Reflektimi mbi dehumanizmin e Evropës edhe me rrëfime kosovare

“Not Fully Human, Not Human at All”, (Jo plotësisht njerëzore, aspak njerëzore) titullohet ekspozita më e re e cila do të hapet më 24 tetor nga Shoqata për Promovimin e Artit në Hamburg. Përmes krijimtarive të 15 artistëve, kuratoret kanë synim që të japin një vështrim brenda proceseve dehumanizuese që po ndodhin në Evropë.

Përballë këtyre dukurive artistët kanë marrë role të reja. Ata janë vëzhguesit dhe raportuesit e dukurive dehumanizuese. Në mesin e artistëve që shpërfaqin përmes artit këto anë negative të Evropës janë edhe Doruntina Kastrati dhe Kaltrina Krasniqi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 24 janar të vitit 2021.

Doruntina Kastrati me dy veprat e fundit të saj – skulpturat e ciklit “Public Heroes and Secrets” (Heronjtë publikë dhe sekretet) dhe filmit të shkurtër dokumentar “When it left, death didn’t even close our eyes” (Kur iku, vdekja nuk i mbylli sytë) – shpërfaq jetën e punëtorëve në Kosovë.

E Kaltrina Krasniqi me filmin “Sarabande” kap një moment të rëndësishëm të kitaristit me nam botëror Petrit Çeku, gjersa ai kalon ilegalisht kufirin për në Spanjë.

Përmes dy rrëfimeve që vijnë nga Kosova plotësohet mozaiku i ekspozitës që fokusohet në Evropën si një sistem konceptual dhe gjeografik, gjersa reflektohet në dehumanizmin që karakterizon aktivitetet që njerëzit i kanë bërë në emër të “njerëzimit”.

Sipas konceptit kuratorial, dehumanizmi në aspektin e kësaj ekspozite por edhe në përgjithësi kuptohet si një degradim i jetës së njerëzve nga disa njerëz të tjerë. Po aty është shkruar se bazuar në këtë, një numër i ndodhive të fundit kanë ngjallur rregulla strike në lidhje me imigrimin, forma të reja të nacionalizmit, kufizim qasjeje në shërbime shëndetësore, ndikim neo-liberal në politikat ekonomike të shteteve, një erozion të të drejtave të punëtorëve të huaj dhe të asaj se çfarë e definon Evropën në aspektin kulturor, por edhe në atë gjeografik.

“Kjo ekspozitë po ndodh në kohën kur gjendjet emergjente të shpallura për shkak të virusit COVID-19 kanë përkeqësuar mungesën e qasjes në shërbime shëndetësore si e drejtë themelore e njerëzve. Është shoqëruar me rritjen e politikave ekstremiste të krahut të djathtë dhe shihet si urgjent fakti që ne si punëtorë të kulturës t’i përcjellim këta trendë si dhe ta bëjmë të qartë kundërshtimin tonë nëpërmjet produksioneve artistike dhe institucioneve kulturore”, është shkruar në tekstin kuratorial të ekspozitës “Not Fully Human, Not Human at All”, transmeton ‘koha.net’.

Përveç dy artisteve nga Kosova, në të do të marrin pjesë artistët: Saddie Choua, Valentina Desideri, Denise Ferreira da Silva, Arely Amaut, Nilbar Güreş, Ibro Hasanović, Jelena Jureša, Pedro Neves Marques, Christian Nyampeta, Daniela Ortiz, Monira Al Qadiri, Lala Raščić dhe Kengné Téguia.