reklamë

Ramiz Abdyli, profili i një historiani me dimensione gjithëkombëtare

(Në vend të homazhit)

Jo vetëm për shkak të formatit të veprës së tij voluminoze, që është ngushtë e lidhur me radiografinë e gjallimit shqiptar ndër shekuj, por edhe për shkak të arketipeve që dalin nga botëkuptimi i tij mbi të vërtetat e pashmangshme të kohëve që ai i jetoi e përjetoi, e bëjnë figurën  e prof.dr. Ramiz Abdylit një kandil të pashuar mbi dallgët e trazuara të detit. Ishte pikërisht emri dhe vepra e tij një mburojë që refuzonte erërat ta fiknin dritën e atij kandili, kurse opinionit shkencor e akademik i mbetet të nxjerrë mësime e përfundime mbi efektet e ndikimit shkencor që pati prof.dr. Ramiz Abdyli në historiografinë shqiptare.

Nga Emin AZEMI

Me histori merremi nga pak të gjithë ne që kemi çka të rrëfejmë mbi të kaluarën tonë dhe të afërmve tanë, por ky nuk është thelbi i misionit të historianit. Është një tjetër dimension që e bënë historianin të jetë i veçantë në këndvështrimin e tij mbi një ngjarje që ka ndodhur, apo një proces socio-politik që ka shkaktuar ndryshime, si në perceptimin e jashtëm të fenomeneve shoqërore, ashtu edhe në thellimin  e brendshëm të qasjes ndaj gjithë asaj që e bën një epokë të ndryshme nga tjetra. Për rrjedhojë, vetvetiu lind pyetja se çka duhet ta motivojë një historian, për të qenë puna e tij pikë referimi dhe orientimi për një ngjarje a proces të caktuar?

Kësaj pyetjeje janë munduar t’iu përgjigjen jo vetëm historianët, por të gjithë ata që këtë shkencë e bashkëshoqërojnë me disiplinat e përafërta, siç mund të jenë arkeologjia, antropologjia, paleologjia, letërsia, gjuhësia, etnologjia etj.

Pa një pyetje të tillë, do të ishin të zbehta edhe dilemat që qëndrojnë si shpatë demokleu mbi misterin e së vërtetës. Mbase, këtu buron edhe thënia e njohur për historianin si shërbëtor i së vërtetës. Kërkimi i së vërtetës historike, ka preokupuar njerëzit e dijeve, kurse historianët i ka bërë më përgjegjës ndaj fjalës së shkruar, duke e mbështetur vërtetësinë mbi dokumente e burime të ndryshme arkivore.

Fjalët e shkruara mbesin dokumente të pashlyera, që më vonë formojnë faktografinë. Por fjalët e shkruara mund të shprehin një emocion të caktuar edhe mbi syprinën kristalore të borës, në një fshat diku rrëzë Karadakut, sidomos kur ato vijnë natyrshëm si rrjedhojë e edukimit dhe kultivimit të ndjenjave atdhetare nëpër odat e mbushura me histori për betejat e shqiptarëve, atje ku Llojani formon një prej gurëve kujdestar të atdheut të “çliruar “nga aradhat e uzurpatorëve që uniformat e çetnikëve i kishin zëvendësuar me ato të partizanëve. Tani bora është shkri, por kujtesa për fjalën e shkruar ‘Rroftë Shqipnija’ mbi të nga një fëmijë i padjallëzuar, që më vonë do të bëhet historian i shquar, ishte ngjizur me rrëfimet legjendare për trimat dalëzotës të tokave shqiptare, si Sylë Hotla, Xheladin Kurbalia, Ajet Rainca, Sadik Llojani etj., të cilët ishin sakrifikuar deri në flijim për të bë “Shqipninë deri te udha e frenjit”.

Por, treni i historisë nuk u ndal aty ku deshën trimat tanë dhe shqiptarët mbetën pa stacionin  e shumëpritur që do t’i bënte ata të plotë në aspiratën shekullore për të qenë një e të pandarë.       

