Publikohet historia prekëse e profesorit dhe etnomuzikologut të famshëm, Ramadan Sokoli, pinjoll i një prej familjeve më të vjetra të qytetit të Shkodrës, i cili në vitet ’40-të u diplomua në Konservatorin e Firences për kompozicion. Kthimi i tij në Shqipëri dhe jetë plot peripecira, duke provuar burgjet e regjimit komunist për vite me rradhë së bashku me dy vëllezërit dhe babanë e tyre. Kalvari rrëqethës i intelektualit të shquar i cili u detyrua të shiste pianoforten për të paguar gjobën e vënë nga Instituti i Folklorit…?!
Nga Dashnor Kaloçi
Jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, në afërsi të rrugës së “Barrikadave”, në katin përdhes, apo më saktë në bodrumin e një shtëpie të vjetër tiranase, pronë e familjes së njohur Petrela, deri para pak vitesh jetonte i vetëm profesori i famshëm dhe muzikologu i njohur, Ramadan Sokoli. Që pas humbjes së bashkëshortes, një grua fisnike nga familja Petrela, muzikologu i njohur i ngrysi ditët me brengën e vetmisë së pakthyeshme. Një vizitor i zakonshëm që do të hynte në atë shtëpi, do të qortonte veten se kishte shkelur gabimisht në ndonjë muze të mesjetës, apo në ndonjë një galeri arti e antikuaresh të ndërthurura mes librash të vjetër e të rinj, ku partiturat klasike e moderne gjendeshin kudo nëpër rafte dhe sirtarët e saj. Vite të shkuara, këtu e një dekadë më parë, kur profesori i famshëm nuk ishte i rënduar nga shëndeti e memorja, pas disa takimesh jo të pakta në atë mjedis brilant të shtëpisë së tij ku ta kishte ënda ta shijoje përsëri, me shumë mundime arritëm “ta bindnim” për të shkruar diçka nga jeta e tij. Ose e thënë ndryshe, për të shënuar copza nga kalvari i gjatë në të cilin ai kaloi për afro 45 vjet me rradhë nën regjimin komunist.
Familja Sokoli në kronikat e Evla Celebiut
Po të rëmosh ndër libra të vjetër, tutje në thellësitë e shekujve, me familjen Sokoli do ta ndeshesh në memuaret e kronikanit turk, Evla Celebi, i cili e ka përshkruar atë si një familje pronare e madhe tokash. Asokohe ajo familje njihej me mbiemrin Dervishaj, ku pothuajse të gjithë anëtarët e saj ishin të shkolluar nëpër kolegjet e universitetet më të dëgjuara të kohës. Sipas kronikanit të famshëm turk, në periudhën e sundimit të Bushatllinjve, ajo familje bëri krushqi me ta. Kështu, Veziri i parafundit i Bushatllinjve, Mustafa Pasha, mori për nuse për vëllanë e tij, një vajzë nga dera e Dervishajve. Nga kjo martesë lindën dy djem, që ishin nipat e Dervishajve, dhe pas vdekjes së të atit të tyre, ajo familje u shua fare prej Vezirit të fundit, si rezultat i kontradiktave të thella e armiqësive të brendshme familjare.
