
Më 4 dhjetor 1912, pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë, u formua Qeveria e Përkohshme e Vlorës, institucioni i parë i shtetit shqiptar.
Qeveria kishte dhjetë anëtarë, me kryeministër Ismail Qemalin dhe Dom Nikoll Kaçorrin si zëvendëskryeministër. Ata mbështeteshin nga figura të njohura politike e kulturore në vend.
Me gjithë vështirësitë e Luftës së Parë Ballkanike, qeveria u njoh nga shumë krahina si përfaqësuese e Shqipërisë, edhe pse autoriteti i saj mbeti kryesisht i kufizuar në zonën Vlorë–Berat–Lushnjë.
Ndër masat e para ishte shpallja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, hapja e shkollave shqipe dhe përpjekja për ngritjen e një sistemi gjyqësor sipas modeleve europiane. Akti më i rëndësishëm juridik ishte “Kanuni i Përkohshëm i Administratës Civile të Shqipërisë” (1913), që përcaktonte strukturën e administratës vendore.
Në planin diplomatik, qeveria kërkoi njohje ndërkombëtare, por Fuqitë e Mëdha nuk e pranuan për arsye politike e gjeopolitike. Në janar 1914, pas komplotit të Beqir Grebenesë, Ismail Qemali dha dorëheqjen dhe pushteti kaloi te Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit.
Edhe pse jetëshkurtër, Qeveria e Vlorës udhëhoqi përpjekjet e popullit shqiptar drejt sovranitetit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar.
ObserverKult
Lexo edhe:
PËRKUJTOHET HISTORIANI, KRISTO FRASHËRI, NË 105-VJETORIN E LINDJES






