Me thirrjen për ndërtimin e sallës koncertale, tenori Ramë Lahaj të enjten mbrëma ka hapur koncertin në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Rreth 1.300 ulëse kanë qenë të pamjaftueshme për numrin e madh të të interesuarve për ngjarjen që tenori i skenave botërore e ka quajtur “Ramë Lahaj dhe miqtë”.
Për rreth dy orë, Lahaj, sopranoja Besa Llugiqi, baritonët Kiril Manolov nga Bullgaria e Adhurim Grazda nga Kosova, kanë sjellë një përzgjedhje të perlave të muzikës klasike nën përcjelljen e orkestrës së dirigjuar nga italiani, David Crescenzi. S’ka munguar as muzika shqipe, raporton Koha.net.
E pas koncertit, Lahaj është shprehur tejet emocional për publikun shqiptar. Ka thënë se fati mund të të dërgojë gjithandej botës, por “dashurinë si në tokën e nënës s’e gjen askund”.
“Mundesh me qenë me fat, me i ra tanë dynjasë rreth e përqark, po dashninë si në tokën nanë s’e gjen askund! Aty ku t’a shijojnë e dëgjojnë çdo frymëmarrje, sikur të ishte e fundit. Aty ku vuajtja e gëzimi na rrëmbejnë njëkohësisht, sepse kemi vuajt shumë që m’u mbledhë kështu… pa frikën nga pushtuesi, e për të k’nue gjithçka që na do zemra në tokën që sakrifikuam aq shumë për të”, është shprehur tenori Lahaj përmes një postimi në Facebook.
Tutje, ai tha se “nga sheshi i të madhit Skënderbe, e me hovin e trokut të tij, sh’iptarët do t’i biejnë botës anë e mbanë, për me tregue që jemi diamanti i Evropës, jo ai qe ju është e shtremnue ndër shekuj”.
Lahaj ua shprehu dashurinë shqiptarëve duke thënë: “Ju dua, qysh e do nana fëmijën, ohh sh’iptarët e mi të dashur”, ndërsa premtoi se çdo vit do të mbajë nga një koncert sikurse ai i mbrëmshmi.
“Një falënderim i madh për komunën e Prishtinës, orkestrës mbarëkombëtare dhe kolegëve të mi nga vendi e ndërkombëtarë”, përfundoi tenori shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj.
Mbrëmë Lahaj e ka përmbyllur koncertin me interpretimin e “Rrjedh në këngë e ligjërime”, dedikuar Kosovës, këngë kjo që dikur është kënduar nga Vaçe Zela.