Reagon Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës pas deklaratave të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. I cili tha se IKSHPK-ja ka rekomanduar që të vazhdohet me masat për institucionet arsimore.
Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka thënë se ky rekomandim është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2021-2022.
“Nëse vazhdohet me këso vendimesh joserioze të shtyhet fillimi i procesit mësimor. Si dhe të kushtëzohet fillimi i tij me skenarë të shpikur pa nevojë. Ne si Këshill i Prindërve në Prishtinë do të shqyrtojmë seriozisht opsionin që të pezullojmë angazhimin e prindërve nëpër shkollat e Prishtinës. Si në Këshilla Drejtues ashtu edhe në Task Forcat e shkollave. Nuk përjashtohet edhe thirrja për bojkotim të mbledhjeve të prindërve nëpër klasa”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës vlerëson se deklarimi i Ministrit të Shëndetësisë, z. Arben Vitia. ‘Se fillimi i procesit mësimor mund të shtyhet përsëri (meqë IKSHPK paska vlerësuar ashtu)’. ‘Dhe se pas fillimit mësimi nuk do të ndërpritet është edhe i befasishëm edhe në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2021-2022’. Ai Udhëzues parashikon katër skenarë të procesit mësimor e jo vetëm një, sikurse ka pretenduar z. Vitia.
Për më tepër, lehtësia me të cilën po deklarohet shtyrja e mundshme e procesit mësimor po na tingëllon edhe e paarsyeshme edhe e papërgjegjshme. Sidomos kur nga e hëna u pritka hapja e restoranteve edhe në hapësirat e brendshme (!).
Njëkohësisht këto veprime (parandaluese) janë krejt ndryshe me çfarë është thënë e bërë për më shumë se një muaj nga Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale të arsimit. Se përgatitjet janë bërë për të filluar procesi mësimor. Por edhe me të gjitha masat e mëhershme të zhvillimit të procesit mësimor në kohë pandemie.
Nëse vazhdohet me këso vendimesh joserziore të shtyhet fillimi i procesit mësimor. Si dhe të kushtëzohet fillimi i tij me skenarë të shpikur pa nevojë. Ne si Këshill i Prindërve në Prishtinë do të shqyrtojmë seriozisht opsionin që të pezullojmë angazhimin e prindërve nëpër shkollat e Prishtinës. Si në Këshilla Drejtues ashtu edhe në Task Forcat e shkollave. Nuk përjashtohet edhe thirrja për bojkotim të mbledhjeve të prindërve nëpër klasa.
Ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve vendimmarrëse, që të jenë serioz e të përgjegjshëm për deklarimet e vendimet që marrin për procesin mësimor. Dhe që më datë 27 shtator të fillohet procesi mësimor – me një skenar të pranueshëm e të përshtatshëm. Shtyrja e mëtejme do të jetë absolutisht e papranueshme për ne.
LEXO EDHE: Vitia: IKSHPK-ja ka rekomanduar të vazhdojnë masat për shkollat