Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i ftuar në “Berlin Global Dialogue”, Gjermani, një forum i ri ndërkombëtar që bashkon liderët nga politika dhe biznesi për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për një ekonomi globale në tranzicion.
Kryeministri ishte pjesë e diskutimit me temë “Roli Gjeopolitik i Ballkanit Perëndimor”, – një bashkëbisedim i fokusuar në rolin që mund të luajë Ballkani Perëndimor në forcimin e së ardhmes gjeopolitike dhe ekonomike të Evropës.
Ai ndodhej në tryezë së bashku me Katherina Reiche, një figurë e spikatur e politikës gjermane, aktualisht shefe ekzekutive e ofruesit më të madh rajonal të infrastrukturës dhe të energjisë.
I pyetur nga Reiche mbi profilin e tij si artist, Rama tha se si artist po vazhdon, ndërsa solli në vëmendje edhe angazhimin e tij në sport.
“Së pari për t’i thënë gjërat si duhet. Përmendët profilin tim si lojtar basketbolli. Unë u bëra lojtar basketbolli sepse isha shumë i gjatë për atë Shqipëri. Dhe në atë Shqipëri kur shihnin djem që ishin shumë të gjatë i thoshin shko në basketboll.
Edhe nuk ishte demokraci që të thoje, jo dua të luaj futboll. Luajta basketboll, mund të them që i shtoja centimetrave të skuadrës, por jo shumë vlerave të skuadrës besoj. Dhe pata shansin që falë basketbollit të dilja jashtë Shqipërisë komuniste, sepse në të kundërtën nuk mund ta dilje. Ose duhet të ishe sportist që luaje në ndeshje ndërkombëtare për të dalë, ose nuk mundeshe”, tha ai.
Rama kujtoi se vizita e tij e parë në Evropë përpara se të ishte liria e lëvizjes, ishte në një ndeshje këtu në Gjermani, kundër ekipit kombëtar, që atë kohë nuk ishte aq mirë sa sot.
“Kështu që mundëm të përballeshim edhe pse u rrahëm”, tha ai.
Ndërkohë kryeministri tha se kur hyri në jetën e politikës mendoi se arti kishte mbaruar, por faktikisht nuk ishte kështu.
“Sepse fakti që duhet të merrja pjesë në mbledhjet Këshillit të Ministrave më duhet të mbaja mendjen në vend. Kështu që kur të tjerët flisnin për çështje të mëdha, unë vizatoja. Pastaj vizatimet morën rrugën e tyre dhe u bënë interesante për galeritë.
E pastaj zbulova që vizatoja gjatë gjithë kohës në zyrën time. Kështu që i bëj të dyja. Për shembull kam njerëz si ju rreth tryezës, që më flasin për tatimet, për sigurinë, për gjeopolitikën, për Gjermaninë dhe unë vizatoj. Është një mënyrë që të jem disi më shumë i përqendruar këtë kam zbuluar dhe një mënyrë, për t’i bërë të dyja.
Dhe për ta mbyllur, dikur një shoku im erdhi të më shihte dhe unë po vizatoj dhe befas më thotë, Edi, nuk ke nevojë që unë të jem këtu në qoftë se nuk më dëgjon.
Po që t’i shpjegoja që dëgjoj më mirë kur vizatoj, nuk ishte ide e mirë dhe i thashë, “ndjesë, ndjesë”.
Dhe pastaj po e dëgjoja dhe më pyeti. A po më dëgjon? I thashë, jo! Kështu që më lër të vizatoj që të të dëgjoj”, tha ai./
ObserverKult
Lexo edhe:
EDI RAMA SHPËRNDAN NJË VIDEO: KJO ËSHTË SHQIPËRIA JONË E BUKUR, S’ËSHTË ZVICRA
Shqipëria me bukuritë e saj natyrore dhe historike po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, si dhe vëmendjen e medieve botërore.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video me pamje nga veriu në jug të vendit. Thuhet se “kjo nuk është Zvicra. As ndonjë vend tjetër. Kjo është Shqipëria jonë e bukur”.
“Shqipëria e bukur turistike”. Ka shkrua Edi Rama.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult