“Qielli i trazuar” që në minutat e para zbërthen esencën – pyetjet mbi ekzistencën. E bën këtë me monologun që dëgjohet në sfond. Fillimisht shtron pyetjen nëse kuptimi i vetëm i jetës, është vdekja. Këtë të fundit e kërkon edhe personazhi kryesor, Roberti, psikolog i njohur dhe fitues çmimesh në fushën e vet. Është i bindur se njeriu është pjesë e natyrës – apo çfarëdo tjetër, e cila ka fuqinë dhe që nuk mund ta lejojë që një qenie e saj të mbizotërojë dhe ta mund, duke mundur vdekjen.
“Kam disa shqetësime shpirtërore”, thotë Roberti, (Jehon Gorani), aktori i njohur kosovar me karrierë të bujshme në skenën botërore. Më ketë fjali, ai mundohet që t’ia sqarojë gruas së tij, Venerës (Arta Muçaj) situatën me të cilën përballet. Kaosin brenda vetes. E ka ndarë mendjen të vetëvritet, por për këtë lyp “miratimin” e familjes.
Kështu nis drama 96-minutëshe me skenar dhe regji të Anton Nrecajt, që u dha premierë, me shfaqje online në kuadër të edicionit të 13-të të “PriFest”, të dielën kur edhe u përmbyll festivali, i cili sivjet erdhi në format digjital me filma jashtë gare.
Psikiatri tregon këndvështrimin e tij për botën përmes bisedave me të tjerët. Ani pse është autor edhe i librave në fushën e psikologjisë dhe profesor, regjisori e sjell atë kryesisht nëpër ambiente familjare dhe në zyrën e tij. Aktori Jehon Gorani vesh petkun e një personi të vetëpërmbajtur, por që vlon brenda vetes, i kapërthyer me dilema ekzistencialiste. Të pakta janë skenat ku ai shpërfaq zemërim ndaj atyre të cilët s’e kuptojnë. Mendon se të tjerët, me kohë do të binden se ai ka të drejtë. E, derisa ajo të ndodhë ai largohet nga shtëpia dhe çdo gjë tjetër, transmeton ‘koha,net’.
Roli i Robertit e ka rikthyer Jehon Goranin në shesh xhirimi në Kosovë pas mungesës prej tri dekadash. Herën e fundit ishte paraqitur te filmi “Qëndresa” nën regji të Adem Mikullovcit, që vdiq në shtator të këtij viti. Gorani ka thënë se e kishte menduar gjatë nëse duhej pranuar rolin. Skenari ishte bërë sebep i përgjigjes pozitive.