Refuzoi të divorcohej nga Mihal Luarasi pas dënimit/Miqtë rrëfejnë si e ruajti familjen Edi Luarasi

Aktorja e njohur Edi Luarasi është përcjellë për në banesën e fundit me nderimet e kolegëve që kanë vlerësuar lirinë dhe dinjitetin e saj.

Aktorja, gruaja e pathyeshme e dy kohëve, është përcjellë për në banesën e fundit pasi u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare. Portreti unik dhe timbri i paharrueshëm i skenës dhe ekranit, u shua të premtën në krahët e të birit.

Për Bujar Kapexhiun, “Edi Luarasi një nga aktorët me të shquara të artit shqiptar, të teatrit e të filmit, nuk është më. Nga qielli i artit shqiptar u shkëput ylli më i bukur”

Ndërsa foli për “News 24” Roza Anganosti tha se ajo ishte “artiste unike, yll. Një grua e fortë fisnike që përballoi furtuna në jetë. Është një grua që e nderon figurën e gruas shqiptare. E kam dashur me shpirt”.

Pasi e nisi karrierën si këngëtare, ajo u zbulua si aktore nga Mihal Luarasi. Ai do të bëhej bashkëshorti i saj në jetë dhe partneri kryesor në art. Udha e tyre do të ishte e pandarë, nga suksesi në dënim. Me një dinjitet të pakrahasueshëm, kur i shoqi u dënua nga regjimi komunist, ajo refuzoi divorcin prej tij. Nëse ajo do ta pranonte divorcin, i premtuan ta mbanin aktore. Por ajo nuk e bëri dhe punoi si rrobaqepëse dhe rriti dy fëmijë.

Rajmonda Bulku rrëfeu për “News 24” se unë nuk e kam njohur në moshë të re, ata ishin përzënë nga arti, ishin dënuar, ishin sakatuar. Kur e kam parë për herë të parë, ajo qepte. Dhe ishte një figurë e jashtëzakonshme. E kuptoje menjëherë ku do ta shihje, që ajo duhej të ishte një figurë arti me atë portret interesant dhe modern. Mbajti në kurriz një barrë të jashtëzakonshme e të dhimbshme. Erdhi njëherë në teatër dhe thotë jam gjendur përballë hetuesit, e pashë dhe ika.

Një grua e pazakontë në kohë të pazakonta si shembull për gruan shqiptare. Heqja nga skena në kulmin e saj si aktore mbeti peng deri në fund. Ajo u rikthye vetëm 20 vite më pas, me shfaqjen Vizita e Damës plakë.

Aktorja Rajmonda Bulku tha për News24 se: Ashtu e shtrirë siç është tani, sa e pashë thashë, ajo është “Dama plakë”. Është e shtrirë në madhështinë e vet e pa urrejtje. Ishte e para nga këto lloj grash që nuk e braktisi burrin por ju nënshtrua dënimit të saj, rriti dy fëmijë të mrekullueshëm. Edi ishte një frymëzim shumë i madh.

Edmond Budina: Ajo ishte frymëzim. Çfarë të bën më shumë ta respektosh atë, ishte dinjiteti i saj si grua, një njeri i pathyeshëm, një njeri konsekuent e me dinjitet që nuk e uli asnjëherë kokën, as kur shkoi të punonte në rrobaqqepësi.
Prezantuesja e festivalit të 11-të, vajza çapkëne, gruaja e lirë, aktorja e Njollave të murrme apo e ngadhënjimit mbi vdekjen. E disa filmave dhe shfaqjeve teatrale, iku e lirë dhe krenare, siç kishte jetuar.

Lexo edhe: HISTORIA E PANJOHUR E FAMILJES LUARASI