Ekspozohet fustani që u qëndis përgjatë 12 viteve

Në një ceremoni të mbyllur, në Bibliotekën Kombëtare u hap ekspozita “Red Dress në Kosovë”. Kjo veprimtari është organizuar nga projekti “Red Dress” me organizatën Manchester Aid to Kosovo (MaK), me mbështetje të Bibliotekës Kombëtare dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.

Ekspozita “Red Dress në Kosovë” paraqet Fustanin e Kuq, i cili u qëndis vazhdimisht nëpër botë përgjatë 12 viteve, nga viti 2009 deri në vitin 2021. I krijuar nga 73 copa mëndafshi, veshja është punuar nga 205 gra dhe 4 burra, nga 28 vende të botës, përfshirë edhe Kosovën.

Fatime dhe Feride Halili nga Sister Stitch – një grup grash nga Manchester Aid to Kosovo me qendër në Podujevë, qëndisën “Zogjtë e Paqes” për Fustanin e Kuq në vitin 2019.

Krahas Fustanit të Kuq, është ekspozuar edhe një punim i disejnuar nga artizanet e Sister Stitch për ekspozitën e MaK “Kosovo20: Welcome Sanctuary Recovery”. Është punuar në tri pjesë të cilat paraqesin jetën para luftës së vitit 1999, gjatë luftës dhe rimëkëmbjen.

Një pjesë e tekstit në këtë punim është shkruar nga po këto gra. Ndërsa pjesa tjetër është marrë nga arkivi i historisë gojore të Manchester Aid to Kosovo “Voices of Kosovo in Manchester” (www.vokim.org). I cili ruhet dhe është i qasshëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe Muzeun e Luftës Perandorake në Londër.

Në ceremoninë e hapjes, ideatorja e projektit, artistja britanike Kirstie Macleod prezantoi projektin rrugëtimin e Fustanit të Kuq nëpër botë dhe çfarë ky krijim përfaqëson.

Pamela Dawes – një ndër udhëheqësit e MaK, shpalosi për të pranishmit disa nga iniciativat e mëparshme të organizatës në mbështetje të Kosovës. Si dhe bashkëpunimin me projektin “Red Dress” me përkrahjen e grave të Kosovës të cilat kontribuuan në qëndisjen e tij.

Gjatë ceremonisë, projekti u përshëndet nga Ambasadori i Britanisë, Nicholas Abbott dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Të pranishëm qenë edhe përfaqësues të fushës së artit dhe kulturës nga Kosova dhe nga jashtë.

Drejtori i Bibliotekës, Fazli Gajraku, me rastin e pranimit të disa titujve dhuratë nga Macleod dhe Dawes, kujtoi bashkëpunimin e Bibliotekës me Manchester Aid to Kosovo – në veçanti, arkivin me histori gojore “Voices of Kosovo in Manchester”, me rrëfime të shqiptarëve refugjatë të evakuuar në Britani gjatë luftës, i cili krahas dy botimeve të tjera të Bibliotekës (“Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës” dhe “Hisja e Gruas”), përbën materialin e parë dokumentim të historisë gojore që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Projekti “The Red Dress” mundëson një platformë artistike për gra nga e gjithë bota, shumë prej të cilave të margjinalizuara dhe që jetojnë në varfëri, për të treguar historitë e tyre personale përmes qëndisjes.

Ekspozita “Red Dress në Kosovë”do të mund të vizitohet në Bibliotekën Kombëtare deri në mesditën e të enjtes, më 11 tetor 2021.

LEXO EDHE: “Njerëzit blu” të Saharasë, një botë magjike e nomadëve të shkretëtirës (Foto)