Qerim Vrioni: Sadik Bejko, poeti i pashtershëm

                           

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë poetit, Sadik Bejko.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Nga Qerim Vrioni

Si zakonisht, edhe atë mëngjes vere, kafenë e parë do ta pija poshtë hijes së Valanidhit të madh para Galerisë së Arteve. Pas pak erdhi piktori Nestor Jonuzi e mandej, poeti Sadik Bejko (Tepelenë, 1944) bashkë me një aktor nga Gjirokastra.

Sadiku kaloi me durim e guxim goditjet e regjimit për dhjetë vjet nëntokë si minator, sepse ishte redaktor i teksteve të këngëve të Festivalit të 11-të të RTSH-së

Sadiku, i cili mban titullin Prof.Dr, është njohur fillimisht si poet, po gjithashtu autor i disa vëllimeve me publicistikë. Ai vazhdon të japë mësim në disa fakultete, e njëkohësisht vijon të shkruajë e të botojë poezi. E fundit (kur po shkruheshun këto rreshta) është përmbledhja me titull “Këngë të Solomonit” (Toena, 2017), e pritur mjaft mirë nga lexuesit.

Kafeve tona (kinse për të mos i lënë vetëm) u shtuam atë ditë edhe nga një gotë raki, pastaj dikush hodhi mendimin të shkonim tek lokali i “Mbretëreshës” (tani i mbyllur). Pa e zgjatur shkuam te lokali i parapëlqyer në atë kohë. Në verandën e atjeshme morëm edhe nga dy gota konjak, e pastaj…filloi kënga,

Përgjithësisht poetët këndojnë me shpirt dhe mendje, mandej vargjet i hedhin në letër për t’i lexuar edhe të tjerët nëpër libra ose gazeta e revista letrare. Sadiku, poet i njohur me disa vëllime të botuara, siç u cek më sipër, nisi gjithashtu të këndonte, si të thuash, u fut brenda këngës… Zëri i tij i plotë dhe i ngrohtë, ndoshta edhe pak me ndihmën e alkolit i shkonte shumë mirë këngëve të zgjedhura rastësisht. Vërtet ishte gjë e bukur, por edhe mjaft e natyrshme, kur poetët këndojnë edhe me zë, përveçse me penë.

Duke kënduar, vetëtimthi m’u kujtua kënga e francezit Gilbert Beceaude, “Kur vdiq poeti” (“Quando il est mort le poete”, fr.) të gjysmë shekulli më parë, por jo, në rastin tonë fatlum mund të thoshim me ngazëllim sa kënaqësi kur këndon poeti.

Në ato çaste shkrepa edhe këtë foto, të cilën dikush e pagëzoi po ashtu, “Kur këndon poeti”. E…kush nuk do të donte të ishte aty pranë ato çaste.

Ishte data 20 qershor 2004.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: LAZËR FILIPI, ARTISTI QË SHPËRFILLI MOSHËN