Në një stacion të tillë do ta shohim edhe historianin tonë të shquar prof.dr. Ramiz Abdylin, i cili nuk do ta priste më Godonë, sepse e kishte të qartë fatalitetin e kësaj simbolike dramaturgjike, por do të priste që të rritej pak dhe t’ia mësyente bankave shkollore e universitare, fillimisht në vendlindjen e tij në Llojan, e Miratoc, pastaj në Shkup për ta përmbyllur këtë cikël formimi akademik në Prishtinë, ku edhe u punësua fillmisht në Institutin e Historisë.

Jo vetëm për shkak të formatit të vepërs së tij voluminoze, që është ngusht e lidhur me radiografinë e gjallimit shqiptar ndër shekuj, por edhe për shkak të arketipeve që dalin nga botëkuptimi i tij mbi të vërtetat e pashmangshme të kohëve që ai i jetoi e përjetoi, e bëjnë figurën  e prof.dr. Ramiz Abdylit një kandil të pashuar mbi dallgët e trazuara të detit. Ishte pikërisht emri dhe vepra e tij një mburojë që refuzonte erërat ta fiknin dritën e atij kandil, kurse opinionit shkencor e akademik i mbetet të nxjerrë mësime e përfundime mbi efektet e ndikimit shkencor që pati prof.dr. Ramiz Abdyli në histioriografinë shqiptare. Kjo edhe për faktin se në praktikën e kodifikimit të ngutshëm të vlerave shkencore ndër ne, shpesh herë ndodhë fenomeni i anashkalimit të emrave të studuesve eminent në projektet e përbashkëta të karakterit hulumtues e botues, siç është edhe prof.dr. Ramiz Abdyli. Nuk kemi arritur ta kuptojmë se çfarë kredibiliteti etik e shkencor kanë projektet e tilla, gjoja të përbashkëta, ku do të mungonte emri i prof. Ramizit, i cili, për hir të së vërtetës nuk është se po vuan nga mania e të qenit i  famshëm me çdo kusht, sepse fama e tij tash më është e stampuar në një listë të gjatë veprash, por  sepse ideatorët e projekteve të tilla të cunguara i ngelin borxh të sotmes dhe sidomos të nesërmes me një lexim ndryshe të historisë.

Kështu, vetvetiu arrijmë te çështja thelbësore që ndërlidhet me angazhimin intelektual e profesional të historianit, si në sferën publike, ashtu edhe në atë shkencore e akademike. Cili pra është statusi i historianit në shoqëri? Kjo pyetje bëhet sa herë që duam të vendosim një relacion substancial, etik e pragmatik në mes të historianit dhe politikës, historianit dhe shtetit, hisorianit dhe partisë politike.

Kjo pyetje, gjithashtu bëhet edhe atëherë kur duam të bëjmë dallimin në mes të historianit serioz dhe kalemgjisë  që shkruan përralla pa fusnota për lavdinë e heronjve lokal të cilët i paraqet si gjithëkombëtarë.

Prof. Ramiz Abdyli, me rrugëtimin e tij të gjatë, si intelektual dhe si shkencëtar,  ishte i angazhuar  dhe mbetet i tillë në dy rrafshe: në rrafshin e zgjerimit të hapësirës emancipuese-arsimore të shqiptarëve këtu në Maqedoni për disa dekada me radhë, duke kontribuar fillimisht në hapjen e paraleleve të para në gjuhën shqipe në Gjimnazin e Kumanovës, në fillim të viteve shtatëdhjeta (70-ta) dhe pastaj përkushtimi i tij në ngritjen dhe riformatimin e standardeve akademike-universitare, e shkencore, si në Universitetin e Tetovës ashtu edhe në ITSHKSH, por dhe në rrafshin e zgjerimit të gamës së vrojtimit shkencor mbi periudha të caktuara historike të shqiptarëve, sidomos ato që fermentuan vetëdijen politike për shtendërtim në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20.

