Rainer Maria Rilke: Duaje vetminë tënde dhe përpiqu të këndosh me dhimbjen që ajo të shkakton…

rainer maria rilke

Nga Rainer Maria Rilke

Duaje vetminë tënde dhe përpiqu të këndosh me dhimbjen që ajo të shkakton. Je larg njerëzve që ke pranë dhe kjo do të thotë që hapësira rreth teje po zgjerohet.

Lumturohu me rritjen tënde gjatë së cilës nuk mund të marrësh askënd me vete dhe sillu mirë me ata që janë pas teje; ji i sigurt dhe i qetë para tyre dhe mos i mundo më dyshimet e tua dhe mos i frikëso me gëzimin apo besimin tënd, sepse nuk do të të kuptonin.

Kërko ndjenja të thjeshta dhe të vërteta që mund t’i kesh të përbashkëta me këta njerëz dhe kjo nuk do të thotë se ti vetë duhet të tjetërsohesh teksa shndërrohesh në vazhdimësi.

Kur i takon këta njerëz, mos e duaj jetën sipas mënyrës tënde dhe tregohu i butë me ata që po plaken dhe që e kanë frikë atë vetmi, tek e cila ti beson aq shumë.

Mos prit të të kuptojnë, por beso tek një dashuri që u vu mënjanë për ty, si një trashëgimi dhe ki besim se tek kjo dashuri ka një forcë dhe një bekim aq të madh sa ti mund të udhëtosh aq larg sa ta do zemra, pa patur nevojë të dalësh prej saj.

(Marrë nga profili i Liridon Mulaj në Facebook)

ObserverKult


liridon mulaj

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA LIRIDON MULAJ: MBAJ MBI VETE TMERRET E KËSAJ BOTE!

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Liridon Mulaj:

Mbaj mbi vete tmerret e kësaj bote

I kam mbajtur mbi vete
përkuljet e lisave nga rrufetë!
Luhatjen e bursave nëpër sallone të çmendurish
që ndryshonin një shifër,
e që varfëronin njerëz në rend gjashtë-shifror.
Një eskavator gjigant me gojën krokodil,
që priste i heshtur të shkulte me themel
fushën e gjelbër, ku fëmijët mbillnin
gjurmët e së ardhmes…
Babëzitë e racës superiore,
që shtyheshin në sportele të tejmbushura
për një biletë në teatrin e urrejtjes
e më pas, të ktheheshin në aktorë.
Mbaj mbyllur brenda vetes
ëndrrat e pluhurosura të harruara në univers,
epitafe të shkruara keq,
rende frymorësh të shtypur e të ikur
tashmë të shndërruar në përkujtimore.
Mbaj mbi vete anën e errët të botës,
pothuajse të shumtën e saj,
por nuk flas dot,
dhe pse trupi im i ngjan një klithme.
Shpirti do shpërthejë mbi fushat me grurë
parajsa do më refuzojë,
ferri do trembet nga unë,
sepse unë, mbaj mbi vete tmerret e kësaj bote!

Kuptoje, ti nuk je Mesia!

Mund të lindesh në
dyshekun e butë të një spitali
plot drita e salla të ngrohta.
Dhe jashtë tij, dhjetëra njerëz
presin të ngazëllyer ardhjen tënde.
Kuptoje, ti nuk je Mesia,
dhe kurrë s’do ta kthesh ujin në verë.
Sakaq do të përpiqesh, me përvuajtje
që gjakun e trupit tënd,
të mos e kthesh në ujë.
Si rishtar edhe mund t’i zhgënjesh pritësit,
atë fraksion të vogël të popullit të madh
që me gjasë, shumë prej tyre do t’i takosh

Poezitë e tjera mund t’i lexoni KËTU:

ObserverKult