Rafet Rudi: A kemi talent, që do të zënin vendin e Nexhmijes apo Vaçes?


Nga Rafet Rudi

Në një prej emisioneve televizive ku bisedohej mbi profilin artistik të Nexhmije Pagarushës, gazetarja më bën një pyetje logjike dhe të thjeshtë: “a do të kishte bërë emër dhe autoritet të njejtë Nexhmija, po të vepronte në kohën e sotme”.

Përgjigja ime ishte e kushtëzuar: “në këto kushte – jo”. Fakti se ajo ka vepruar në një kohë tjetër, pa mëdyshje, ka qenë fat për Nexhmijen, njëkohësisht ka qenë fat i madh për muzikën tonë!
Ajo ka vepruar në një kohë kur jeta muzikore në fushën e këngës popullore ishte, ndoshta, më e varfër por, pa asnjë dyshim, ishte një jetë më e konsoliduar.

Kishte redaktorë të muzikës, të cilët në përshkrimin e vendit të punës, kishin detyrë zbulimin, seleksionimin dhe afirmimin e talentëve.

Çdo këngëtar i është nënshtruar një filtri profesional, një verifikimi oficiel. Nëse është vlerësuar se ka talent, ai ka gëzuar të drejtën të bën regjistrime dhe rrjedhimisht edhe të favorizohet- pra, gjithmonë, në pajtim me performancën që ka treguar.

Vlerësimit i është nënshtruar vokali, muzikaliteti, shija muzikore dhe në veçanti kultura e zërit, kulturë e cila është dashur të përkoj me këndimin shqip!

Në këtë mënyrë është ndërtuar një hierarki e natyrshme, e bazuar në vlera të vërteta, dhe kjo ka qenë determinuese për shkallën e angazhimit të mëtutjeshëm tij.

Pra, rrethanat kanë qenë më të favorshme për talentët e mirëfillt dhe perspektiv, sepse ata janë privilegjuar në bazë të meritave.

𝗠𝘂𝗻𝗴𝗲𝘀𝗮 𝗲 𝗵𝗶𝗲𝗿𝗮𝗿𝗸𝗶𝘀𝗲̈ 𝘀𝗲̈ 𝘃𝗹𝗲𝗿𝗮𝘃𝗲

Natyrisht, në një konstelacion të ri të organizimit që kemi aktualisht, gjërat kanë ndryshuar plotësisht. Sot, këngëtarët nuk i nënshtrohen verifikimit sa duhet. Princip i vetëm i seleksionimit që aplikohet, është logjika e “kërkesës së tregut”, dhe atë, në variantin më skandaloz, meqë është i kondicionuar me shkallën e profitit apo interesit imediat.
Si pasojë e kësaj kemi fenomenin që talentët potencialisht të jashtëzakonshëm, nëse nuk u hyn në punë menaxherëve të programeve, ata “shkrihen” në një mesatare të përgjithshme, mesatare të trishtë dhe shkatërruese. Nën ndikimin e faktorëve jashtëmuzikor, sot të gjithë “janë të barabartë”. Kjo gjendje dominon në “tregun” e punës, në të gjitha segmentet e fushës së këngës.

Sot, fare nuk kuptohet një rregull i thjeshtë se në art nuk ka “barazi” (të dhunshme), dhe as që duhet të ketë. Në art ka gradacione të vlerave që ndërtojnë hierarkinë e vlerave. Me seleksionim profesional dhe gjithmonë korrekt, duhet të favorizohet i talentuari dhe, të lihen anash, detyrimisht, ata që nuk e meritojnë. Kjo është fare e thjeshtë!


Dhe ironia është se kjo “barazi” e dhunshme, në emër të dhënies së shansës për të gjithë, shitet si gjest pozitiv i demokracisë.


Sot, përderisa stacionet radio-televizive veprojnë nën presioni e madh “të shikueshmërisë”, as që mund të flitet për redaktor të specializuar të programit muzikor.Së këndejmi si mund të flitet për një zbulim apo diferencim pozitiv të ndonjë talenti të jashtëzakoshëm.

A mund të ketë sot një Nexhmije Pagarusha apo Vaçe Zela? Në rrethana normale do të ishte e pritshme! Sipas një rregulle të pashkruar, çdo gjeneratë (të thuash se pashmangshëm), ka në gjirin e vet talentë të jashtëzakonshëm, të cilët, thjeshtë duhet të zbulohen dhe të identifikohen nga profesionistët, e pastaj të stimulohen dhe favorizohen.

Natyrisht, sot nuk mund t’ia ndalësh askujt të bën regjistrime. Kjo është e kuptueshme. Por kjo nuk do të thot që kanaleve radio-difuzive dikush iu ndalon të bëjnë seleksionim të cilësisë.

𝗞𝘂𝗹𝘁𝘂𝗿𝗮 𝗲 𝘇𝗲̈𝗿𝗶𝘁 𝗾𝗲̈ 𝗽𝗲̈𝗿𝗸𝗼𝗻 𝗺𝗲 𝗸𝗲̈𝗻𝗱𝗶𝗺𝗶𝗻 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽 – 𝗟𝗶𝗻𝗱𝗶𝘁𝗮 𝗱𝗵𝗲 𝗞𝗮𝗹𝘁𝗿𝗶𝗻𝗮

Shkas për këtë shkrim, ishte ndeshja ime e rastësishme me dy interpretime të këngës antologjike të kompozitorit rilindas, Palok Kurtit – “Për mue paska ken’ kismet”, që dëgjova ditët e fundit në Internet. Është fjala për dy inteprete të jashtëzakonshme tonat, që shquhen si soliste edhe të muzikës klasike – Linda Hakaj dhe Kaltrina Miftari.

Linda, këngëtare e diplomuar, me zë të altit dhe me potencial të jashtëzakonshëm të zërit.

Ajo sakrifikon përkatësinë reale ndaj muzikës klasike, shumë premtuese dhe “shkrihet” në këtë shumësi të interpretëve tona të këngës popullore-kryesisht me nivel mediokër.

Normalisht, një interprete çfarë është Lindita, me një potencial të vokalit që ka, do të duhej ta kishte përkrahjen e veçantë institucionale , meqë zëre të tilla, nuk mund të lindin shpesh, pa asnjë mëdyshje.

Ndërkaq Kaltrina, një soprano (me afinitet të theksuar ndaj muzikës barokiene), të cilën ne nuk e njohim si interprete të këngës popullore (!), me interpretim të kësaj kryevepre të Palok Kurtit, i jep këngës një dimension të ri, krejtësisht unik dhe të padëgjuar në muzikën tonë popullore.

Që të dyja këto interprete të mrekullueshme tonat (bashkë me disa këngëtare të mrekullueshme që heshtaz dhe, të thuash, në anonimitet, veprojnë në Korin e Filharmonisë), janë thesar i jetës sonë kulturore, për të cilin nuk interesohet askush.

Pyetjes hipotetike se – a kemi talentë, që një ditë do të zënin vendin e Nexhmijës apo të Vaçes, unë do t’i përgjigjesha (lehtësisht) me pohim, por përgjigjen e saktë nuk do ta dimë asnjëherë, përderisa nuk do ndërtohen mekanizmat adekuat, të cilat do ta ndanin 𝘃𝗹𝗲𝗿𝗲̈𝗻 e mirëfilltë nga 𝗷𝗼𝘃𝗹𝗲𝗿𝗮.

Dhe, deri atëherë, gjërat do të mbesin të pandryshuara.
Periudhë të errët është duke përjetuar kënga jonë popullore.
Brezovicë
10.01.2021

ObserverKult


Lexo edhe:

RAFET RUDI: MUZIKA TRADICIONALISTE DHE MUZIKA AVANGARDO-MODERNISTE

Shekulli njëzet, si asnjë shekull më parë, karakterizohet me një heterogjenitet stilesh, me një kundërvënie të theksuar mendimesh. Po ashtu qëndrimesh në fushën e teorisë dhe estetikës muzikore.

Pozicionet e këtyre drejtimeve stilistike janë jashtëzakonisht kundërthënëse. Pozicione të atilla saqë është të thuash e pamundur të përfshihen të gjitha me një emërtim të vetëm domethënës. Dhe përmbledhës stilistik, sado fleksibël që të jetë ai.

Nga Rafet Rudi

Çdo rrymë stilistike, qoftë edhe ndonjë me parime të qarta dhe të qëndrueshme estetike kontestohet vrazhdë prej ithtarëve të rrymës tjetër stilistike. 

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult