Ishte shpresëplotë se kollitjet që po ia mpaknin frymën do t’i kalonte shpejt e brenda pak ditësh do të ishte pranë miqve të zemrës. Por e enjtja e mëngjesit të 22 tetorit gdhiu e trishtueshme për të gjithë.
I shtruar prej ditësh në një nga dhomat e Klinikës Infektive në Prishtinë, poeti, kritiku letrar e publicisti, Ramadan Musliu, nuk ia doli të fitonte betejën e vështirë me virusin e padukshëm. Të premten është varrosur në fshatin e tij të lindjes, në praninë e familjes dhe rrethit të ngushtë.
66-vjeçari, i lindur në Beguncë të Vitisë, vlerësohej si një nga kritikët më të mirë letrarë në hapësirën shqiptare. Për miq, kolegë e dashamirë të autorit jetëndërruar, e gjallë është shëmbëlltyra e tij si krijues me horizonte të gjera e si njeri i përkorë me modestinë si atributin kryesor.
Model për kohën
“Ramadani ishte poet fin”, e kujton mikesha e tij Naime Beqiraj. Pak ditë më parë e kishin lënë të takoheshin në Prishtinë e të flisnin për librin të cilin ai do ta redaktonte.
Edhe gjatë kohës kur pandemia e sivjetme pllakosi vendin e botën, Musliu nuk ishte ndarë nga letërsia. Me përkthim sillte emra të njohur e të panjohur letrarësh që i ndante me miqtë e zemrës. Kur Louise Glückut iu nda çmimi “Nobel” për letërsi nga Akademia suedeze në Stockholm, Musliu i ishte gëzuar kumtit për poeten amerikane që e njihte mirë. I kishte shqipëruar gjashtë poezi të përzgjedhura të saj, transmeton ‘koha.net’.
“Nga ulërima e erës, nga fishkëllimat e saj nëpër tokën e zhveshur/ më nuk e kam brengë/ çfarë tingulli lëshon/ kur për herë të parë u heshta, kur për herë të parë ndikoi/ më kot ta përshkruaj atë zë…”, ishin disa vargjet e përkthyera nga poezia “Tetori”.
Sikur të ishte një “paralajmërim” për një tetor të pazakontë, edhe më parë Dani, siç njihej ndër miq, kishte zgjedhur letërsinë për të përçuar kumte e për të zbërthyer realitete.
“Isha poete e re asokohe dhe ende e kam të gjallë drojën që kisha se si do të pritej libri im prej Ramadanit”, thotë Beqiraj, e cila është profesoreshë e letërsisë dhe poete.
Puna diligjente në gazetën “Rilindja” e kishte imponuar emrin e tij si një prej kritikëve më të mirë të letërsisë shqipe.
“Ka qenë model për kohën duke qenë i mirinformuar për rrjedhat e kritikës letrare që zhvillohej në Evropë. Ai ia dha një drejtim modern kritikës së sotme shqipe”, vlerëson Beqiraj.