Dy djemtë e kësaj familje të cilët quheshin; Mahmut e Dervish, u rritën në pallatin e Sulltanit në Stamboll. Mahmuti kishte dy djem; Hodon dhe Ibrahimin, kurse Dervishi kishte një djalë që quhej Duro. Ibrahimi kishte një djalë; Isufin, ndërsa Hodo, djali i Mahmutit, kishte një motër të martuar tek Veziri i Tivarit, dhe një tjetër tek Iljaz Pashë Dibra (Kryetari Lidhjes së Prizrenit). Hodo vetë, i cili ishte baxhanak me Oso Kukën e famshëm, kishte mbaruar Akademinë Ushtarake të Stambollit. Një farë kohe ai kishte shërbyer në detyrën e qark-komandantit të këtij qyteti, kryeqendra e Perandorisë Osmane. Në kohën e krizës së thellë lindore, Hodua erdhi përsëri në Shqipëri, i caktuar me komisionin e mbikqyrjes së kufijve. Jusufi (babai i Ramadanit), u shkollua në Shkodër e Stamboll, pa arritur të diplomohet, kurse Ibrahimi, pasi mbaroi me rezultate të larta Universitetin e Drejtësisë në Stamboll, punoi si gjykatës, apo më saktë si interpretues i Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Jusufi e tre djemtë, në burgjet e regjimit komunist
Për herë të pare, babai i Ramadanit, Jusufi, do të zbohej nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra, prej turqve në fillimet e para të këtij shekulli. Pas largimit nga Shkodra, ai u vendos në Bosnje dhe në Mal të Zi. Në vitin 1913, Jusufi u martua me një vajzë nga familja e njohur e Jukajve në Shkodër, e cila quhej Aishe. Nga kjo martesë atyre u lindën 9 fëmijë; tre djem e gjashtë vajza. Në periudhën e pushtimit italian, (1939-1942), për bindjet dhe aktivitetion e tij antifashist, Jusuf Sokoli u internua dy herë në gadishullin apenin. Gjatë asaj kohe, Ramadani (i dyti i vëllezërve), i cili në ato vite studionte në Konservatorin e Firences, shkonte herë pas here për ta parë të jatin në vëndin e internimit. Këtë fat kishte pësuar edhe Aishja në Luftën e Parë Botërore, e cila në kohën e gjurulldirave që përfshinë Shkodrën, u burgos dy herë nga austriakët.
Pas mbarimit të luftës, Jusufi u arrestua përsëri nga regjimi komunist dhe u burgos për dy vjet me rradhë në 1946-’48 në qytetin e Shkodrës. Dënimi i Jusuf Sokoliit, erdhi pas akuzave që iu bënë si pjesëmarrës në kryengritjen antikomuniste të Postribës. Po kështu, fare pak kohë pas mbarimit të luftës, u arrestua edhe djali i parë i Jusufit, Ibrahimi, i cili ishte diplomuar për Drejtësi në Beograd në fund të viteve ’30-të. Ibrahimi asokohe njihej ndër ajkën e intelektualëve të rinj të qytetit të Shkodrës dhe në periudhën e pushtimit fashsit kishte aderuar në Lëvizjen e Legalitetit. Ibrahimi pati një fat tejet teragjik, pasi atij i kaloi pothuajse e gjithë jeta në burgje e internime, duke bërë plot 27 vjet burg, së bashku me gruan e tij Shano Hasan Dostin, dhe kjo e burgosur për faje politike. Pas Jusufit e Ibrahimit, po në vitin 1946, u arrestua dhe u dënua me 5 vjet burg politik, edhe vetë Ramadani, duke u akuzuar për agjitacion e propagandë dhe si pjesëmarrës i kryengritjes së Postribës.
Ramadani e vuajti të gjithë dënimin dhe u lirua nga burgu në vitin 1950, pasi kishte punuar në kanalet e kënetat e Beden-it të Kavajës i cilësuar si “armik i popullit”. Si për ta plotësuar deri në fund regjistrin e familjes Sokoli, në vitin 1960, u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg politik dhe vëllai i tretë (më i vogli nga tre vëllezër) Hodua, i cili u ridënua në burg me kryengritjen e Spaçit. Hodua mundi të dalë nga burgu vetëm në vitin 1990 (nga fundi i atij viti), me ndërhyrjen e një personaliteti të lartë të kulturës shqiptare, e që ishte mik i ngushtë i Ramadanit. Prindërit e familjes Sokoli, Jusufi me Aishen vdiqën në një kohë të shkurtër nga njeri tjetri aty nga viti 1957.
Ramadani nga Konservator i Firences në burgun politik
Ramadani i mesmi nga tre vëllezërit Sokoli, lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1920. Shkollën fillore ai e kreu në atë qytet në vitet 1927-‘31. Që në klasën e dytë të asaj shkolle ai mësoi notat e muzikës dhe luante në disa vegla muzikore. Shkollën e mesme ai e mbaroi në Gjimnazin e Shtetit në vitet 1931-‘39 po në atë qytet. Pasi mbaroi mësimet e gjimnazit, ai u dërgua me një të drejtë studimi për të ndjekur Konservatorin e Firences në Itali për flaut e kompozicion. Gjatë kësaj kohe në këtë Konservator, Ramadani kishte një shoqëri të madhe me Qemal Stafën, Kristaq Tutulanin, Qemal Draçinin, për të cilët ruante kujtimet më të mira të asaj kohe të shkuar.
