Shekulli njëzet, si asnjë shekull më parë, karakterizohet me një heterogjenitet stilesh, me një kundërvënie të theksuar mendimesh, qëndrimesh në fushën e teorisë dhe estetikës muzikore. Pozicionet e këtyre drejtimeve stilistike janë jashtëzakonisht kundërthënëse dhe pozicione të atilla saqë është të thuash e pamundur të përfshihen të gjitha me një emërtim të vetëm domethënës dhe përmbledhës stilistik, sado fleksibël që të jetë ai.
Nga Rafet Rudi
Çdo rrymë stilistike, qoftë edhe ndonjë me parime të qarta dhe të qëndrueshme estetike kontestohet vrazhdë prej ithtarëve të rrymës tjetër stilistike. “Mosdurimet” që zgjasin tërë shekullin kanë qenë (dhe pjesërisht ende janë) aq të mëdha saqë muzika e caktuar është shpallur “ilegale” dhe “joekzistuese” nga ithtarët dhe mbrojtësit e pozicionit tjetër muzikor. Me një paradoks të tillë janë goditur sidomos kompozitorët e orientimit avangard. Arsyet për sqarimin e një fenomeni, por edhe të një paradoksi të tillë, zakonisht kërkohen ekskluzivisht në rrafshin muzikor-estetik. Pa mëdyshje është kjo një rrugë e mirë që të sqarohen çështjet, por kursesi nuk mund të thuhet se është rrugë e vetme. Përkundrazi, nëse dëshirohet të ndriqohet më mirë dhe në mënyrë më komplete, ajo duhet të vështrohet, pos tjerash, edhe në planin sociologjik, historik, psikologjik etj.
Muzika tradicionaliste dhe muzika avangardo-moderniste
Ndonëse këto telashe të mëdha me të cilat është e përfshirë muzika bashkëkohore, tërë ky konglomerat drejtimesh dhe rrymash që lajmërohen në të e vështirësojnë emërtimin e saktë të saj, megjithatë në këtë mori tendencash, drejtimesh mund të evidentohen dy rrugë kryesore në të cilat lëvizë muzika e shekullit tonë, të cilën ne në mënyrë të përgjithësuar e quajmë muzikë moderne. Këto janë a) rruga tradicionaliste dhe b) rruga avangardo-moderniste në art.
-Si tradicionaliste mund t’i vecojmë drejtimet që i ruajnë parimet themelore të epokave të mëparshme stilistike, si vlera të përhershme dhe të pandryshuara. Këtë rrugë e karakterizon mbështetja në muzikën tematike, mbështetja pra në temë, si bosht i shprehjes së mendimit muzikor dhe ndërtimit dramaturgjik-formal të veprës muzikore.
Në kuadër të kornizave të verifikuara dhe të sigurta, kompozitorët e këtij krahu tentojnë të sjellin frymën e re të kohës. Këto drejtime që në të vërtet paraqesin një lloj restaurimi të së kaluarës, marrin parashtesën “neo” – neoklasicizmi, neoromantizmi, neobaroku etj. Shpeshherë këto drejtime kanë konotacione të shkollave nacionale (të ngjashme me shkollat nacionale të shekullit XIX).
-Në drejtimin avangardo-modernist përfshihen ato tendenca të cilat shkëputen në mënyrë radikale nga parimet themelore të epokave të mëparshme. Këto rryma kryesisht kultivojnë atematizmin, që do të thotë se ato e mohojnë temën, si bosht gjenerues të veprës artistike. Aktin krijues e kuptojnë si formë të hulumtimeve dhe kërkimeve të pandërprera. Kredoja e tyre krijuese është zbulimi i formave (metodave) të reja teknologjike-krijuese, duke qenë të bindur dhe duke konstatuar se mundësitë shprehëse të muzikës tonale (sistemi dur – mol), janë tharë. Duhet thënë se tërë këtë rrugë e përgatisin dhe e kushtëzojnë disa procese të cilat zënë fill në fundin e shekullit të mëparshëm, si përfshirja gjithnjë më e madhe e kromatikës, mjegullimi i funksioneve harmonike-tonale, krijimi i strukturave politonale, krijimi i melodive me modulime të shpeshta, harmonia e kuartave etj.
Shikuar nga aspekti i koncepcioneve dhe metodave që e karkterizojnë artin muzikor dhe në bazë të parimeve kompozicionale-teknologjike, këtë rrugë të muzikës në këtë shekull mund ta ndajmë në: muzikë atonale, muzikë dodekafonike, muzikë seriale, muzikë punktualistike, muzikë teknike (muzikë konkrete, muzikë elektronike, muzika manjetike) muzikë aleatorike, muzika e timbrit(ngjyrave tingullore), muzikë e pastër eksperimentale. Duhet pasur parasysh se në praktikë, në raste të shpeshta, brenda krijimtarisë së një kompozitori, ose brenda një vepre të vetme (zakonisht të atyre më komplekse) do t’i gjejmë të përziera disa metoda./ObserverKult