“Si një petk i vjetruar plot arna/ rri e varur vjeshta/ në gozhdën e ndryshkur të stinës…”. Me frymëzime të epërme në një çast vjeshte të vonë, poeti po përvijëzonte diktatin e kohës mbi statuja e trupa të gjallë. Në vargjet e fundit, qyqja niste të këndonte këngën e ushtarit të vjetër që “fitoret gdhendur i ka në dorëzën e fildishtë të shpatës”.
Mëngjesi i së enjtes kishte jo pak trishtim “vjeshte të vonë”, siç ishte titulli i kësaj poezie: poeti, kritiku letrar dhe publicisti i kahershëm, Ramadan Musliu, ka vdekur në moshën 66-vjeçare.
Teksa lajmi i përzishëm është shpërndarë gjithandej mediave sociale, miq, kolegë e të njohur të Musliut kanë vënë në spikamë profilin e tij si krijues e intelektual me sqimë, shkruan ‘Koha’.
“Lamtumirë miku im, Ramadan Musliu. Kultura jonë mbeti pa krijuesin dhe intelektualin e madh. Ndërsa, vepra ime mbeti pa redaktorin dhe mentorin e fjalës së fundit”, ka shkruar studiuesi e publicisti, Jusuf Buxhovi.
Pjesë e krijimtarisë së tij të nduarnduartë në poezi ishin edhe angazhimet e drejtpërdrejta në politikë.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është i tronditur nga vdekja e Musliut.
“Përveç veprimtarisë krijuese e studimore, Ramadan Musliu dha ndihmesë të dallueshme edhe në fushën e informimit dhe të politikës, një herë si deputet i Kuvendit të Kosovës, e pastaj si këshilltar i ministrit të Kulturës”, ka shkruar kryeministri Hoti në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka vlerësuar se vdekja e hershme e Musliut është “humbje e madhe për kulturën dhe artin në përgjithësi në Kosovë”.
“Kontributi i Ramadan Musliut ishte dhe do të mbetet shumëdimensional. Ai ishte njëri prej kritikëve letrarë më të dalluar të letrave shqipe, si poet solli poezinë me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, e si publicist qe i spikatur dhe me dije të thellë kulturore”, ka shkruar ministrja Dumoshi në llogarinë e saj në “Facebook”.
I lindur më 31 maj të vitit 1954, në fshatin Beguncë të Vitisë, Ramadan Musliu kishte hapur dyert e krijimtarisë letrare nëpërmjet poezive e kritikës letrare, që mbetën preokupimi i tij jetësor.