Ramiz Gjini: Një djallushkë si Keti Sedefi

ramiz gjini

Nga Ramiz Gjini

Të hënën që shkoi, mu desh t’i drejtohesha një farmacie për të blerë aty një pomadë A+D+E, pasi time shoqeje i pati dalë një puçërr në hundë. Po s’qe e thënë ta blija, sepse rastësishë, para meje u shfaq Keti Sedefi! Më ndaloi e duke buzëqeshur djallëzisht tha:
– Ta dishë, që do të të fus të gjallë në dhè, Kamil!
Për një çast e humba krejt, por shpejt e mblodha veten e ia ktheva:
– Një gjë e tillë s’më pëlqen hiç! Dhe për më tepër, mendoj se më ngatërroni me tjetërkënd!
– I ke rënë pikës! – tha buzagaz ajo. – Vërtet, që ma ka shkrepur të të ngatërroj.
Dhe nisi të lëvizte gishtërinjtë si një xhonglere, të vërviste me ta një kordele të kuqe, t’i jepte formën e një tulipani, ndërsa ndjeva si po më shponte mu në zemër ai vështrimi i syve të saj të kaftë.
Duke i dhënë zërit një ton disi kërcënues, i thashë Ketit, që isha burrë i martuar; se e doja time shoqe; dhe se po më pengonte të kryeja një porosi të saj.
– Kjo nuk do të thotë gjë! – ma ktheu ajo. Dhe pa ma shqitur atë vështrimin e syve të saj të kaftë, uli zërin e tha: – Shihemi sonte natën, Kamil!
Dhe iku duke tundur ato vithet e saj prej mushke motake.
Nuk di të them përse mu fiksuan aq keq ato vithet e saj, buzëqeshja dhe fjalët që tha! Aq keq mu fiksuan, sa, harrova krejt ku duhej të shkoja! Madje, edhe pse u përpoqa të kujtohesha për ku qeshë nisur, nuk ia dola dot; dhe tek e mbramja, u ktheva për të shkuar në shtëpi.
Në shtëpi, gruaja më priti gjithë hundë e buzë.
– Sërish paske harruar ta blesh atë dreq pomade A+D+E! – tha ajo. Dhe i vari buzët gjer nën mjekër.
Si thashë as po, as jo. Kurse ajo, si gjithëherë, nisi të ankohej për punët e shtëpisë, që s’mbaruakan kurrë; të përcillte me rropamë sendet që zinte me dorë; si dhe të mërmëriste fjalë, që s’ia mbante t’i thoshte me zë të lartë.
Kur ra mbrëmja, e gjeta të udhës të futesha në dhomën time të vogël, që më shërben edhe si bibliotekë. Aty, u shtriva në divan e nisa të shfletoja një libër me histori ciganësh, që më pat mbetur përgjysëm. Por më erdhi si gjumë dhe e lash librin.
Befas, që nga xhami i dritares, që ndodhet nga ana e kopështit, mu bë sikur dëgjova një trokitje të lehtë! Pandeha se më kishin bërë veshët; por nuk qe ashtu; sepse trokitja e parë u pasua nga një e dytë; dhe menjëherë pas saj, një pëshpërimë:
– Hape derën, Kamil! Jam Keti!
Një t’u ngritur, mbërrita tym pranë drirtares; dhe pa e hapur atë, iu gërmusha që nga brenda:
– Mallkuar qofsh Keti Sedefi! Nëse nuk do të largohesh menjëherë, ta dishë, që do bëj namin në ty!
Dëgjova të qeshte me kukurisje si një fëmijë, që s’do t’ia dijë për rrengjet që u punon të tjerëve, pastaj tha:
– Jo mirë kështu, Kamil! Jo mirë kështu! Po më detyron të të hedh një lak në fyt dhe të ta shtrëngoj fort.
Me të thënë këto fjalë, munda të kap zhurmën e lehtë të hapave të saj, teksa largohej nëpër kopësht.
Kur çdo gjë ra në fashë, dola në oborr, medemek të ndizja një cigare. Qe një nga ato netët me ufëm të gushtit, që pasojnë ditët e djegagurit. Qielli me yjet dukej mu si një mangall i stërmadh plot me prush i kthyer përmbys. Pata ndjesinë sikur sipër këtij mangalli, qëndronte Keti Sedefi; dhe sapo të më shikonte, do të derdhte në mua gjithë atë prush qiellor, ndaj hyra nxitimthi në shtëpi.
Ime shoqe, nisi përsëri të më gërricte nervat me atë avazin e pomadës A+D+E, që unë kisha harruar të blija.
– E katërta herë që harron! – shfryu sërishmi ajo.
Dhe duke më hedhur një vështrim prej kunadheje, shtoi nëpër dhëmbë diçka si “je qorrollepsur” a “je budallepsur”.
– Mjaft tani! – guxova e i thashë.
– Një puçërr e vogël të ka dalë. S’u bë hataja!
Po ajo u dëshpërua pikërisht si të qe bërë hataja! Më hodhi përvjedhtas një vështrim inatçor, nëpërdhëmbi fjalë nga ato që s’ia mbante t’i thoshte me zë të lartë dhe vajti e u mbyll në dhomën e gjumit.
Andej nga e vona, ndoqa gjer në fund një ndeshje futbolli, që të them të drejtën, më zhgënjeu. Pastaj, vajta të flija, i pushtuar nga një parandjejnë e ligë, sepse që nga jashtë, më vinte në vesh klithma e përvajshme e një hutini.
Ime shoqe kishte rënë të flinte para meje. Vura rè, që edhe pse tashmë në gjumë, fytyra e saj, ende ruante atë shprehjen e idhnimit të mëparshëm! Sapo zhvishesha për t’u shtrirë, kur mu bë sikur ndjeva një zhurmim të lehtë; një si rrekje prej hajduti për të çelur kurtinën e dritares; dhe menjëherë, mendja më shkoi te Keti Sedefi.
Atëherë, kontrollova dritaret nëse ishin të mbylluara. Pastaj, vajta e rrotullova për herë të dytë çelësin e portës kryesore; si dhe i rrasa dy shulet, poshtë dhe lart. Por sërish nuk po e gjeja dot qetësinë e duhur. Mendja më thoshte, që një djallushkë si Keti Sedefi, mund të kruspullosej, mblidhej, zvogëlohej e bëhej, ndoshta, sa një milingonë. Pastaj mund të hynte pa ndonjë vështirësi midis hapsirës milimetrike që ndan fundin e derës me pragun. Mund të ndodhte të shndërrohej edhe në një bukurezë, nga ato, që shfaqen kopshtieve netëve të vakëta verore. Të ndizte kandilin e saj fosforeshent, dhe në dritën e këtij kandili, të gjente një shteg; ndaj vendosa t’i mbyllja të gjitha vrimat dhe plasat; t’i bllokoja rrugët, të evitoja ç’do mundësi, që do ta sillte tek unë Keti Sedefin; për t’u ndjerë më në fund krejt i sigurtë; për të bërë një gjumë të qetë në shtëpinë time, në krevatin tim, dhe me gruan time të ligjëshme.
Si ndeza dritën e korridorit, dola sërishmi jashtë. Dhe, që nga errësira, zbulova vendet ku gjendeshin vrimat e vogla, si dhe plasat nga ku buronin skurrile të holla drite; sepse këto skurrile drite, mund t’i shërbenin djallushkës Keti Sedefi si shtigje të sigurta për t’ia behur tek unë orë e paorë, kur të donte e si të donte, pavarësishtë dëshirës sime.
Hyra në shtëpi dhe mora tul buke, të cilin e punova me gishta dhe e bëra baltavec. Pastaj, me këtë tul, bllokova vrimën e çelësit; si dhe gjithë vrimat, nga të cilat, mendja më thoshte, që mund të futej Keti Sedefi.
Plasat e holla të derës dhe dritares i mbusha me një llakë të trashë, gjysëm të skaduar. Një djallushkë si Keti Sedefi, mund të shndërrohej edhe në një larvë bretkose; pastaj të futej në shtëpi përmes tubacioneve të ujit, ndaj shtrëngova mirë rubinetat në guzhinë dhe banjo.
Hapësirën milimetrike midis fundit të derës dhe dyshemesë e mbylla me një leckë të lagur me vajguri, pasi kisha lexuar diku, që vajguri na qenkesh një tmerr i vërtetë për insektet.
Kur të gjitha këto bubërritje kishin përfunduar, i thashë vetes burrë me një barrë mend; dhe gjithë qejfë, vajta e hyra në shtrat ku mbylla sytë të flija. Isha në shtëpinë time, në krevatin tim dhe me gruan time të ligjëshme.
Për pak do më kishte kapluar gjumi, sikur të mos kisha ndjerë në vesh firomën e lehtë e të ngrohtë të një pëshpërime:
– Më bëj vend Kamil! Dhe mos u ndje!
Domosdo, ju e merrni me mend, që ishte ajo, djallushka Keti Sedefi!
Qe përkulur mbi mua, ndërsa rreth qafës më kish hedhur lakun e një konopi mëndafshi, nga ata që këpucarët i nxjerrin prej rrypave të trasmesionit; dhe pastaj, u mburren me ta klientëve. Ç’të bëja?
– Futu në shtrat, – i thashë si një viran. – Veç me kujdes, aman, se mos zgjohet ime shoqe!
Dhe lëviza ngadalë që t’i bëja vend nga ana tjetër. Keti Sedefi, si për të më treguar se duhej t’i bindesha, më shtrëngoi njëherë lakun e tha:
– Ka vetëm një vend për mua, Kamil! Dhe ky vend, është mes teje dhe gruas tënde!
Dhe si hyri në shtrat, i ktheu kurrizin time shoqeje, u struk puqpërpuq meje, dhe nisi të më numronte rrahjet e zemrës.
– Më duhet t’i numëroj, sepse këtej e tutje, këto rrahje do të jenë për mua, – tha. Pastaj shtoi, se për ç’do rrahje, do të më jepte si shpërblim plot dhurata të çmueshme.
Unë rrija dhe e vështroja i përhumbur e gjithë frikë! Për çfarë dhuratash e kishte fjalën Keti?!
– Nuk beson?! – pyeti ngadalë mu te veshi. – Vërtet nuk beson?!
Dhe, lehtë-lehtë, pa m’i shqitur asnjë sekontë sytë bakër, shkopsiti një nga një, kopsat e fustanit të saj ngjyrë rozë! Dy gjinj të plotë e të rrumbullt me aromë të këndëshme ftoi zbardhëllyen në errësirë!
– Oh, Keti! – rënkova! – Ti je një djallushkë e bekuar prej Zotit! Dhe iu luta, tek e pakta, të më hiqte lakun nga fyti.
– Shshsht! – ia bëri qortueshëm ajo. – Laku shkon bashkë me thesarin!
– A s’më thua, nga hyre?! – memzi pëshpërita, sepse më qe tharë pështyma në grykë.
– Gjithnjë ka një hyrje të fshehtë, që veç ne femrat e dimë, – tha ajo.
Dhe nisi të pështillej e shpështillej si një gjarpërushë breve; të më kobiste, tralliste, lektiste e telikoste si mozomazot; pastaj më mbërtheu si një gjeraqinë dhe filloi të merrte e jepte ç’të deshte si e marrë; të më hurbte çikë e nga një çikë, derisa nisa të ndizem flakë e të cërhas mu si një urë zjarri. Por ja që ime shoqe lëvizi përgjumësh; dhe kur unë i hodha sytë, mu duk e çmeritur! Dhe kur nxorri edhe një si mekërimë, që të këpuste shpirtin, u binda plotësisht, që ajo na shikonte me sytë mbyllur!
Atëherë, ndjeva për të një keqardhje aq të thellë, sa, më teptisi gjaku në kokë! Një tu ngritur ndenjur, e mbërtheva Keti Sedefin për flokësh me mendjen top, që ta nxirrja jashtë zhakthi. Dhe, padyshim, që do e kisha bërë një gjë të tillë sikur atë çast të mos qe zgjuar ime shoqe.
– Lëshoje, Kamil! – briti ajo. – Ç’bën kështu?! Nuk shikon që e bëre lëmsh çarçafin dhe po na shkep edhe dyshekun?!
Me vështrimin e përhumbur, gjithnjë në kërkim të Keti Sedefit, fillova t’i shpjegoja time shoqeje, një far ëndërre plot llahtar, ku medemek, dy ciganë kurrizdalë, përpiqeshin të më hidhnin në kraterin e një vullkani, nga i cili shpërthente herë pas here një llavë e nxehtë pomade A+D+E!/

ObserverKult

Lexo edhe:

“AJO QË DONTE DIELLIN”, TREGIM NGA RAMIZ GJINI