “Kur vriteshin poetët” (2007), “Unë jam Ismail Qemali” dhe dokumentarin për Kadri Rroshin.

Vokacioni i tij shpirtëror ishte poezia. Kështu, prej vitit 1978 kur botoi vëllimin e parë me poezi “Rinia ime”, ai ka hedhur në qarkullim rreth 10 përmbledhje poetike, duke mbërritur te ”Shami të zeza qiellore” (2019).

Shënojmë ndër to edhe poemën baladeske “Nëntë vjet e nëntë ditë“ (2015).

E shquar është edhe ndihmesa e tij në fushë të eseistikës, ku shënojmë “Kalorësi mbi det” (2009), një monografi poetike e ndier, kushtuar artistit të njohur të teatrit dhe filmit, Kadri Rroshi.

Në vitin 2015, Petrit Ruka është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: ”Për krijimtari letrare dhe kinematografike, si poet, skenarist, shkrimtar dhe publicist i shquar”.

Gjithashtu, ai është vlerësuar me disa çmime dhe kupa si “Dokumentari më i mirë i Jubileut 2012 me “Kryekënga e Kombit”, Kupa e Festivalit të filmit në Lluhaçevicë (Çekosllovaki) për filmin “Plumbi prej plasteline” (1997) etj.

Bisedat me Petritin ishin të rrjedhshme, natyrisht ato përqendroheshin kryesisht për letërsinë dhe artet. Ndonjë thirrje në celularin e tij e fut tërësisht brenda temës së celularit tjetër.

Gjatë një bisede të tillë e fotografova disa herë. Nga shkrepjet zgjodha këtë. Dy rrudhat vertikale në ballin e Petriti e që ndajnë vetullat flasin pa fjalë, ndoshta ato shpërfaqin ndonjë pakënaqësi a mosmiratim…

Ishte korrik i vitit 2019.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: MIRËNJOHJE PËR REGJISORIN VIKTOR GJIKA

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë Viktor Gjikës.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Kjo foto daton pranverën e vitit 2005 në një lokal, bar–kafe, i cili ndodhet diku poshtë Malit të Dajtit. Ato kohë kërkoja një redaktor për librin tim të parë, “Fotografia-një grusht diell”, i cili ta njihte përgjithësisht fotografinë, përpara se ta dërgoja në shtypshkronjë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult