Redon Makashi flet për këngën që do e përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision

Mbrëmë në Liverpul është mbajtur gjysmëfinalja e parë e festivalit evropian të këngës ‘Eurovision 2023’.

Ndërsa gjysmëfinalja e dytë e Eurovisionit mbahet nesër, në të cilën do të interpretojë edhe Albina Kelmendi dhe familja e saj që e përfaqësojnë Shqipërinë me këngën “Duje”.

Lidhur me përfaqësimin e Shqipërisë në këtë festival foli për “ObserverKult” kantautori i njohur shqiptar, Redon Makashi.

“Uroj të dalë sa më mirë në Eurovision. Gjithë shqiptarët janë me Albinën. Uroj vërtet që edhe ne të përflitemi për mirë për muzikë dhe jo vetëm për politikë. Besoj se politika më e mirë për një shtet është arti dhe sporti”, tha Makashi.

Makashi tha se “Duje” është këngë e bukur por se nuk është në shijen e tij.

Ai nuk la pa përmendur suksesin më të madh që ka pasur Shqipëria në Eurovision, kur i ka përfaqësuar këngëtarja kosovare, me zërin e veçantë Rona Nishliu me “Suus”.

“E bukur është kënga “Duje” por duke llogaritur shijet e mia, kënga e Ronës “Suus” ka qenë super për mua. Për mua ajo do duhej të ishte në vendin e parë. Por edhe në vendin që ka arritur atë kohë ka qenë arritja më e madhe e shqiptarisë. Kështu mendoj unë. Edhe kjo është këngë e bukur, por nuk e di si do të pritet.

Festivali evropian, është gjeopolitik. Vendet që janë afër, gjithë konkurrentët janë grupe- grupe, votojnë njëri-tjetrin.

Sa i përket anës artistike nuk është këngë që këndohet nga çdokush ajo e Ronës, sikur kjo sot e Albinës, që e këndojnë dhe e dëgjojnë çdo moshë. Kënga e Ronës ishte diçka e rrallë, pra e veçantë si vokal. Unë po e jap mendimin tim, po flas si artist”, theksoi Makashi.

Ai tha se shpreson se kënga “Duje” të dali sa më mirë derisa ritheksoi se diferencimin e bën vet publiku./ObserverKult


albina kelmendi festivali

Lexo edhe:

ALBINA KELMENDI OPTIMISTE: DO TA FITOJMË EDHE EUROVISIONIN

Këngëtarja nga Kosova Albina Kelmendi, bashkë me familjen e saj, do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision, që vitin e ardhshëm do të mbahet në Liverpool të Britanisë së Madhe.

Këngëtarja pejane ka marrë bekimin e publikut nga Shqipëria dhe Kosova për të shkuar në Eurovision me këngën “Duje”. Kjo kënë është shkruar nga Eriona Rushiti dhe kompozuar nga Enis Mullaj.

Përveç si më e votuara nga publiku, Kelmendi ka marrë edhe çmimin e dytë nga juria profesionale e festivalit. Ndërsa kjo ishte pjesëmarrja e saj e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, edhe pse sic ka thënë vet ajo, kishte ftesa edhe më herët për të qenë pjesëmarrëse.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult