
“Ta dish” nën interpretimin e këngëtarit Glerdit Trumetaj, me tekst dhe muzikë të autorit Leon Lekaj, pruri diçka të re në kohët e vështira, në të cilat arti i vërtetë kërkon me ngulm mbijetesën. Nuk dua të ndalem gjatë as në kurorëzimin me çmimin e parë, e as në performancën e këngëtarit, apo gjykimin e drejtë të jurisë, sepse sipas mendimit tim, kjo këngë, që në dëgjimin e parë, do të ishte fituese.
Nga Aleksander Paloli
Pse këmbëngul për këtë?
E para, sepse në poezinë e saj, lexohet qartë malli për vendlindjen, shkruar nga Leon Lekaj, që lindi dhe u edukua në një familje me tradita të njohura artistike i cili, siç thotë G. Krasniqi, është “…një poet që ka hyrë në letërsi nga dera e duhur”.
Zgjedhja e tonalitetit (la minor) nuk do të ishte rastësi. Duke qenë se muzikantët, qofshin dhe amatorë, i kanë fillimet e tyre pikërisht në tonalitet e para, kjo e bën këngën të jetë më afër dhe më në dispozicion të dëgjuesit për t’u kënduar e shoqëruar me çfarëdo instrumenti.
Introduksioni i fillimit të këngës, i shkurtër, i thjeshtë si një parathënie, që krijon atmosferën e duhur për dëgjimin e materialit muzikor.
Introduksioni i strofës dytë paraqitet me një material muzikor më të gjatë dhe me harmoni më të zhvilluar. Kjo jo rastësisht. Do t’i jepte mundësinë dëgjuesit për të impostuar në memorie e për të shijuar mirë këngën.
Strofa, tepër melodioze, shkon në sinkron me poezinë. Ajo fillon në një regjistër vokal mesatar, duke u rritur drejt refrenit. Titulli i saj “Ta dish” është një tregues i qartë se autori është njohës i mirë i traditës. Kompozitori është frymëzuar nga këto dy fjalë dhe tre nota të një kënge (jare) shkodrane, nga më të bukurat, (normale kjo në një krijimtari), por kënga në mënyrë lineare zhvillohet harmonishëm me shumë muzikalitet në të tria pjesët e saj.
Refreni është çasti më emocionues. Një fillim me citimin e një motivi të njohur….me tre nota në dominantë, Mi settima të bën të qëndrosh “pezull”, në pritje të një zgjidhjeje në tonikë. Më pas kemi një zhvillim të natyrshëm të melodisë dhe që kadencon në mënyrë klasike duke i vënë pikë mendimit muzikor.
Në një këngë, shkrirja e tekstit me muzikën është një prej fazave më të rëndësishme të krijimit por, Leon Lekaj, duke qenë njohës i mirë i të dyja zhanreve, e kapërcen lehtësisht këtë barrierë.
Pra, në përfundim do të thosha se kjo këngë e mbarsur me këtë gamë elementësh, i ka të gjitha mundësitë për të vazhduar rrugën e nisur drejt suksesit.

ObserverKult
Lexo edhe:
“TA DISH” FITON ÇMIMIN E PARË NË FESTIVALIN E KËNGËS “LULEBORË”






