Regjimi pasuror martesor, një sfidë në sistemin tonë shoqëror

Nga Mergim Bekteshi

Trendi i shkurorëzimeve, jo vetëm në nivel vendi, është në rritje dhe kjo baraspeshë është rënduar, si rezultat i dispozitave që nuk janë në harmoni me rendin shoqëror. Jokoherenca e marrëdhënieve shoqërore në mes të çifteve bashkëshortore është në rritje, mosmarrëveshjet, pakënaqësitë me elementet sociale e ekonomike dhe faktorë të tjerë, po ashtu. Rrjedha e këtij zhvillimi shoqëror nuk është brengë vetëm e fushës juridike, në të gjitha rrethanat e tjera krijon tendosje, acarim, edhe në fushën sociale, ekonomike e psikologjike të familjes dhe të shtetit, edhe në raportet civile,  edhe në ato të administratës.  

Në vitin 2018, Bedri Bahtiri, profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, nxori nga shtypi monografinë me titullin “Aspektet nacionale dhe ndërkombëtare të regjimit pasuror martesor të bashkëshortëve”, botim i UP-së. Ky është libër i natyrës juridiko-civile, me theks të veçantë  në atë familjare, meqë autori e vë në pah se E drejta familjare është e pavarur në sistemin juridik të Kosovës. Libri ndërtohet përmes një diskursi të rrjedhshëm, si në aspektin gjuhësor, po ashtu edhe juridik. Vërehet një punë e  mundimshme e autorit, në mbledhjen e provave, hulumtimin sistematik, doktrinar e analitik, për të pasqyruar një të vërtetë shkencore, regjimin martesor. Është temë e jashtëzakonshme studimore, duke parë ndryshimet shoqërore te ne dhe natyrën e plogësht të sistemit të drejtësisë,  më saktë çështjen e gjykimeve me rrjedhën e gjatë të tyre, që rezultojnë me më pak suksese në praktikë.

Për lexuesin, autori e sqaron çështjen e familjes si në sistemin shoqëror ashtu edhe në atë juridik. Shpjegon dispozitat që rregullojnë  mbarëvajtjen e sistemit shoqëror, por tani, ndryshimet e mëdha globale, duke u nisur nga luftërat, sëmundjet e ndryshme, rrethanat socio-ekonomike të shteteve, ekonomia e përgjithshme, janë bërë faktorë të rishikimit edhe të dispozitave aktuale të regjimit martesor me karakter pasuror. Në këtë hulumtim të brumosur, autori tërheq paralelet aktuale të vendit tonë me shtetet e tjera përreth, që kanë lëvizur në këtë segment të rëndësishëm të ligjit për familjen, drejt përmirësimit të infrastrukturës ligjore. Përpos regjimit ligjor që ndan pasurinë e veçantë dhe të përbashkët, kanë ndryshuar edhe kontratat martesore si proces i rregullimit të mirëfilltë të jetës bashkëkohore.

Bahtiri, monografinë e ka ndarë në tre kapituj, disa nënkapituj dhe përfundimin, ku ka nxjerr disa konkluzione, të gjetura shumë të rëndësishme lidhur me ligjin e familjes e martesës. Libri vë në  spikamë  zhvillimin  historik  të marrëdhënies pasurore martesore, pastaj kemi radhë për pjesën e errët të Mesjetës, kurse në pjesën e tretë e gjejmë një shtrirje me të gjerë të regjimit pasuror bashkëshortor në të drejtën familjare të Kosovës dhe të botës bashkëkohore. Në kapitullin e tretë, e hasim një trajtim të veçantë, që është hulumtim i përqendruar, në zhvillimet e ndryshme që pësoi familja në kuptimin martesor, në regjimin pasuror dhe në rendet e reja të krijuara si planifikim i familjes, me theks të veçantë te kontratat martesore.

Në të gjitha zhvillimet historike, familja është konsideruar e shenjtë dhe celulë e rëndësishme e shoqërisë, por në relacion me martesën dhe regjimin pasuror, diskriminimi ka qenë në kulmin e saj. Profesor Bahtiri e sqaron se trendi i zhvillimit ka bërë një rrjedhë të re shoqërore që bjen ndesh me rendin normativ të familjes. Sipas tij, Bashkimi Evropian është duke e trajtuar këtë regjim të pasurisë së përbashkët me regjimin e pasurisë së veçantë dhe regjimin e pasurisë së kontraktuar (fq. 274). Kjo tendencë vë në dyshim mungesën e vullnetit për rishikimin e ligjit si për familjen ashtu edhe për trashëgiminë, edhe pse kjo e fundit me pak nuanca godet edhe regjimin martesor.

