Qosja nderohet nga Universiteti i Durrësit me titullin “Doktor Honoris Causa”

Akademiku dhe profesori i shquar, Rexhep Qosja u nderua sot gjatë një ceremonie të zhvilluar në Durrës me titullin “Doktor Honoris Causa”, akorduar nga Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Prof. Dr. Rexhep Qosja u nderua me titullin e lartë me motivacionin: “Për kontribut të shquar e shumëdimensional në zhvillimin e kulturës, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë dhe në mbarë botën shqiptare; si studiues i shquar i shkencave albanologjike; si themelues dhe drejtues i institucioneve, programeve të studimit e organeve shkencore; si studiues i letërsisë, në veçanti i letërsisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare; si historian i letërsisë e kritik letrar; si shkrimtar, publicist e polemist; si një zë origjinal në trajtimin e problemeve të mëdha të kohës, bazuar vetëm në kriterin e së vërtetës; si veprimtar shoqëror e politik, si një ndër intelektualët më të shquar të kombit shqiptar; si shembulli më i mirë i akademikut, studiuesit, krijuesit e intelektualit; si Nder i Kombit”, bëhet e ditur përmes një njoftimi të Universitetit “Aleksandër Moisiu”.