Rama: Kulla ikonike e historisë së Skënderbeut po rilind pas tërmetit

Kulla e Sahatit, monument me vlera të veçanta historike dhe kulturore në Kalanë e Krujës, po rilind pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Elva Margariti panë sot nga afër punimet që po kryhen për rikonstruksionin e saj.

“Kulla e famshme ikonike e historisë së Skënderbeut, po rilind pas dëmtimit nga tërmetit përmes një pune të bukur prej “milingonash””, tha Rama.

Ministrja Margariti theksoi se “hapi i parë që ndërmori qeveria shqiptare ishte hartimi i projektit për fazën e emergjencës, një projekt që u krye pa mundur të aksesohej puna sepse ishte në rrezikshmëri për lëvizjen të gjithë pjesës së gurëve. Ky projekt në bashkëpunim edhe me qeverinë suedeze me fondin e princ Klausit mundësoi avancimin më tej me të gjithë implementimin e kësaj strukture”.

“Strukura është e aksesueshme si jashtë edhe brenda edhe kjo na ka dhënë mundësinë që të hartojmë projektin e restaurimit final të detajuar me më shumë përpikmëri. Kemi filluar të avancojmë edhe me fondin e qeverisë amerikane, Fondi i Ambasadorit, që për herë të parë i jepet Shqipërisë me të gjithë shumën e plotë, prej 800 mijë dollarësh për të gjithë objektet post tërmetit”, nënvizoi Margariti.

Ministrja bëri të ditur se “do të fillojmë me një studim gjeologjik të zonës nën kullë sepse problemi kryesor i të gjithë pjesës së hartimit të projekteve ka qenë i gjithë formacioni gjeologjik dhe mënyra si ka lëvizur. Kjo do të bëjë të mundur më pas të vazhdojmë me implementimin e restaurimit të plotë”.

Sipas ministres, situata ishte edhe më rëndë nga ajo që ishte vënë re në fazën e parë edhe pse detajimi u bë me drona dhe lazer skaner.

Por, vijoi ministrja, në momentin që u vendosëm në kontakt të parë me strukturën kur u ngrit një skelë e parë që tashmë është larguar, pamë që situata ishte shumë e rënduar.

Ministrja Margariti tha se “për dy muaj do të përfundojmë studimin gjeologjik rreth zonës së kullës dhe do të vazhdojmë më pas me implementimin me Fondin e Ambasadorit në kullën e Sahatit. Në këtë fazë kulla është e gjitha e monitoruar me sensor për çdo lëvizje. Kemi ndërthurur shumë elementë digjital për herë të parë dhe kjo ka sjellë përmirësime të dukshme të ndërhyrjeve në trashëgimi”.

E identifikuar si edhe qendra e shtetit të Arbrit, kalaja e qytetit të Krujës, është ndërtuar mbi një kodër shkëmbore me një lartësi prej 557 metra. Flamuri ynë kombëtar u ngrit pikërisht aty për herë të parë në 28 nëntor 1443 nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu./ATSH


Lexo edhe:

TË FUNDMIT E SKËNDERBEUT, DOKUMENTAR PËR ARBËRESHËT