Kur flitet për ‘kontratën martesore’, një vullnet mes palëve, praktik, që gjendet në disa vende të BE-së dhe vende të tjera me zhvillim demokratik, kupton pjesën tjetër për jo nevojën në përditësimin e ligjeve, sepse është kontrata ajo që zgjidhë të gjitha regjimet pasurore në pasurinë e përbashkët, të veçantën dhe atë të fituar pas martesës. Zhvillimet e fundshekullit kanë krijuar situata të pakëndshme në raport me gjykatat dhe zgjidhjen e problemeve në procedurën jokontestimore për martesën në gjykatat vendore. Ky lëmsh i krijuar në Kosovë në raport me Ligjin e Familjes dhe të Drejtën familjare në Kosovë, është në një koherencë jo të rregullt si me mjedisin shoqëror, ashtu edhe me ndryshimet globale. Duke parë se  E drejta familjare në Kosovë dhe ligjet e saj nuk e konsiderojnë sanksionin pasuror, por detyrim familjar, raportet apo proceset që dalin pas prishjes së kurorës,  krijojnë pakënaqësi dhe mosmarrëveshje, që, për fat të keq, ndikojnë në shfaqjen edhe të veprave penale.

Ky libër përbën të gjetura dhe rekomandime për shoqërinë kosovare dhe normat aktuale civile që janë peng i gjendjes së tanishme. Kontratat martesore shihen me një jo pëlqim shoqëror, edhe pse, sipas autorit, ato ofrojnë siguri juridike, ndërsa instituti martesor nuk është  duke pësuar ndryshime në raport me relativen. Shumë padi janë duke u zvarritur në gjykatat vendore si peng i regjimit martesor, duke pasur për bazë edhe trashëgiminë, që peshon diskriminim gjinor në praktikë, shto edhe fakte të ligjit aktual,  duke e  bërë martesën bezdi të shoqërisë. Një pjesë e madhe e shoqërisë janë duke gjetur bashkëjetesën, larg kurorës, por edhe ky institut është sa i ri, aq edhe i pambrojtur me dispozitat e tanishme. Autori thekson se kontrata martesore “është paralajmërim i fundit i një bashkësie martesore, mirëpo mund të jetë edhe rezultat i vendimit të pajtueshëm të bashkëshortëve, të cilët dëshirojnë të parandalojnë të gjitha mosmarrëveshjet e karakterit pasuror që sjell martesa dhe fitimi i përbashkët i pasurisë”. (fq. 285)

Në të gjeturat e autorit vërejmë konstatimet e tij se: 1. Liria e  kontraktimit të regjimit pasuror martesor afërsisht i përgjigjet parimit të autonomisë së vullnetit dhe të konceptit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; 2. Me kontratën martesore krijohet rregullativa e marrëdhënies pasurore që u përgjigjet interesave të bashkëshortëve; 3. Bashkëshorti, me anë të kontratës martesore, siguron kontinuitetin e pasurisë personale dhe me këtë siguron pavarësinë financiare; 4. Kontrata martesore mund të ketë efekt motivimi për bashkëshortët në pikëpamje të fitimit të pasurisë; 5. Kontrata martesore kontribuon në qartësinë e marrëdhënieve pasurore, njëkohësisht zvogëlon gjasat për konteste të komplikuara dhe të gjata gjyqësore ndërmjet bashkëshortëve; 6. Ekzistimi dhe zbatimi i kontratës martesore kontribuon në sigurinë më të madhe juridike për personat e tretë me të cilët hyjnë në marrëdhëniet juridike” (fq. 286).

Libri ka burime të shumta që mund të shfrytëzohen në hulumtimet shkencore, trajtesa specifike nga E drejta familjare, për të krijuar një përshtatje në raport me kulturën, mjedisin, religjionin dhe faktorët ekonomikë që na rrethojnë. Kjo monografi na drejton te kërkesa imediate e ndryshimit të dispozitave dhe pranimi i kontratave martesore, ato nuk e zbehin dashurinë familjare dhe as nuk krijojnë lidhje artificiale në familje. Përkundrazi, garantojnë procesin dhe kështu jeta e bashkëshortëve dhe e fëmijëve bëhet më e lehtë.

LEXO EDHE: LETRA E LASGUSHIT PËR TË BIJËN: NUK MË VJEN FRIKË TË VDES, NËSE JAM NË DUART E TUA