Në këtë Konservator Ramadani ndërpreu mësimet në vitin 1944 dhe pas kësaj ai kthehet në qytetin e tij të lindjes në Shkodër ku u përla nga vorbulla famëkeqe e “luftës së klasave” e cila e përplasi birucave të improvizuara të burgjeve të Shkodrës e kënetave të Bedenit në rrethin e Kavajës. Në këto ambiente Ramadani, do të fillonte për herë të parë njohjen me ajkën e inteligjencës shqiptare që do të ishin dhe “profesorët e një universiteti tjetër” për atë. “Bash në rrethana të tilla kur isha i burgosur politik, kam filluar të merrem me folklorin. Meqë disa nga bashkëvuajtësit që ndodheshin aty ishin bartës të zgjedhur të folklorit, përfitova nga rasti për të vjelur prej tyre lëndë të vyer. Mu aty, duke hulumtuar visarin tonë kombëtar, të trashëguar gojarisht e brez pas brezi, u binda se atdheu ynë është vend i zgjedhur për gjurmuesit e folklorit” kujtonte prof. Ramadani zanafillën e profesionit të tij të ardhshëm. Pas daljes nga burgu, në vitin 1951, ai u vendos në qytetin e Tiranës si për t’i shpëtuar disi “kthetrave” të luftës së klasave.
Peripecitë pas daljes nga burgu
Gjatë periudhës së burgut Ramadani mundi të “vilte” prej shumë “kolegëve” të tij të qelive një kulturë të madhe në fushat e folklorit e muzikologjisë, të cilat i shërbyen si “lëndë e parë” në hartimin e përpilimin e mëvonshëm të dy teksteve shkollore që do të bëheshin “patenta” e tij në rrugën e saponisur të etnomuzikologjisë. Pas vendosjes në Tiranë, i vetëm pa asnjë lloj përkrahje troket nëpër dyert e administratës shtetërore për të kërkuar ndonjë punë që kishte të bënte me muzikën, duke shtrënguar fort nën sqetull dy librat e sapopërfunduar. Nga mungesat e mëdha që kishin asokohe në tekstet shkollore dhe kryesisht të atyre të muzikës së kuadrove që lipseshin në këtë fushë, ai arrin të punësohet në Filarmoninë Shqiptare.
Në këtë institucion ai punon për pak kohë se u muar vesh biografia e tij si “armik i klasës” dhe u pushua shpejt. Pas kësaj mbas disa ndërhyrjesh ai mundi të rifillojë punë në kryeqytet si drejtues muzike në Shtëpinë e Kulturës nga viti 1952 deri në 1954 kur u pushua përsëri. Me mundime të mëdha ngaqë kishte shumë nevojë për kuadrin mësimor të sektorit të muzikës ai u rregullua si mësues në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në këtë Lice Ramadani punoi pa ndërprerje në mes peripecish të shumta deri sa doli në pension në vitin 1980. Gjatë gjithë këtyre viteve Ramadani u mor pa ndërprerje me studime në lëmin e muzikologjisë dhe folklorit, duke arritur të bëhet një nga personalitetet kryesore dhe të vetmit në këtë fushë. Në Liceun Artistik, Ramadani ka dhënë një sërë lëndësh të ndryshme si flaut, folklor muzikor, harmoni, histori muzike, teori solfezhi, muzikë dhome, etj. Me nismën e tij u përfshi në programin mësimor të shkollave të mesme dhe lënda e folklorit muzikor për të cilat ai hartoi tekstet përkatëse të cilat studiohen akoma dhe sot. Në këtë lëndë, ai ka dhënë mësim dhe në Institutin e Lartë të Arteve për 10 vjet rresht duke përgatitur dh elaborator përkatës tepër të pasura me instrumentë të larmishëm.
Muzika e tij luhet nëpër Evropë, në Shqipëri jo?!
Krahas punës mësimdhënëse në Liceun Artistik dhe Institutin e Arteve, prof. Ramadani studioi dhe kompozoi me dhjetra pjesë në muzikën e dhomës të cilat ekzekutoheshin nëpër të gjitha vendet e ashtuquajtura të Demokracive Popullore të Evropës Lindore, kurse në vendin e tij ato nuk lejoheshin, për arsye të biografisë. Shumë nga artikujt studimorë që prof. Ramadani arriti të botojë nëpër entet e specializuara të vendit, u morën dhe u përkthyen nga muzikologët e huaj duke i botuar ato në revista e botime prestigjioze të kulturës e artit botëror. Nga këto botime prof. Ramadani arriti të krijojë personalitetin e profilin e tij në këtë fushë, gjë e cila do ta bënte atë shumë të njohur e të kërkuar nga homologët e tij të vendeve të ndryshme.
Kështu, në adresë të tij kanë ardhur me dhjetra letra nga personalitete të ndryshme të muzikës e folklorit nga shumë vende të botës, duke pasur një korespondencë që shpesh herë i kontrollohej nga organet kompetente (Sigurimi i Shtetit) të cilat dhe i ndalonin përgjigjet e këtyre letrave. Po kështu para viteve ’90-të prof. Ramadani është ftuar nga shumë akademi dhe personalitete të njohura të muzikës e folklorit, si në Tokio, Spanjë, Bukuresht, Pragë, Oslo, Sofie, Prishtinë, etj. Por nuk u lejua kurrë të merrte pjesë në këto aktivitete e takime për shkak të biografisë së tij. Shumë personalitete të artit që vinin në Shqipëri do ta ftonin atë për ta takuar e shumë prej tyre nuk do të mundnin ta takonin pas përgjigjes “ka shkuar me shërbim nuk ndodhet në Tiranë”. Ata të pakët që arrinin të kontaktonin me të, ishin të kontrolluar nga protokolli, në hotel “Dajti”. Gjithashtu prof. Ramadani është një nga themeluesit e festivaleve folklorike të Shqipërisë, ose më saktë këto festivale fillojnë me Ramadanin. Lidhur me këto ai kujtonte: “Pasi kishim bërë një punë kolosale bashkë me kolegët në përgatitjen e këtyre festivaleve, kishte raste që mua nuk më jepnin fare ftesë për ta ndjekur atë në Gjirokastër.
Kur të huajt që vinin aty pyesnin për mua, kolegët e mi ngrinin supet e nuk dinin si t’u përgjigjeshin atyre. Disa nga këto fessetivale nuk i kam parë në Gjirokastër, ndonëse isha një nga organizatorët kryesorë në përgatitjen e tyre. “Të drejtën për t’i ndjekur festivalet folklorike, në Gjirokastër prof. Ramadani e fitoi vetëm në ato të viteve të fundit, pasi ajo gjë ra shumë në sy të të ftuarve të huaj që pyesnin për arsyet pse nuk ndodhej ai atje. Ndonëse për të këto peripeci tashmë ishin bërë të zakonshme e nuk i bënin ndonjë përshtypje të madhe se ishte mësuar, shumë kolegë të huaj i shkruanin atij duke i shprehur keqardhjen “pse ai kishte qenë i sëmurë”, e nuk e kishte ndjekur dot frytet e punës së tij. Lidhur me punën e tij të madhe në fushën e muzikologjisë Ramadani shprehet: “Kësaj në radhë të parë i mungonte mbështetja shtetërore. Hulumtimi i traditave etnokulturore nuk është as nuk mund të jetë asnjëherë monopol I ndonjë zyre apo institucioni shtetëror, por është e drejtë e cdo njeriu që do të bëj sadopak për atdheun e tij. Prej kohësh në Institutin e Folklorit (sot Instituti i Kulturës Popullore) janë krijuar kushte për të bërë një punë të frytshme, por megjithatë, arritjet më të shënuara në rrafshin tonë kulturor u detyrohen kryesisht nismëtarëve vullnetarë që e kanë ndjerë brenda vetvetes përgjegjësinë morale për të hulumtuar. Ndërkohë Instituti i lartpërmendur jo vetëm që nuk i ka përkrahur gjurmuesit që punonin jashtë gjirit të tij, por përkundrazi, i ka penguar, madje disa syresh i ka luftuar egërsisht duke uaë bllokuar botimin e veprave dhe duke u kurdisur gracka të rrezikshme”, kujtonte me dhimbje prof. Ramadani.
Shet pianoforten, paguan gjobën e Institutit
Aty nga mesi i viteve ’80-të, nga ana e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” prof. Ramadanit i kërkohet që të përgatiste një libër të veçantë me artikujt studimorë mbi gjurmimet në fushën e folklorit shqiptar. Pas një pune disa vjecare ai arriti ta përfundojë vëllimin studimor dhe e dorëzoi atë pranë Shtëpisë Botuese ku u caktuan tre recensentë dhe tre redaktorë që do të merreshin me botimin e librit. Pas një pune të mirë nga ana e këtij ekipi të caktuar, ky libër arriti që të futej për botim në shtyp ku dhe dolën kopjet e para të cilat do të kontrolloheshin edhe njëherë nga organet përkatëse për të dhënë viston përfundimtare. Kur vëllimi kishte kaluar gati të gjitha barierat e pritej shpërndarja e tij, erdhi urdhëri “nga lart” që ai duhej të bllokohej.
Nga ana e Institutit të Folklorit, ishte thënë atje ku duhej se “valet nuk kanë asnjë lëvizje të kristalizuar, ato nuk kanë një strukturë të përcaktuar…”. Pas kësaj vërejtje nga ana e Institutit u dha urdhër që të rregulloheshin e riparoheshin vërejtjet e bëra nga ky Institut e pastaj libri të merrte viston përfundimtare të botimit e shpërndarjes. Për të bërë këtë gjë duheshin të prisheshin shumë boca e fashkuj ku dikush duhet të mbante përgjegjësi për skarcitetet dhe t’i paguante ato. Pasi prof. Ramadani bëri rregullimin e “riparoi gabimet” sipas vërejtjeve të bëra e priste gjithë gëzim daljen e librit, i erdhi fatura për të paguar 16,000 lekë nga dëmi që i ishte shkaktuar Shtëpisë Botuese me ribotimin e librit! Lidhur me këtë prof. Ramadani kujtonte: “Kjo gjë më ra si bombë. Asokohe isha i preokupuar me dasmën e vajzës dhe ajo shumë parash më dëmtonte mjaft. Kështu u detyrova që të shisja pianoforten time për të larë gjobën e vënë, pasi nuk kisha rrugë tjetër duke qenë se kisha ndarë dhe ditën e dasmës. Kur kam nxjerrë pianoforten nga shtëpia kam qenë në atë gjendje sikur atëhere kur nxirrja arkivolet e prindërve që andej”.
Libra të botuar dhe dy dokumentarë
Ndonëse prof. Ramadani kishte gati për botim prej vitesh disa libra, për herë të parë botimi i tyre filloi në vitin 1958. Nga ky vit e deri në vitin 1995 kur është botuar libri i tij i fundit “16 Shekuj”, janë botuar plot 13 libra vetëm brenda vendit. Po kështu i janë përkthyer e botuar edhe disa libra të tjerë në disa shtete të Evropës. Shkrimtari Ismail Kadare, në revistën “La Letrus Albanese” ka botuar mbi 200 faqe vetëm për krijimtarinë e prof. Ramadan Sokolit. Disa nga titujt e veprave të prof. Ramadan Sokolit janë përfshirë dhe në enciklopeditë e huaja si dhe në katalogët bibliografikë të UNESKO-s. Këto janë përshëndetur e vlerësuar nga muzikologët gjermanë, Doris Stockman, Ë.Fiedler dhe E.Stockman në “Albaniesen Volkmusik” Berlin 1965. Po kështu muzikologu anglez njeri nga më të njohurit në botë A.L.Lloyd në disa numra të revistës “Int. Folk Music Council” ka recensionuar disa nga veprat e prof. Sokolit.
Një jehonë të madhe kanë pasur veprat e tij sidomos tek arbëreshët e Italisë dhe në Kosovë, ku muzikologu I njohur, Dr. Rexhep Murushi, është marrë shumë me entomuzikologjinë e Sokolit. Krahas këtyre veprave prof. Sokoli në vitin 1957 ka udhëhequr të parën ekspeditë etnomuzikologjike në Shqipërinë jugore në bashkëpunim me një ekip nga Akademia e Shkencave të Berlinit Lindor, dhe në vitin 1969 ka udhëhequr një ekspeditë të dytë në verilindje të Shqipërisë, në bashkëpunim me një ekip nga Akademia rumune e Shkencave. Disa nga këto punë të prof. Sokolit, të muzikës e folklorit popullor, fatkeqësisht janë fshirë nga bobinat e të tjera janë përvetësuar nga disa plagjiate që kanë vegjetuar në këtë Institut. Krahas këtyre punëve prof. Sokoli ka realizuar dhe disa dokumentarë me Kinostudion “Shqipëria e Re” si ato për Jan Kukuzelin, Niket Dardanin, arbëreshin Lorenc Tardo e muziktarit Gjon Kujxhia. Për realizimin e dy dokumentarëve të parë prof. Ramadani ka pasur shumë peripecira deri nga Komiteti Qëndror, duke u akuzuar se kishte sjellë në ato koret fetare të Vatikanit. Pas shumë problemesh tepër serioze që ju paraqiten në lidhje me këto, u desh ndërhyrja e Ramiz Alisë që të lejoheshin transmetimi i tyre.
I mënjanuar dhe i harruar edhe pas viteve ’90-të
Ndonëse me një punë kolosale dhe mes peripeciesh të shumta gjatë periudhës së regjimit komunist, ku nuk iu dha as dhe një distiktivë mësuesi, prof. Ramadan Sokoli fatkeqësisht edhe pas viteve ’90-të shprehej se vazhdonte ta ndjente veten si të tillë?! Pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij muzikore dergjej në sirtaret e tij pa mundur që të shohë dot dritat e skenës, ndonëse aty është një punë tepër cilësore në bazë dhe të vlërsimeve të kolegëve të huaj, fryt i një pune studimore disa vjeçare. Titulli i Profesorit atij iu dha vetëm në vitin 1995, dhe në ato vite ai mundi të dalë për herë të parë jashtë shtetit duke ligjëruar në Inversitetet e Romës, Stambollit, Rudostald të Gjermanisë, Bratislavë, Athinë, Bolonjë, Ravena të Italisë, etj.
Në adresë të tij vinin shpesh ftesa e letra të shumta që e njoftojnë për ligjërata të ndryshme, siç ishte vitet e fundit një nga tubimet e mërgatës shqiptare në Arbona të Zvicrës, ku ai nuk pati mundësinë të shkojë, e dërgoi kumtesën e tij që u lexua atje. Po kështu për shkak të mos mbështetjes nga organet shtetërore, prof. Ramadani nuk shkoi dot as në SHBA ku ishte i ftuar nga Universiteti i Miciganit, për një cikël bisedash rreth traditës etnokulturore shqiptare. Gjatë viteve 1990-1995, prof. Ramadani ishte anëtar i Këshillit Drejtues të RTV Shqiptar dhe po atë vit drejtoi Festivalin Folklorik mbarëkombëtar të Beratit. Ndërkohë nga shqiptarët e Maqedonisë është zgjedhur për pesë vjet me radhë si kryetar i jurisë në festivalet folklorike të Tetovës e Strugës. Vitet e fundit, ndonëse në një moshë të thyer e tepër i lodhur nga peripecitë e një jete plot vuajtje e strese të pafundme, prof. Sokoli vazhdonte të punonte në krijimtarinë e tij.
Kështu para pak vitesh ai shkoi në Itali (me shpenzimet e tij) dhe solli në Shqipëri një nga fotokopjet e njerës prej përmendoreve më të hershmhe të muzikologjisë shqiptare, Antifonarinë e përpiluar në shekullin e XV nga durrsaku Gjergj Danush Lapcaja në Monopoli. Po kështu, pak para se të ndahej nga jeta ai kishte në dorë ripunimet e pesë monografive në muzikologji e folklor. Ndonëse fama e prof. Ramadan Sokolit tashmë njihet prej shumë të huajve të cilët e vlerësojnë lart punën e tij, kjo gjë nuk ndodhte në Shqipëri, ku ai ndjehej dhe ishte krejt i mënjanuar dhe pa asnjë mbështetje nga autoritetet shtetërore të artit e kulturës?! Po kështu prof. Sokoli nuk u zgjodh as si anëtar i Akademisë së Shkencave në zgjidhjet që u bënë nga kjo Akademi pak kohë para se ai të ndahej nga jeta. Lidhur me këtë, prof. Ramadani shprehej: “Kjo gjë më kujton një shkrimtar të madh francez që ishte i shpërfillur zyrtarisht nga shteti i tij. Para se të vdiste ai ju la porosi të afërmve të tij që mbi varr t’i shkruanin një epitaf ku të thuhej: ‘Ai ishte një hiç, madje as Akademik”/Memorie.al
ObserverKult
Lexo edhe:
MARTIN CAMAJ: ERNEST KOLIQI NUK I FRIKËSOHEJ VDEKJES DONTE KOHË PËR TË PUNUAR