Reagime pas largimit nga puna të aktorit të njohur/ Simon Shkreli: Dinjitetin tim do ta mbroj me çdo kusht…

Shkarkimi i aktorit Simon Shkreli nga Teatri “Migjeni” në Shkodër ngjall reagime…

Aktori i njohur Simon Shkreli, ka reaguar ashpër pas njoftimit për nisjen e procedurës së shkarkimit të tij nga trupa e Teatrit “Migjeni” në Shkodër. Në një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, Shkreli e cilëson vendimin si një letër të hartuar nga burokratë pa lidhje me artin dhe kulturën.

Motivacioni zyrtar për largimin e tij, sipas Shkrelit, përmend “mungesën e efikasitetit, efektivitetit, produktivitetit dhe cilësisë në punë” – një formulim që aktori e konsideron jo vetëm të padrejtë, por edhe të rrezikshëm për të ardhmen e artit skenik në Shqipëri.

“Më paskan vlerësuar edhe cilësinë dhe produktivitetin. Dhe aftësinë time skenike. Një relacion i gatuar nga pseudo-artistë që sot kanë veshur petkun e zyrtarit”, shkruan Shkreli.

Aktori hedh akuza të drejtpërdrejta ndaj Zyrës së Kulturës në Bashkinë e Shkodrës, duke e lidhur këtë veprim me një seri zhvillimesh negative që kanë prekur institucionin teatror në vitet e fundit, përfshirë edhe humbjen e autonomisë së Teatrit “Migjeni” pas shkrirjes së tij si institucion më vete.

Sipas Shkrelit, kjo nuk është një çështje personale, por një skenar më i gjerë hakmarrjeje dhe përndjekjeje institucionale, që ka filluar prej më shumë se një viti dhe po prek artistët që nuk pajtohen me qasjet aktuale administrative në kulturë.

“Nuk do të bëj asnjë hap pas. Dinjitetin tim do ta mbroj me çdo kusht. Do të jem përballë padrejtësisë deri në fund”, shkruan ndër të tjera aktori, duke paralajmëruar ndjekje ligjore ndaj përgjegjësve.

Ngjarja ka ngritur shqetësime në komunitetin artistik, ndërsa priten reagime nga institucionet qendrore të kulturës dhe shoqëria civile. Artistë të tjerë dhe qytetarë kanë shprehur mbështetje për Shkrelin, duke e konsideruar rastin si një alarm për ndërhyrjet politike dhe burokratike në jetën artistike të vendit./Xhemazije Rizvani

ObserverKult


Lexo edhe:

“MË PRIT…”, SIMON SHKRELI LEXON POEZINË E FAMSHME RUSE (VIDEO)