Dokumenti dhe lidhja e tij me faktet dhe dëshmitë, përbëjnë për prof. Ramiz Abdylin, kandarin nga rëndon e vërteta. Dhe, jo rastësiht është thënë se e vërteta ka çmim. Sa do të mundohemi t’i vëjmë një çmim të vërtetës, sërish nuk do të mjaftojë ta valorizojmë fuqinë e argumentit, sepse është distanca kohore dhe algoritmi i faktografisë krahasuese ato që e bëjnë prodhimin shkencor të një historiani t’iu rezistojë erozioneve morale, kombëtare, njerëzore e civiliziese.

Prof. Ramiz Abdyli që nga mosha e rinisë së hershme kishte dëgjuar  për luftimet që u zhvilluan  mbi dy muaj e gjysmë midis  forcave të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kundër brigadave partizane serbe, maqedone dhe ushtrisë bullgare, të cilat, sikundër dihet, synonin pushtimin e trevave shqiptare në perëndim të hekurudhës Kumanovë – Bujanoc, për të depërtuar prej andej në Kosovë.

I formuar nën ritmin dhe jehonën e atyre ngjarjeve dramatike të LDB, që kanë mundur të jenë edhe arsyet vendimtare për t’u marrë pastaj profesionalisht me historinë, prof. Ramiz Abdyli në retrospektivën e kujtimeve fëmijënore do të fiksojë datën 9 shtatator 1944 kur  ushtarët e Lidhjes së Dytë të Pizrenit, pasi kishin çliruar Preshevën, një pjesë e tyre, përmes Llojanit e Mateçit, shkuan ta çlirojnë Shkupin dhe bashkë me atdhetarë nga Kosova dhe Pollogu çliruan  pjesën vëriore të qytetit dhe e mbajtën të tillë mbi dy muaj e gjysmë.

Fëmija i dikurshëm që dëgjonte i strukur në një qoshe të odës, e mbushur me tym duhani kaçak, më vonë do ta kuptojë, madje edhe do ta trajtojë në disa punime shkencore se,  luftimet që u zhvilluan në një front të gjerë ballor, që nga Kumanova deri përtej Bujanocit ishin të rrepta. Shqiptarëve iu shkuan në ndihmë vullnetarë nga ana e Gjilanit me në krye Mulla Idrizin, ndërkohë që forcat pushtuese, ndonëse kishtin epërsi  në armatim dhe njerëz, nuk mundën t’iu rrezistojnë luftëtërëve shqiptarë për dy muaj e gjysëm në mbrotjën e kësaj hapësire etnike që shkonte deri te linja hekuridhore Beograd-Shkup. Një fëmijë e mitur, që atëherë i thoshin vetëm Ramiz, e që më vonë do të njihet si historiani Ramiz Abdyli, ishte i lidhur fuqishëm me dramën e atyre ngjarjeve që prodhonin, jo vetëm katarsë e lavdi, por edhe respekt e pietet për të rënët në mbrojtje të tokave që arbitrarisht u sakatuan nga gërshërët e konferencave ndërkombëtare, në mesin e të cilëve ndodhej edhe gjyshi i tij, një bashkëluftëtar i Xheladin Kurbalisë, komandant i forcave shqiptare të Lidhjes në këtë sektor.

Ky detaj biografik në rininë e hershme të prof. Ramizit ndoshta do të mjaftojë për njerëzit e hijeve që të ngrejnë aparatin e tyre të ndjekjes dhe survejimit, duke arkivuar dhe regjistruar edhe shumë aktivitete e veprimtari të tij që konsideroheshin si të rrezikshme.

Po çka mund të konsiderohej e rrezikshme nga ish sistemi, sidomos çka mund të paraqiste rrezik veprimtaria e një intelektuali dhe historiani, për një shtet i cili po mbijetonte duke u shndërruar në vesh e sy, jo për të ndjekur zhvillimin dhe përparimin, por për të survejuar dhe shantazhuar inelektualët e kalibrit të prof.dr. Ramiz Abdylit.

Ja, cili mund të jetë, bie fjala, “rreziku” i parë, që identifikuan tek prof. Ramizi, njerëzit e hijeve të ish sistemit.  

Në mesin e viteve gjashtëdhjetë, pas mbarimit të Normales në Shkup, Ramiz Abdylin do ta gjejmë në Universitetin e Shkupit, Dega e Historisë së  Përgjithshme dhe Artit. Ai ishte përcaktuar pikërisht për këtë program studimor me qëllim të shmangies nga programi tjetër –Historia e popullit maqedon me 8 semestra. U diplomua me temën për Pavarësine e Shqipërisë në vitin 1968, tek mentori dhe profesori i tij, Hristo Andonov Poljanski, i cili i kishte premtuar studentit të tij të posadiplomuar se  do t’i jepte ta ligjerojë lëndën Historia e Shqipërise për studentët maqedonas. Mirëpo, kjo nuk ndodhi,pas që profesori u  helmua nga sigurimi shtetëror. Prof. Ramizi s’kishte si të mos shqetësohej nga ky akt misterioz që ndërlidhej drejpëdrejt me punën dhe kontributin  e profesori Poljanski i cili pagoi me jetë qëndrimet që kishte ndaj çështjeve të caktuara të historiografisë dhe me këtë kishte dështuar edhe plani i tij që ta kishte asistent të lëndës së Historisë së popullit shqiptar pikërisht prof. Ramiz Abdylin.

Vet fakti se profesiri i vrarë ishte shprehur i gatshëm të mbështesë rrugëtimin e mëtejm akademik e shkencor të prof. Ramiz, kishte mjaftuar të jetë një vegëz në duart e njerëzve të hijes së ish sisemit, të cilëve si duket nuk iu interesonte Ramiz Abdyli si emër i shkencës, që mund të ndikonte edhe në afrimin e popujve,  por Ramiz Abdyli si nxitës i proceseve emancipuese e arsimore në shoqërinë shqiptare dhe si gjoja turbullues i ujërave të qeta në detin e madh të socializmit vetëqeverisës të viteve gjahtëdhjetë e shtatëdhjetë.

Hapja e paraleleve të para në gjuhën shqipe në gjimnazin e Kumanovës, në fillim të viteve shtatëdhjeta, ku kontributi i prof. Ramiz Abdylit, në këtë nismë ishte vendimtar, për dikend mund të paraqiste edhe rrezik, sepse mendësitë mesjetare që u trashëguan në sistemet e movonshme autoritiare, tek dija dhe njerëzit e dijës shihnin njëfarë rreziku. Për ironi, këtu mbase mund ta ketë burimin edhe ajo shprehja e famshme për “shqiptarin e ndershëm” (‘posteni albanac’), që u lansua nga ish sistemi, që nënkuptonte synimin e asaj politike që shqiptarët e arsimuar t’i shihte me një njëfarë skepse dhe dyshimi, ndërkohë që me shqiptarë të  ndershëm nënkuptonte shqiptarin e paarsimuar i cili për të arritiur diçka në jetë duhej patjetër të bashkëpunonte me ndonjë çinovnik të UDB-ës, të komitetit, apo me ndonjë udhëheqës çfarëdo qoftë ai, sepse kjo ishte fiskultura e atëhershme ideo-politike e kërrusjes së kurrizit të dinjitetit njerëzor dhe krijimin e klimës shoqërore e politike që do të prodhonte  sa më shumë shqiptarë lojalë ndaj pushtetit.

Me ardhjen e prof. Ramiz Abdylit në Kumanovë në vitin 1970 (paraprakisht kishte dhënë mësim në shkollën e Lojanit dhe Bukovikut), dhe përfshirjen e tij në procesin edukativo-arsimor si profesor i lëndës së historisë në gjimnaz dhe sidomos angazhimi i tij në hapjen e paraleleve të para në gjuhën shqipe në këtë gjimnaz dhe më vonë edhe në shkollën ekonomik dhe të teknikës. Jemi në kohën kur ky rajon verilindor i banuar me shqiptarë, po kalonte nga letargjia e viteve gjashtëdhjetë, që ishte i mbufatur me pellgje lotësh në stacione trenash e autobusësh teksa kolona e të shpërngulurve për në Turqi kishte prekur skajet më absurde të degdisjes së qenies shqiptare nëpër shkretëtirat e Anadolit, në një fazë të zgjimit kulturor, arsimor e kombëtar të shqiptarëve të kësaj ane.

Gjithsesi ky zgjim nuk erdhi vetvetiu dhe ishte pikërisht prof. Ramiz Abdyli me një grup arsimdashësish të tjerë nga rajoni i Kumanovës, përfshi edhe Arif Arifin, nënkryetin e  atëhershëm të Lidhjes Socialistetë Kumanovës,  që  ndikoi në ndryshimin percpetimit për shqiptarët, duke e bërë të qartë se cili ishte shqiptari i ditur e arsimuar dhe cili ishte antipodi i kësaj kategorie shqiptarësh, që aq shumë pëlqehehej nga ish-sistemi. Për rrjedhojë ‘shqiptari i ndershëm’ filloi të ndjehet keq në këtë atmosferë që e krijoi prof. Ramiz Abdyli, ndërkohë që Kumanova si rajon përfitoi shumë nga ky transformim arsimor e kulturor, për arsye se shqiptarët përpos që zgjeruan horizontin e diturive, u bënë edhe më të vetëdijshëm për statusin e tyre shoqëror e politik. Me mbështetjen e prof. Ramizit në Kumanovë u vunë edhe themelet e veprimtarisë teatrore në gjunën shqipe.

Gjithsesi, ky vetëdijësim i dha frytet disa dekada më vonë, pikërisht në vitin 2001, me kryengritjen që përfshiu ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve për një ndryshim substancial të pozitës së tyre në Maqedoninë gligoroviane. Këto ngjarje sigurisht që nuk ishin të izoluara nga konteksti i zhvillimeve politike në hapësirën shqiptare në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, që rezultuan me çlirimin e Kosovës dhe me krijimin e parakushteve për një qasje më radikale në zgjidhjen e problemeve të hapura të shqiptarëve edhe në Maqedoni. Por, ato ngjarje nuk erdhën vetvetiu dhe si të tilla ato patën një prolog që ndërlidhen pa dyshim edhe me procesin e etablimit të Universitetit e Tetovës në mendësinë koleketive të shqiptarëve gjatë viteve 90-ta, i cili përpos si vatër arsimore, ishte edhe një epiqendër e formësimit të një kauze të re kombëtare që do të kulmonte me shpërthimin e kryengritjes së armatosur në vitin 2001.

Një prej pedagogëve emblematikë të këtij Universiteti, që ishte bërthama e formimi të tij, ishte edhe prof. dr. Ramiz Abdyli, angazhimi i të cilit, fillimisht si profesor, e pastaj edhe si rektor, do t’i japë këtij universiteti atributet e një agore aktive ku po piqej vetëdija sublime për ndryshime rrënjësore në shoqërinë shqiptare. Bilanci i atyre ndryshimeve ishte kryengritja e vitit 2001, pjesë e të cilit ishin edhe stutentët  e prof. Ramizit.

Ky mund të jetë “rreziku” tjetër që i atribuohej figurës së prof. Ramiz Abdylit, ndonëse atë asgjë nuk e demotivoi në përpjekjet për të vazhduar betejat intelektuale e shkencore, si në planin e përgatitjes dhe avancimit të kuadrove të reja, që do të ishin pasues të tij, disa prej të  cilëve i kemi prezent edhe në këtë sallë, ashtu edhe në planin e veprimtarisë hulumtuese e botuese, që do t’i sillnin histriografisë shqiptare kontribute të vlefshme me të dhëna rifreskuese arikivore e dokumentare, siç mund të jenë veprat dhe studimet: “Hasan Jakup Ferri – një jetë për atdhe”, “Trojet Lindore shqiptare në kryengritjen e përgjithshme (1912)”, “Fjalor i historisë (ngjarje, personalitete dhe shprehje historike)”, “Përzgjedhje studimesh historike 1,2,3” , “Malësia e Shkodrës në flakë për liri, dokumente britanike”, “Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më 1912” (bashkautor me Muhamet Shatrin), “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në burimet angleze 1878-1881”, “Vëllimi I dhe II, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910”, “Libri 1 dhe 2”, Dokumente bullgare për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të vitit 1912,  “Shqiptarët e Maqedonisë sipas të dhënave të defterëve osmanë të shek. XV-XVI” dhe tash së fundmi dy veprat e më të reja të prof. Ramizit, “Shkupi në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881)” dhe “Klubi Bashkimi i Shkupit (1908-1912)”.

Për një intelektual aktiv dhe hulumues, siç ishte prof. Ramiz Abdyli, mbetet i hapur bilanci i angazhimeve kreative në fushën e historiografisë. Karriera e tij shkencore e filluar në vitin 1975, u ballafaqua me ide e projekte të reja, por pengu i vetëm i tij, para se të ndërronte jetë, ishte  dëshira e kahershme për t’u shkruar  historia e  mirëfilltë e shqiptarëve. Projektet ekzistuese që mbajnë firmën e disa akademikëve të Tiranës, nuk i përmbshin kriteret për të qenë Një histori e përbashkët e shqiptarëve. Prandaj synimi i prof. Ramiz Abdylit ishte shumë fisnik dhe i drejtë, aq më tepër që ai disa herë ishte angazhuar, edhe me recensione të shkruara, në formë të vërejtjeve dhe sygjerimeve profesionale, që metodologjia e shkruarjes së historisë së shqiptarëve të ndjek edhe parimin e shtrirjes territoriale, duke mos lënë jashtë këtij projekti shqiptarët e trojeve etnike në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi të Jugut e gjetiu dhe duke përfshi edhe studiues nga këto treva, të cilët do të kontribuonin në vjeljen e marerialit historiografik e arkelogjik, si dëshmi konkrete e vazhdimiësisësë së pandprrerë territoriale të shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Këto pikëpamje të prof. Ramiz Abdylit burimin e kanë te ndjeshmëria e ij tepër e lartë ndaj korpusit tematik etnik, me epiqendër Shkupin, si një arterie kryesore që lidhë Dardaninë me pjesët tjera vitale të hapësirës shqiptare, që kufizohen me ujërat e Jonit e Adriatikut.  Ai në Shkup e kishte kaluar rininë e hershme si  nxënës i Normales dhe rininë e mëvonshme si student në Universitetin e Shkupit. Por para kësaj, ai kishte hasur në rrëfimet e odave të vendlindjes copëza historish që lidheshin me Shkupin dardan dhe që atëherë iu kishte mbjellë në mendje përkushtimi për këtë qytet të lashtë, i cili do të bëhet më i njohur për publikun e gjerë edhe në saje të dy veprave të fundit të prof. Ramiz Abdylit që i botoi ITSHKSH – njëri mbi Shkupin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse tjetri mbi Klubin Bashkimi të Shkupit.

Për një shkrimtar, fëmijëria dhe rinia paraqesin arkën e mbushur me përralla për të kaluarën të cilat pastaj shndërrohen në fabula tregimesh apo romanesh, ndërkohë që për një historian fëmijëria dhe rinia është paradhoma e një muzeu të vjetër ku ruhen shpatat mitologjike për t’u ballafaquar me sfidat që t’i sjell jeta. Në rininë e tij të hershme, edhe prof. Ramizi kishte magazinuar në kujtesën e tij, në vend të shpatave mitologjike, motivet e disa këngëve  të vendlindjes të cilat do t’i kujtohen herë pas herë edhe në moshën e shtyrë e që do të përputheshin plotësisht me kauzën e tij intelektuale për ta bërë Shkupin qendër të shqiptarizmës.

Shkupi atë do ta ndjekë gjatë gjithë jetës, ashtu siç do t’i jehojnë në vesh edhe sot vargjet e një këngë të fëmijërisë që lidheshin pikërisht me këtë (krye)qytet të lashtë Dardan:  

Oj nana jonë,
Ner gjerman do t’shkojmë
Shkupin ta fitojmë,
Shkupi asht i joni,
T’part naj kanë lan

*Botohet me rastin e shkuarjes në amshim të Prof.dr. Ramiz Abdylit

ObserverKult


Lexo edhe:

Emin Azemi: Me nanën, bri heshtjes që buron mall