Ramiz Kovaçi, njeriu që jetoi mes Zhermonit dhe Figaros

Zhermoni apo Figaro? Kush e simbolizon më shumë artistin e madh, Ramiz Kovaçi. Baritoni i njohur ka dhuruar interpretime të mrekullueshme, si te “La Traviata”, ashtu edhe te “Berberi i Seviljes”. Ato kanë qenë ndoshta kulmet e tij në skenën e operas. Megjithatë, edhe në distancën e shumë viteve, është ende e vështirë ta përmbledhësh Ramiz Kovaçin vetëm brenda kostumit të njërit nga personazhet e shumtë që interpretoi. Ai ishte herë Zhermon, babai i merakosur për familjen e tij, e herë Figaro, djaloshi i ri e simpatik, ndihmën e të cilit e kërkonin të gjithë. Përshtatur kushteve të kohës, martesës me bullgaren e bukur, Nikoleta Lillova, baritoni i njohur i Teatrit të Operas ishte një mik i gjithëve, i respektuar dhe i adhuruar nga ata që e njohën në jetë apo e shijuan në skenë. Për vetë Ramizin, ai ishte një Rigoleto. Shpeshherë e krahasonte veten me personazhin e dashur, pasi edhe ai ishte baba i një vajze të vetme, për të cilën bënte gjithçka. Aq shumë e donte këtë rol Ramiz Kovaçi, sa në një moment të karrierës ai ndaloi së interpretuari babain e një vajze dhe zgjodhi vetëm të jetonte si baba shembullor i vajzës së tij.

Tashmë 9 dekada pas lindjes dhe 26 vjet pas ndarjes nga jeta, miq dhe të afërm përkujtojnë “Artistin e Popullit”, baritonin Ramiz Kovaçi, i cili mban edhe titullin “Nderi i Kombit”. I ndarë nga jeta në fillim të viteve ‘90, baritoni i shquar i skenës shqiptare ka lënë pas një repertor të pasur dhe kujtime të bukura për publikun. Jo vetëm ndjekësit e Teatrit të Operas dhe Baletit, por edhe në shumë skena të tjera, brenda e jashtë vendit, është shijuar zëri i bukur i baritonit. “Artist i shquar dhe njeri me virtyte të larta humane dhe shoqërore, i prirur gjithmonë drejt përparimit”. Me këto fjalë, shkrimtari i madh Dritëro Agolli, e ka përmbledhur jetën dhe veprën e baritonit të shquar Ramiz Kovaçi. “Ramiz Kovaçi është një ndër figurat e mëdha të artit dhe të kulturës sonë. Me talentin e padiskutueshëm, me zërin e mrekullueshëm, me mjeshtërinë e lartë artistike dhe me punën e tij të palodhur e të vetëdijshme, ai u bë një ndër kolonat e forta që mbajtën në këmbë Teatrin e Operas dhe Baletit shqiptar, duke iu rritur atij nderin dhe autoritetin artistik dhe duke ua lënë të sigurtë trashëgiminë brezave të rinj. Teatri i Operas dhe Baletit, me artistë si Ramiz Kovaçi, u bë një ndër elementët e rëndësishëm për të hyrë në Evropë. Veprimtaria e Ramiz Kovaçit luajti rol të ndjeshëm në përhapjen e muzikës skenike dhe në edukimin e njerëzve me këtë gjini muzikore të nivelit të lartë. Prandaj Ramiz Kovaçi, si artist i shquar dhe si njeri me virtyte të larta humane dhe shoqërore, i prirur gjithmonë drejt përparimit, meriton vlerësimin më të lartë”, shkruan Agolli, në një kujtim për artistin.

Edhe për artisten Edit Mihali, Ramiz Kovaçi mbetet një ndër baritonët më të mirë dhe zërat më të bukur të lirikës shqiptare. Ai ishte një ndër krijuesit e Teatrit të Operas, si dhe Konservatorit të Tiranës. “Në atë kohë të mbyllur, eksperienca e artistëve si Ramiz Kovaçi, na ka rritur. Aq më tepër kur këto figura i shikon në skenë të duken të mëdhaja, ashtu siç ishin vërtetë, por kur njihesh nga afër më ta, siç ishte rasti im me gjigandin e muzikës shqiptare Ramiz Kovaçi, atëherë shikon se këta gjigandë ishin aq të thjeshtë dhe aq njerëzorë. Ishin pa ato meskinitetet e vogla”, kujton dirigjenti Bujar Llapaj. “Ajo që më bënte përshtypje te Ramizi kur ishte pedagog në Institutin e Arteve ishte se ai nuk merrej me vogëlsira dhe kishte një dije shumë të mirë për kanton. Unë i kërkova leje për të ndjekur një orë mësimi të tij, për të parë se si punonte me studentët”, është shprehur Llapaj.

Jeta

Ramiz Kovaçi lindi në qytetin e lashtë të Krujës, më 22 mars 1931, në një familje me tradita të hershme patriotike dhe intelektuale. Përfundoi shkollën e mesme të Liceut Artistik për kanto me pedagogun e shquar Mihal Cikon. Pranë Filarmonisë Shqiptare të asaj kohe organizohej konkursi për studime jashtë shtetit. Konkuroi dhe fitoi. Shkoi në Sofie (Bullgari) dhe filloi Konservatorin me një nga pedagogët më të mëdhenj të kantos operisitke të asaj kohe, profesor Brëmbarov. Ramizi ka qenë në një kurs dhe me të njëjtin pedagog të artistes së madhe, Rajna Kabaivanska. Doli me rezultate të shkëlqyera dhe e përfundoi studimet me medalje ari. Provimin e diplomës e dha me arjet më të vështira të zërit të baritonit, nga opera “Berberi i Seviljes”, “Traviata” etj. Bëri stazhin në operan e Sofjes dhe më pas kthehet në Shqipëri, ku filloi punën si solist i parë në operan e Tiranës. Shkoi në Romë dhe përfundoj me sukses kursin e jashtëzakonshëm të Akademisë “Santa Cecilia”. Ka shënuar rekorde në interpretimin e disa roleve si te “Lulja e Kujtimit”, “Traviata”, “Berberi i Seviljes”, etj. Ai u nda nga jeta në vitin 1994.

Familja

Ramiz Kovaçi u martua me Nikoleta Lillovën, të cilën e njohu gjatë studimeve në Bullgari. Ata krijuan një familje të thjeshtë, por të mbushur me art e dashuri. Vajza e tyre, Raina Kovaçi, e rritur në ndenjëset dhe prapaskenën e Teatrit të Operas, nuk mund të bënte një zgjedhje tjetër në jetë, veçse në botën e operas. Ajo u martua me Edmond Tullumanin, tenor dhe producent i koncertit të njohur “Tre Tenorët”. Historia nuk do të ndalej këtu, vajza e tyre, Ramona Tullumani do të përgjumej shpesh në sallën e Operas, kur e sapolindur ndiqte në skenë, si gjyshin, ashtu dhe babain e saj. Rrugë tjetër nuk do të kishte as për Ramonën e bukur dhe me zë brilant. Ajo është sot një soprano e njohur e Teatrit të Operas të Tiranës dhe Sofjes, ndërsa interpreton edhe në skenat europiane. Mbaroi gjithçka këtu? Ndoshta jo. Një tjetër filiz i artit duket se po rritet. Djali i Ramonës, Borisi, tashmë ka bërë interpretimet e para dhe performanca në rrjetet sociale ka marrë duartrokitjet (like-t) e para të publikut. Le të presim…

Disa nga rolet:

Kristo, “Lulja e Kujtimit”

Ivani, “Pranvera”

Halimi, ”Heroina”

Ajdin Muzaka, “Skënderbeu”

Nika, ”Përtej Mjegullës”

Përgjegjësi, “Brigada e Grave”

Babai, “Borana”

Gjeta, ”Mrika”

Doktori, ”Komisari”

Shahin Miluka,”Zgjimi”

Malësori, ”Vjosa”

Sokoli, ”Agimi”

Sharples, ”Madam Batërflaj”

Marceli, ”Boheme”

Zhermon, ”Traviata”

Rigoleto, “Rigoleto”

Zurga, ”Peshkatarët e Perlave”

Robiston, ”Jolanda”

Silvio, ”Paljacot”

Figaro, “Berberi i Seviljes”

Alfio, ”Kavaljeria Rustikana”

Prifti, “Maria Egjiptjane”

Papageno, “Flauti Magjik”