Recension: Komedia “Mizantropi” nga Molière

Komedia “Mizantropi” u botua në vitin 1666 nga Jean-Baptiste Poquelin, i cili njihet me emrin Molière. Komedia e shfaq “rrugëtimin” e Alcestit deri në bërjen mizantrop. Ky shndërrim është vetëm pasojë, ndërsa shkaqet janë veset njerëzore që Molieri i rendit në një mënyrë mjeshtërore në komedinë e tij.

Nga Ardit Mehmetaj

Janë dy situata që Alcestin arrijnë ta bindin që të largohet nga mjedisi njerëzor dhe të jetojë i vetëm. E para është kur në skenën e dytë të aktit të parë vjen Oronti, një poet i ri, i cili pasi i thur lavde të mëdha Alcestit, e pyet atë dhe Filentin se çfarë vlerësimi kanë për poezinë e tij. Filenti e lavdëron tejmase poezinë e Orontit, pa i treguar arsyet pse, kurse Alcesti çuditet me këtë vlerësim. Alcesti thotë se poezia është e shëmtuar dhe shprehjet nuk janë natyrale. Stili figurativ është i kotë dhe kemi lojë fjalësh, prandaj më e mirë është ta lësh këtë poezi e ta hedhësh diku. Oronti nuk pajtohet më këtë mendim, fillon ta urrejë Alcestin e i tregon të gjithëve për të, ku pastaj fillojnë ta gjykojnë atë. Këtu është goditja më e madhe që e bën Molieri pasi në njërën anë godet studiuesit dhe kritikët letrarë që bëjnë vlerësime joreale vetëm për t’ia bërë qejfin ose për t’i hyrë në qejf dikujt dhe në anën tjetër godet shoqërinë e cila s’është e aftë t’i pranojë kritikat, gjë që ndodh edhe sot në shoqërinë tonë shqiptare ku kritika shihet si sulm. Kjo është ndeshja e parë në komedi ku Alcesti ndeshet me gënjeshtrën dhe mashtrimin, e cila më vonë bëhet edhe arsyeja e parë për të që e shndërron në mizantrop. Situata e dytë është kur Alcesti ndeshet me tradhtinë e të dashurës së tij. Ai dashuron Selimenën, vajzë kjo e zhytur në botën e veseve. Alcesti mundohet t’i ndihmojë asaj që ajo të ndryshojë dhe të përmirësohet. Një ditë vëren një letër që Selimena ia ka dërguar Orontit e pas insistimeve të shumta të Alcestit për ta treguar realitetin, ajo e pranon se i ka dërguar letër dashurie atij. Pastaj, ai i bën asaj një ofertë që të largohen vetëm ata  të dy larg të gjithë njerëzve, por ajo nuk pranon. Kjo situatë është goditje përfundimtare për Alcestin, i cili i dëshpëruar me njerëzit që janë të zhytur në botën e veseve të këqija, me njerëzit që kanë mungesë sinqeriteti, i mërzitur nga të gjithë njerëzit, ai largohet për të jetuar i vetëm larg çdo njeriu pasi ata tashmë i shkaktonin neveri.

Personazhet në këtë komedi nuk janë të shumtë, por janë të ndryshëm. Filenti është mashtrues dhe servil, por e luan rolin e njeriut të urtë. Selimena është vajzë aristokrate, kokëfortë, intrigante që kërkon vetëm vëmendje. Eliana është vajzë që e dashuron shumë Alcestin dhe me gjithë dashurinë e saj të sinqertë, Alcesti nuk e përfill atë. Kurse, Alcesti është personazhi kryesor i komedisë, ai është i sinqertë, i vendosur, i ashpër, njeri që del kundër veseve njerëzore të cilat i urren me mish e me shpirt. Ai e humbet luftën kundër gënjeshtrës, lajkave, mashtrimit, servilizmit e dyfytyrësisë, por edhe pse humbet ai këtë e bën si një idealist.

Ngjarja në vepër zhvillohet shumë shpejt, karakteristikë interesante është koha që është thuajse një ditore e vendi ku zhvillohet ngjarja është salloni i Selimenës. Molieri e ndërton këtë komedi zakonesh të atillë që godet zakonet e këqija të shoqërisë së lartë aristokrate, përshkruan e demaskon hipokrizinë e këtij mjedisi, por edhe të njeriut e species njeri – qenies së mbushur me vesvese.

Dënimi i veseve, zakoneve e veprimeve të ndryshme nga Molieri s’është karakteristikë vetëm e kësaj vepre të tij. Ai bën goditje të tilla edhe në veprat e tij të tjera. Nëse tek “Mizantropi” demaskon dhe shkatërron veset e mjedisit aristokratik, atëherë tek “Tartufi” demaskon dhe shkatërron hipokrizinë dhe veset klerikale. Qasja e Molierit në shkatërrimin e veseve është e njëjtë, gjithashtu edhe demaskimi që ai e bën për një moment është i njëjtë. P.sh tek “Mizantropi” e kemi rastin kur për një moment e demaskon dashurinë e rrejshme të Selimenës ndaj Alcestit, kurse tek “Tartufi” e kemi vetë Tartufin që për një moment demaskohet dhe del fytyra e tij e vërtetë prej mashtruesi. Me gjithë këto ngjashmëri, kemi dallim fundamental tek dy personazhet kryesore pasiqë Alcesti është antipod i Tartufit. I pari e urren mashtrimin, i dyti është mashtrues. I pari i urren veset, i dyti është i zhytur thellë në vese. I pari largohet nga mashtruesit, i dyti shkon vetëm aty ku mund të mashtrojë. Molieri është kushtimisht i apasionuar pas goditjeve të këtyre zakoneve e veprimeve e këtë nuk e bën vetëm tek këto dy vepra. Ai tek “Kopraci” e shpërfaq dhe e dënon vesin e njeriut që lufton vetëm për para përmes Harpagonit që bën gjithçka për para, harron e shkatërron familjen e tij për to, keqtrajton çdo gjë e çdo kë për një grusht të hollash. Molieri tek “Don Zhuani” e godet njeriun që ka emër e pozitë, por nuk ka virtyt. Thuajse njëjtë edhe tek “Borgjezi fisnik” që përmes shpërfaqjes e përqesh njeriun që tërë jetën e tij e shndërron në luftë dhe përpjekje për t’u fisnikëruar. Kurse, tek “Shkolla e grave” e godet martesën borgjeze.

Pra, Molieri njihet si demaskues i veseve, zakoneve e veprimeve të paarsyeshme e të këqija të njeriut dhe shoqërisë. Ndërsa, në këtë vepër, ku bashkëdyzon komedinë e dramën, seriozën e qesharaken, godet vesin e keq njerëzor, i cili tek i sinqerti shkakton mizantropinë./ ObserverKult