Romani “Don Kishoti i Mançës” i shkruar nga novelisti spanjoll Miguel de Servantes, flet për aventurat e Don Kishotit, një personazhi sa qesharak, aq idealist.
Nga Ardit Mehmetaj
Romani “Don Kishoti i Mançës” është roman që përmes protagonistit të tij e trajton jetën midis trillimit dhe realitetit. Madje, në vetvete shtron pyetjen se ku është dallimi mes jetës në trill dhe në realitet? Bertrard Rusell thotë “Sikur ëndrrat tona, natë pas nate, të ishin aq koherente me njëra – tjetrën sikurse ditët tona, vështirë do të dinim nëse duhet të besojmë ëndrrat apo jetën e zgjuar”, njëjtë është edhe tek Don Kishoti, por këtu në vend të ëndrrës është trilli. Pasi ai kalon një jetë krejtësisht në trill ai e humb realen dhe në mes të trillit e reales, ai zgjedh t’i besojë të parës. Ndërsa, krejt në fundin e jetës së tij pendohet për trillin dhe përqafon realen.
Romani që është tejet humanist trajton tema nga më të ndryshmet. Nga njëra anë na shfaqet dëshira e Don Kishotit për ta ndryshuar botën, në anën tjetër dashuria e tij e madhe për Dylqinjën e Tobozës. Don Kishoti bëhet dikush që s’është, ai bëhet dikush që dëshiron të jetë, por për këtë s’është as koha e as vendi. Megjithatë ai bëhet. I shtyer nga leximet e shumta të romaneve kalorsiake, ai humb sensin e realitetit dhe futet thellë në të jetuarit në fantazi. Ai bëhet kalorës i arratisur edhe pse koha e tyre kishte kaluar qëmoti. Së pari ndërron emrin, nga Alonso Kishano në Don Kishot, pastaj siç e do rendi kalorsiak ai shpikë një të dashur me emrin Dylqinja e Tobozës, ndërsa kalit të tij gati të ngordhur i lë emrin Rosinant. Vetja i duket i madhërishëm edhe pse s’është, kali i tij i duket më i fuqishmi në botë edhe pse ai është gati në ngordhje. Aventurat e tij janë nga më të çuditshmet. Ai sulmon mullinjtë e erës që i duken si kulshedra, shpik arsyetime për të sulmuar njerëz të pafajshëm e karroca të mbushur me njerëz, lufton me muret kur flen, shpërthen shishet e verës e pastaj iu duken si gjak. Ndeshet me njerëz e dëshiron të luftojë edhe kundër luanëve. Krejt në fund kthehet nga Don Kishoti në Alonso Kishano, kjo bëhet pasi humb një dyluftim, ku kushti ishte se nëse humb duhet të kthehet dhe të qëndrojë një vit në shtëpi. Ai pendohet, rrëfehet para priftit, i kërkon falje Sanço Panços dhe e pranon që ndryshimi i jetës së tij ishte pasojë e leximeve të shumta të romaneve kalorsiake.
Don Kishoti dhe Sanço Panço përveçse personazhe kryesore, ata njihen tani edhe si përfaqësues. Don Kishoti përfaqëson ëndërrimtarin, iluzionistin, avanturierin dhe idealistin. Kurse, Sanço Panço përfaqëson njeriun praktik, njeriun besnik që nganjëherë besimi i tij bëhet pragmatik pasi ai beson verbërisht. Don Kishoti është e kundërta e Sanço Panços pasi Don Kishoti ka lexuar shumë romane, ndërsa Sançoja nuk ka lexuar kurrë në jetën e tij. Don Kishoti s’pranon të jetë tjetër veçse udhëheqës, ndërsa Sançoja ndjehet komod nëse mbetet gjithmonë i udhëhequr.
Don Kishoti përfaqëson lexuesin emocional që ndërton lidhje shpirtërore me atë që e lexon, kurse marrëdhënia e tij e tillë më librin bëhet shkaktare që të ndikohet nga ai. I tillë është Don Kishoti, ai lexon aq shumë sa që realitetin e sheh me sytë e romaneve kalorsiake. Ai për çdo gjë të keqe që i ndodh fajëson magjistarët sepse ashtu e ka lexuar në romanet kalorsiake, ai urren arabet pasi në librat kalorsiake ata janë të urryer. Ai ndërton personalitetin e tij si një kalorës i arratisur, por fatkeqësia e tij është se nuk është as vendi e as koha e kalorësve të tillë.
Romanin e përcjellë një bashkëdyzim si në mënyrën e rrëfimit, si në ngjarje, si në personazhe. Romani qëndron mes tragjikes dhe komikes, Don Kishoti qëndron mes budallait iluzionist dhe njeriut të mençur idealist, Sanço Panço qëndron mes njeriut besnik dhe gënjeshtarit lajkatar. Romani është komik pasi qysh në fillim na shpërfaq njeriun që dëshiron të jetë dikush që s’është, madje dikush që asnjëherë s’mund të jetë. Ai imiton, bëhet si kalorës, por del qesharak. Veprimet e fjalët e tij krijojnë situata qesharake. Romani është tragjik pasi është për çdo dhimbje personazhi kryesor, i cili pëson gjithë ato vuajtje e maltretime pa asnjë nevojë si dhe fundi i tij ku e gjen vdekjen e vulos fatin e tij tragjik. Personazhi i Don Kishotit qëndron mes iluzionistit budalla dhe njeriut të mençur, madje edhe Don Diego në një nga situatat në roman për të thotë se nuk e di a është kaq i marrë apo kaq i mençur. Ai është iluzionist pasi e deformon realitetin dhe krijon një realitet siç do ai, kurse me këtë qasje në sytë e të tjerëve del budalla. Por, nëse e shikojmë se si del nga shumë situata, se si i zgjidh problemet siç e kemi rastin e dasmës së Vasilit. Mençurinë e vërteton në fund kur pendohet dhe tregon që ka qenë i vetëdijshëm për çdo gjë që ka bërë. Ndërsa, Sanço Panço tregohet besnik deri në skajshmëri, por ka raste kur shfaq grimca skepticizmi në raport me Don Kishotin. Nuk dihet nëse ai beson në Don Kishotin vërtetë apo shtiret pasi ai i kishte premtuar se do ta bëjë guvernator. Me të tregohet gjithnjë i sinqertë dhe besnik, por kemi situata kur e gënjen atë siç është rasti kur ai i thotë Don Kishotit që po ia dërgon letrat e tij Dylqinjës së Tobozës, të cilat faktikisht i humb ose rasti kur thotë kjo është Dylqinja e Tobozës për një vajzë që as nuk e njeh. Kështu përmes kontrastit Miguel de Servantes mishëron humorin me tragjiken, personazhet si Don Kishoti që duket ai që në fakt s’është pasi duket budalla por s’është i tillë, dashuria e tij ndaj Dylqinjës duket qesharake por është e sinqertë.
Kështu, ky roman është bërë ndër veprat më të dashura dhe më të trajtuara në historinë e letërsisë, ndërsa Don Kishoti është bërë simbol i njeriut avanturier, i njeriut që beson se mund ta ndryshojë realitetin, njeriun që mundohet të bëhet si dikush tjetër, njeriun që ka vetëm fjalë dhe mendon se do ta ndryshojë botën. Pra, nga këtu lindi donkishotizmi që sot përfaqëson ëndërrimtarin aktiv./ ObserverKult