Në shenjë nderimi për bilbilin e muzikës dhe kulturës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, sonte në Malishevë, pranë muzeut të qytetit, qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj.
Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi për media, tha se ceremonia e ndezjes së qirinjve është shoqëruar me këngët e Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha, të kënduara ndër vite.
Në këtë aktivitet morën pjesë familjarë të Nexhmije Pagarushës, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të subjekteve politike që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Komunës, si dhe qytetarë të tjerë, të të gjitha moshave.
Kujtojmë se Nexhmije Pagarusha, bilbili i Kosovës, ka vdekur dje në moshën 86 vjeçare.
Nexhmija u lind më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës.