Kjo bisedë është zhvilluar në një rreth të ngushtë të Partisë së Punës ku Ramiz Alia tregon takimin e datës 8 janar 1991, që ka zhvilluar me përfaqësues të Partisë Demokratike për të shmangur shtyrjen e zgjedhjeve që kërkonte PD, me qëllimin për të marrë kohën që i duhej për të përgatitur zgjedhësit e saj.
Gjithë biseda e zhvilluar tregohet në takimin e një dite më vonë nga Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Më poshtë e sjellim të plotë rrëfimin nga Ramiz Alia të këtij takimi dhe debateve për shtyrjen e zgjedhjeve të para pluraliste, siç u quajtën atë kohë.
Rrëfimi i Ramiz Alisë, 9 janar 1991:
Ramiz Alia: Ju thirra të bisedojmë për gjendjen e krijuar në prag të zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin Popullor. Me kërkesën e tyre dje takova përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët përsëritën edhe një herë kërkesat e tyre:
E para për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve, sepse ky ligj sipas tyre doli para se të krijoheshin subjektet e reja politike dhe e ndan Partinë e Punës efektivisht në pesë pjesë, duke i dhënë mundësi asaj të paraqitet me pesë kandidatë.
E dyta, për shtyrjen e zgjedhjeve tre muaj, pasi janë të papërgatitur, nuk janë në kushte të barabarta me Partinë e Punës dhe me subjektet e tjera elektoralë nga pikëpamja materiale dhe e mundësive efektive të propagandës.
Para se të hyj në thelbin e problemit u thashë, dua një përgjigje të saktë nga ju: primare keni çështjen e demokratizimit të vendit, interesit e atdheut, përparimin dhe zhvillimin e mbarë të tij apo marrjen e pushtetit?
Në qoftëse udhëhiqeni nga interest e atdheut, të zhvillimit ekonomik e politik dhe stabilitetit të vendit e të tjera, u thashë, unë po ju them që gjendja aktualisht është jashtëzakonisht e rëndë, në një krizë ekonomike e politike, në një situatë që vendi mund të destabilizohet nga çdo pikëpamje dhe çdo veprim i gabuar i yni mund të ketë konsekuenca katastrofike.
Gjendja ekonomike siç e shihni është shumë e keqe, po edhe gjendja politike nuk është e mirë; njerëzit nuk punojnë, por po rrinë rrugëve, nëpër mbledhje, nëpër mitingje, po merren me muhabete.
Ndërkohë ata ndërhynë dhe thanë që të tëra mitingjet e Partisë së Punës janë bërë brenda orarit zyrtar. Domethënë u kemi dhënë ne argumente atyre.
Në vazhdim u thashë që zgjedhjet duhet të bëhen sa më shpejt në mënyrë që të krijohet Kuvendi i ri Popullor, të aprovohet Kushtetuta, të krijohet një stabilitet politik në vend, gjë që do të inkurajojë edhe marrëdhëniet me botën e jashtme e do krijohen premisa për t’u marrë seriozisht me çështjet e ekonomisë dhe të zhvillimit të vendit.
Ky është qëndrimi që duhet të mbajë çdo patriot, çdo njeri i ndershëm i këtij vendi. Ju thoni se keni për qëllim mbarëvajtjen e vendit, atëherë nuk ka pse të mos jeni në një mendje për këtë çështje.
Teza e tyre ishte që nuk bëhemi dot gati, as kandidatët nuk i gjejmë dot deri në kohën që ka mbetur për zgjedhjet. Po edhe sikur të bëhen këto zgjedhje në kohën e caktuar, thanë, për mendimin tonë situate do të jetë po aq e rëndë sa është sot, sepse në opinion publik nuk fitojmë gjë, zgjedhjet do të konsiderohen unilaterale, për arsye se bëhen nga partia me të gjithë levat e veta, pra nuk do të ketë pamjen e një pluralizmi të vërtetë. Për rrjedhojë gjendja politike do të mbetet e njëjtë.
Po edhe gjendja ekonomike nuk besojmë se do të pësojë ndonjë ndryshim të madh, duke marrë parasysh se imazhin në sytë e botës Shqipëria nuk e përmirëson. Me një fjalë, ata ngulin këmbë që zgjedhjet duhet të shtyhen, të bëhen në kushte më të favorshme, më demokratike etj. Fundi i fundit thanë, tre muaj kohë po kërkojmë. Në këto tre muaj nuk ka për të ndodhur ndonjë gjë, përkundrazi duhet t’i bashkojmë të tëra forcat që të shkojmë përpara e të tjera.
Gjatë takimit prej rreth dy orësh me ta, përveç kësaj çështjeje ata shtruan edhe disa ankesa: se janë të kufizuar në veprimtarinë e tyre, se nuk i ndihmon kush, përkundrazi u nxjerrin pengesa policia dhe komitetet e partisë në rrethe, se nuk kanë mjete material etj. Këtu unë ndërhyra e u thashë që të mos futeshin në ato çështje, se nuk ishte ky objekti i takimit tonë.
Duke parë argumentin që jepja unë, nëqoftëse nuk ka mundësi të shtyhen zgjedhjet tre muaj, thanë, atëherë shtyrja të bëhet dy muaj. Ne lëshuam, kurse ju nuk po lëshoni asgjë thanë. Këtu nuk është puna të lëshoni ju apo të lëshoj unë, u thashë, po problem është te situata e vendit që duhet të na preokupojë të tërëve.
Për mua nuk ka rëndësi se sa vende do të fitojë kjo parti apo ky grup elektoral në zgjedhje, por që të formohet Kuvendi i ri Popullor, i cili duhet të aprovojë Kushtetutën duke i hapur rrugën shtetit ligjor e të tjera. Dhe ju nuk duhet t’i jepni rëndësi të madhe kësaj, u thashë, se në vend të 50 vendeve që ka parashikuar Sali Berisha, mund të fitoni 40 ose 60 vende. U hodh e tha që nuk kam bërë asnjë parashikim. Nga “Zëri i Amerikës” e kam dëgjuar i thashë; po të jetë nevoja ta dërgoj që ta dëgjosh dhe ti.
Në qoftëse ju, u thashë, keni hallin e pushtetit, ju japim edhe një alternativë tjetër: më 1992 sipas ligjit duhet të bëhen zgjedhjet për pushtetin lokal, i cili është determinant, se paralizon tërë vendin. Po të doni ato mund t’i afrojmë, t’i bëjmë nga fundi i vitit 1991 dhe po t’i fitoni ato, i paralizoni organet qendrore përnjëherësh.
Pra e keni edhe këtë mundësi, ashtu siç ka edhe një mundësi tjetër, që pas zgjedhjeve do të formohet qeveria, organizmat e ndryshme, dhe po të jeni të dispozuar ju, pavarësisht nëse merrni apo nuk merrni pjesë në zgjedhje, fitoni apo nuk fitoni shumë vende, me mirëkuptim mund të shikohet çështja që edhe ju të keni rolin në shtetin tonë dhe në këto organizma, duke pasur gjithmonë si kriter interesat e mëdha të atdheut. Mua kjo më preokupon, u thashë, asnjë çështje tjetër nuk shtroj si primare.
Pasi panë që unë ngula këmbë në pikëpamjen që thashë se zgjedhjet duhen bërë sa më parë dhe në kohën që jenë caktuar, pohuan se në këto kushte nuk do të marrin pjesë, se do t’i bojkotojnë zgjedhjet, do të bëjnë thirrje që njerëzit të mos marrin pjesë në to dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve deri në ditën e fundit.
Është e drejta juaj, u thashë, që të mos merrni pjesë në zgjedhje, ashtu siç mund të bëni dhe thirrje që populli të mos shkojë në votime, por në qoftëse ju do të vazhdoni në këtë rrugë, kjo do të thotë që ju kërkoni të pengoni zhvillimin e zgjedhjeve duke rënë kështu në kundërshtim me ligjin, i cili është i rreptë ndaj atyre që pengojnë zhvillimin normal të zgjedhjeve.
Ndërkohë reaguan menjëherë duke thënë që këtë nuk e bëjmë për të penguar, por duam t’i themi popullit arsyet pse ne nuk marrim pjesë në zgjedhje.
Është tjetër problem, u thashë që t’i thoni popullit se nuk marrim pjesë në zgjedhje për këto dhe ato arsye, por të pengoni zhvillimin e zgjedhjeve me veprime të atilla, që çojnë në destabilizim të situatës, kjo është e kundërligjshme dhe e rrezikshme.
Ju tashmë jeni një udhëheqje kombëtare, ndaj duhet të keni një vizion më të plotë mbi situatat dhe të shikoni që në vend ka gjithfarë faktorësh të interesuar për destabilizim. Ne jemi për atë që vendi të stabilizohet, thanë, u kemi bërë thirrje punëtorëve që të punojnë, të mos largohen nga puna e të tjera.
Ju nuk e dini, u thashë, që në Kosovë ka 15 mijë ushtarë dhe që ne jemi të detyruar të mbajmë në kufi 20 mijë ushtarë për t’iu bërë ballë atyre, gjë që e rëndon jashtëzakonisht shumë ekonominë. Se mos ia japësh shtypit të huaj këtë lajm, i thashë Genc Pollos që ishte aty, se keni bërë një proçkë duke i thënë shtypit të huaj që qeveria shqiptare është e interesuar t’i përzërë grekët nga territori i saj. Mos harro se ky është krim kombëtar, prandaj kujdes për gjërat që thua.
Gjithashtu ju tërhoqa vëmendjen që të kenë kujdes dhe për një gjë tjetër: të ruajnë sensibilitetin e popullit, se ai është tepër sensibël në disa gjëra. Për shembull është sensibël në çështjen e Luftës Nacional Çlirimtare, se ka derdhur gjak për fitoren e saj. Të ofendosh luftën ju thashë, është e palejueshme. Ajo ka patur një komandant të përgjithshëm, që e ka udhëhequr atë gjatë gjithë kohës së saj, prandaj duhet të kini kujdes në këtë çështje.
Ne nuk e ofendojmë luftën, thanë, dhe nuk kemi folur asnjëherë kundër Enver Hoxhës. Madje ne një miting, kur dikush nga masa tha “poshtë…”, nga tribuna i thamë që nuk flasim për “poshtë”, por për “rroftë” dhe për të ecur përpara. Nuk i shikojmë këto, pavarësisht se kemi vërejtje.
Vërejtje mund të kini për kë të doni dhe për çfarë të doni, është e drejta juaj, u thashë, por duhet të kini kujdes për disa gjëra që janë të shenjta dhe të paprekshme për popullin, ruajuni nga kjo, sepse mund të tërhiqni mbi vete një urrejtje të madhe popullore.
Konkluzioni i këtij takimi ishte që ata nuk marrin pjesë në zgjedhje, duke deklaruar se do të abstenojmë, do t’i bojkotojmë zgjedhjet, do t’i bëjmë thirrje popullit në forma të ndryshme që të mos marrë pjesë në to. (Tesheshi)
Lexo edhe:
ObserverKult