Pas një goditje në tru, aktori Genc Fuga duhej t’i nënshtrohej urgjent një ndërhyrjeje kirurgjikale që i kushtoi 19 mijë euro në spitalin privat Amerikan. Në pamundësi që familjarët e Fugës të paguanin këtë shumë të lartë, dashamirës të artistit kanë kontribuar duke mbledhur shumën dhe duke bërë të mundur operimin e aktorit.
Pas kësaj ngjarjeje, një reagim ka ardhur nga ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, i cili denoncon se ka disa operacione për jetë a vdekje, si rasti i Fugës, që nuk realizohen në spitalin shtetëror QSUT dhe këtë e cilëson kriminale.
Raste si ai i Fugës, deputeti i opozitës shkruan se përsëritet për qindra shqiptarë, që sipas tij në shkelje të Kushtetutës, nuk iu ofrohet shërbim në shtet për disa raste specifike dhe detyrohen të paguajnë shuma marramendëse në spitale private ose përballen me vdekjen.
Shehu shkruan se është e papranueshme të tilla ndërhyrje të mos realizohen në QSUT, ndërsa i bën thirrje shtetit që për këso rastesh duhet të rimbursojë 100 % te shpenzimeve privatit.
“Kriminale t’i thuash pacientit “O paguaj o vdis”! Një “Deja vu” çfarë ndodh me artistin Fuga, një ngjarje e përsëritur, për qindra shqiptare tashmë. Një shkelje e rënde e Kushtetutës, të drejtave universale. Është vetëm një simptomë i degradimit të “Shëndetësisë falas” te Rilindjes. Në të vërtetë e kam ngritur pa ndërprerje këtë ballafaqim me vdekjen te pacienteve, por pa asnjë përgjigje nga ky shtet.
Janë jo pak ndërhyrjet e urgjencës ekstreme jetësore, pra për jete ose vdekje, që për turpin e sistemit nuk realizohen as në QSUT. Realizohen vetëm te privati, me pagese në dorë nga pacienti. Ndryshe Vdis! Midis tyre është dhe trajtimi i “aksidenteve” akute e të rënda cerebrale. Pra, kemi të bëjmë me një urgjence ekstreme, detyre e shtetit për t’u përballuar. Fatkeqësisht shteti ne vend që të ndërtojë një strukturë të tërë mbështetëse urgjence, bën rolin e strucit, duke i thënë pacienteve… O paguaj o vdis.
Së pari është e papranueshme që të tilla procedura mos të realizohen ne QSUT, Turp kjo edhe për atë qendër, shërbimet, që së paku duhet të ngrenë fort zërin e jo te heshtin si fija e barit.
Së dyti, për deri sa kjo të realizohet tek publiku, shteti duhet të rimbursojë 100 % te shpenzimeve privatit që e realizon, duke e falënderuar atë. Sepse këtu kemi të bëjmë me Jetë ose Vdekje.
Duke i uruar shërim aktorit të njohur e vlerësuar rolin e publikut dua të them: Nuk mjafton vetëm me kaq, janë shumë e shumë ata që në heshtje pësojnë të tilla sëmundje e kanë nevojë për ndihmë. Opinioni mjekësor, ai i përgjithshëm duhet të ngrejë fort e lart zërin për tu respektuar e vlerësuar se paku jeta e qytetareve”, shkruan Shehu.
Po sa raste ka të qytetarëve të thjeshtë të cilët përballen me këtë situatë dhe familjet e tyre e kanë të pamundur të përballojnë shumat marramendëse që kërkojnë spitalet private, shumë që as me dhjetëra vite punë nuk mund ta arrijnë?
E ndërsa në rastin e Fugës, njerëzit u solidarizuan për të mbledhur shumën, shumë qytetarë të tjerë mund të mos mbledhin paratë për ndërhyrje kirurgjikale të tilla. Është detyrë e sistemit shtetëror shëndetësor të sigurojë dhe ofrojë shërbimin shëndetësor me qëllim që pacientin të mos ë lërë para zgjedhjeve ‘o paguaj ose vdis””.
ObserverKult
Lexo edhe: