Hetimet, rekonstruktimi dhe ndjekja penale e krimeve në Kosovë gjatë luftës do të vijnë të përmbledhura në serinë e nëntë dokumentarëve të shkurtër titulluar “Tribunali penal ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë: Rasti i Kosovës 1998 -1999”.
Episodet e këtij cikli dokumentarësh do të shfaqen prej 13 prillit për dy javë rresht, çdo ditë pune nga ora 18:30, në KTV. Kriza politike që zhvillohej në Kosovë që nga fundi i viteve ‘80 dhe gjatë viteve ‘90 ka kulmuar në konflikt të armatosur midis forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Serbisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që nga mesi i vitit 1998.
Gjatë këtij konflikti të armatosur ka pasur incidente ku dhuna e tepruar dhe joselektive e ushtruar nga Armata Jugosllave (AJ) dhe njësitë policore serbe të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB-së) kanë rezultuar në vdekjen e civilëve, shpërnguljen e popullatës civile dhe me dëmtim të pronave të civilëve.
Me gjithë përpjekjet për përfundimin e krizës, duke përfshirë edhe dërgimin në Kosovë të një misioni ndërkombëtar verifikues, konflikti ka vazhduar deri në datën 24 mars të vitit 1999 e edhe përtej kësaj date, kur forcat e NATO-s kanë nisur një fushatë të sulmeve ajrore kundër caqeve në RFJ-së. Kjo fushatë e bombardimit ka përfunduar në datën 10 qershor të vitit 1999 dhe është përcjellë me tërheqjen e forcave të RFJ-së dhe të Serbisë nga Kosova.
Më shumë se 20 vjet pas ato vijnë të përmbledhura në këtë seri dokumentarësh si kujtim i vlefshëm për të punuar në ndërtimin e një të ardhmeje tjetër.