Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për Teatrin e ri Kombëtar, duke theksuar në një postim të tijin në Facebook se edhe Teatri i ri kombëtar do të bëhet pjesë e famës botërore.
Postimi i plotë:
“Me këtë provë shembullore të vizionit e ambicies sonë për institucionet kombëtare të artit e të kulturës në Shqipërinë e shekullit XXI, ku shihet fare qartë edhe dallimi i madh mes dy botëve që u përplasën për Teatrin e Ri Kombëtar…
Teatri i Operas e Baletit të Shqipërisë që ka nxjerrë yje me famë botërore, sot ka hyrë në Europë me hapësirën e kushtet e reja dhe skena me sallën e saj nuk është më një vrimë e ftohtë për artistët dhe publikun, po një vatër kënaqësie për krijuesit dhe dashamirët e atij teatri.
Nesër, do të hyjë po kështu në Europë me hijeshi e dinjitet, edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që gjatë tërë jetës së vet nuk ka pasur dot një të ftuar për shkak të kushteve prej hauri kafshësh, ku dhanë shpirt të mëdhenjtë e skenës shqiptare dhe ku publiku s’e pati kurrë dot, dinjitetin e konsumatorit të ushqimit shpirtëror.”/ ObserverKult