QRTK në Prizren dhe DokuFest me memorandum bashkëpunimi

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren do t’iu ofrojë hyrjen falas mysafirëve të DokuFest gjatë ditëve të festivalit, nga data 6-14 gusht në muzetë si Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Muzeu Arkeologjik i Regjionit të Prizrenit si dhe Ekspozita në Kalanë e Prizrenit.

Kjo është bërë e ditur me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet drejtorit të QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, dhe drejtoreshës ekzekutive të DokuFest, Linda Llulla

Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha tha se nënshkrimi i këtij memorandumi është edhe një përpjekje shtesë e institucioneve tona që të krijojnë përqendrim më të madh të turistëve nëpër muzetë e Prizrenit gjatë sezonit veror.

Ndërsa Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e festivalit DokuFest, falënderoi drejtorin e QRTK në Prizren, për gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për të bashkëpunuar në realizimin e këtij festivali me rëndësi të madhe në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, transmeton ‘rtklive’.

DokuFest është një projekt tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, Kosovën si dhe rajonin në përgjithësi, andaj ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit te personat jo-rezident të Prizrenit gjatë kohës sa zhvillohet kjo ngjarje kulturore.

Ngjarja kulturore DokuFest, i cili zhvillohet në sezonin e verës, krijon një përqendrim më të madh të turistëve gjatë kësaj periudhe në Prizren, andaj konsiderohet e nevojshme që këtyre turistëve t’iu ofrohet mundësi që të njihen me muzetë e Prizrenit.

LEXO EDHE: DokuFest-i sivjet mbahet edhe me prezencë fizike edhe në platformën online