E shkruar në vitin 1912 dhe e botuar në vitin 1915 novela “Metamorfoza” është konsideruar si kryevepra e Kafkës, por edhe ndër veprat përfaqësuese të shekullit XX.
Nga Ardit Mehmetaj
Novela fillon me Gregor Zamzën, i cili pas një nate me ëndrra të tmerrshme, zgjohet dhe e sheh veten të shndërruar në një kandërr të madhe e të ndyrë. Shndërrimi i Gregor Zamzës është vetëm në pamjen e jashtme, por pavarësisht kësaj, shndërrimi s’është derti i tij. Brengat e shqetësimet e Gregorit janë ato të njëjtat që i kishte para se të pësojë metamorfozë. Halli i tij është se çfarë do t’i thotë shefi i tij për vonesën në punë, pastaj kur e sheh që është i paaftë fizikisht për punë ai e ka hall se si do të financohen materialisht familja e tij. Këtu është edhe gjenialiteti kafkian i cili nëpërmjet këtij portretimi e godet njeriun e shekullit XX, por edhe vetë sistemet e këtij shekulli. Kjo pasi protagonisti i novelës e harron veten kur gjendet përballë tjetrit më të madh, pra e harron shndërrimin e tij të frikshëm nga frika se çfarë do t’i thotë shefit për vonesën në punë. Brenga e tij e dytë është se si do të jetë gjendja financiare e familjes së tij pa të. Këtu, Kafka e godet kapitalizmin e kohës pasi ai është shkaktari kryesor që halli i vetëm i fuqisë punëtore është mbijetesa. Kështu, Kafka pas Jozef K-së, edhe njëherë ndërton heroin e tij tragjik, e ky është Gregor Zamza, shndërrimi i të cilit është veç në pamjen e jashtme, e ky shndërrim i tij së jashtmi bëhet shkak që familja e tij të pësojnë metamorfozë të brendshme. Pas shndërrimit të tij në një qenie të trishtueshme, prindërit e tij ndjejnë frikë e neveri nga ai. Ata kanë turp ta paraqesin atë në publik para tjerëve e në fund edhe e dënojnë atë. Së pari e dënon babai i tij kur e godet atë pa asnjë faj me një mollë të kalbur, e cila së bashku me mungesën e ushqimit janë dy arsyet e vetme që Gregori e gjen vdekjen në fund. Kurse, së dyti, goditja e madhe e familjes vjen kur njëzëri ata vendosin ta largojnë Gregorin nga familja e tyre pasi ai ishte i neveritshëm dhe si i tillë i largonte qiramarrësit dhe kështu financat e familjes zvogëloheshin.
Narratori në novelë është heterodiegjetik, pra e kemi Kafkën që rrëfen në vetën e tretë. Koha në novelë ecën shumë ngadalë dhe e tërë ngjarja zhvillohet brenda një mjedisi të mbyllur në familjen Zamza. Personazhet janë kryesisht familjare: baba – nënë – motër – vëlla.
Personazhi kryesor është Gregori. Ai e humb pamjen njerëzore, por jo edhe natyrën njerëzore. Madje sa më shumë që e humb të parën, më shumë e përforcon të dytën. E kundërta është me dhimbjet e tij, sa ma shumë t’i shtohen ato, më pak mëshirë kanë familjarët e tij. Zamza tejet njerëzor me pamje aspak njerëzore mundohet të ambientohet, mundohet të përshtatet për të mbijetuar, mundohet të kontribuojë edhe në atë gjendje për familjen e tij, por në fund e vëren që shpëtimi është vdekja. Madje më shumë se për veten, vdekja është shpëtim për ata që e rrethojnë atë.
Personazh tjetër me rëndësi është motra e Gregorit. Ajo fillimisht është tejet njerëzore dhe është mjaft e kujdesshme në sjelljet e saj në raport me Gregorin. I dërgon disa lloje ushqimesh, shikon se cilën nga to po e ha Gregori, kurse me kohën kujdesja e saj ndaj tij zbehet dhe më vonë ajo bëhet iniciatore në largim e Gregorit nga shtëpia.
Në përceptimin brenda një bote të zakonshme, familja është mbështetja kryesore pavarësisht situatës. Mirëpo kjo nuk ndodhë me Gregorin, i cili gjendej në një situatë të jashtëzakonshme. Andaj, pas metamorfozës që ishte dënim i parë ndaj tij, dënim i dytë bëhet braktisja që familja ia bën atij. Është vetëm një natë e cila ia ndërron realitetin jetësor Gregorit. Ai shndërrohet nga më i rëndësishmi dhe më i fuqishmi në familje, në më të parëndësishmin dhe më të pafuqishmin brenda saj. Pra, më herët familja e tij kishte nevojë për të, kurse më vonë ai kishte nevojë për familjen. Kur familja kishte nevojë për të ai ishte aty për ta, por, kur ky kishte nevojë për familjen ata s’ishin aty për të. Kështu, në vetvete kjo përbën tradhti.
Personazhet dhe temat që Kafka trajton ngjasojnë tejet shumë mes vete. Këto ndërlidhen pashmangshëm edhe me biografinë e Kafkës, i cili thuhet se e ka urryer pa masë vetminë dhe tërë jetën ka vuajtur nga frika se do të mbesë i vetmuar. Gjithashtu, ndjenja e fajit dhe ndjenja e pasigurisë kanë qenë torturë e mundim për të gjatë gjithë kohës. Të tillë Kafka i ka edhe protagonistët, si në novelën “Metamorfoza”, ashtu edhe në romanin “Procesi”. Në të dyja protagonisti dënohet pa faj, veçse Gregor Zamza dënohet nga natyra, kurse Jozef K. dënohet nga sistemi. Mëngjesi, vetmia në dhomë, padituria me atë që përballen dhe befasia që sjellë e ardhmja i karakterizon protagonistët e këtyre dy veprave. Të dy, si Gregor Zamza ashtu edhe Jozef K. nuk dorëzohen deri në fund. Ata me gjithë sfidat e torturat që ballafaqohen, përsëri nuk e mendojnë asnjëherë vetëvrasjen. Ata vazhdojnë luftojnë me atë që e kanë në dispozicion. Të dy, si Gregori ashtu edhe Jozef K. janë të pafuqishëm ndaj tjetrit që është më i pushtetshëm. Gregori e ka hall shefin e punës, kurse Jozef K. e ka hall gjykatësin. Të dy janë të pafuqishëm ndaj fatit dhe si të tillë në fund të dy dorëzohen. E ngjashmëria mes tyre është edhe në fundin tragjik që ata kanë pasi që të dy në fund e gjejnë vdekjen. Pra, të dy të pafajshëm, të dy të dënuar, të dy të vdekur./ ObserverKult