Edi Rama: Ja si do të jetë Teatri i Kukullave dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë (Video)

Në Tiranë ka nisur puna për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë pranë Parkut të Liqenit të Tiranës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndau pamje të projektit të Qendrës, teksa e ka cilësuar “pol kulturor multifunksional”.

“Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave, me sipërfaqe rreth 5500 m2, pranë liqenit artificial të Tiranës, do të jetë një pol kulturor shumëfunksional për fëmijë”, tha Rama.

Do të jetë një sipërfaqe e shfrytëzueshme për aktivitete social-kulturore, ku përfshihen sipërfaqe skenike, performuese, klasa aktrimi, kërcimi, muzikë, pikturë, skulpturë.

Po ashtu dhe ambiente ndihmëse për sallën e teatrit, punishte për skenografinë, kostumografinë, krijimin e kukullave. Po ashtu do të ketë gardërobë, ambiente teknike, zyra për administratën, kafe/restaurant.

Qendra do jetë multifunksionale, duke ofruar hapësirat për aktivitete të ndryshme për fëmijët e grup moshave 3-12 vjeç.

Gjithnjë e më tepër lind nevoja për një qendër të re artistike e kulturore për fëmijët. Kjo për të zhvilluar aftësitë e tyre, për t’i qasur me librin, për të nxitur ndjenjën komunitare.

Një qendër që do të ketë hapësira të dedikuara edhe për prindërit, që nga ato që ofrojnë lehtësira praktike. Bëhet fjalë për ambiente për ruajtjen e sendeve personale apo kënde të posaçme për ushqimin e të vegjëlve, si salla takimi apo multifunksionale.

Vendndodhja e kësaj qendre pranë Parkut të Liqenit krijon mundësinë e lidhjes me natyrën, duke organizuar aktivitete brenda e jashtë ndërtesës.

Ndërlidhja e fëmijëve me natyrën është pjesë e rëndësishme për zhvillimin e tyre, por edhe për kulturën e ruajtjes së mjedisit. Hapësirat e dedikuara për aktivitetet në natyrë mund të shfrytëzohen për aktivitete të përshtatura agrokulturore, arkeologjike dhe artistike.

Projekti do të shtrihet në 2 vite, duke filluar zbatimin nga 2023. Ky projekt do të kushtojë rreth 1 miliard lek. Projekti parashikohet të mbulohet i gjithi nga fondet e buxhetit të shtetit.

Projektuesi i Qendrës është BOE iRi Studio shpk, XDGA shpk, Sphaera shpk. Ndërsa zbatues BOE 2T shpk, RGR Group shpk, BE-IS shpk, Kaexhi shpk. Si kompani mbikëqyrëse është zgjedhur HE-SK11 shpk./ATSH

ObserverKult


Lexo edhe:

TEATRI I KUKULLAVE DHE QENDRA KOMBËTARE PËR FËMIJË “SHKRIHEN” NË NJË GODINË

Ministria e Kulturës së Shqipërisë ka shpallur tenderin për hartimin e një projekti, për ndërtimin e një qendre multi-funksionale për fëmijë.

Projekti i “Qendrës Kombëtare për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave”, konsiston në kalimin në një godinë të vetme, të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Po ashtu Teatrit të Kukullave, të cilat aktualisht ndodhen në dy zona të ndryshme.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult