Fatmir Doga, regjisori i filmit “Prokurori”, i cili do të shfaqet në rrjetin e kinemave “Cineplexx” nga data 10 tetor, ka treguar përshtypjet nga xhirimet e serialit në Tiranë. Në një intervistë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ai shprehet se vetë natyra dhe historia e shqiptarëve është shumë kinematografike.
“Ne shqiptarët, qoftë dashurinë, qoftë urrejtjen, e kemi në ekstrem sepse jemi shumë emocionalë. Nuk e di nëse mund të ketë një popull në botë, që ka kaq shumë histori sa ne! Dhe kjo është shumë kinematografike. Gjithë këto ngjarje janë skalitur në ADN-në tonë”, tha ai.
Xhirimet e filmit në Shqipëri janë bërë edhe me pjesëmarrjen e veçantë të aktorit të njohur amerikan, Danny Glover, i cili luan rolin e ambasadorit amerikan në Tiranë.
Doga shprehet se Glover është larguar nga Shqipëria me përshtypjet më të mira. “Ai erdhi këtu shumë skeptik, pasi nuk dinte shumë për vendin, nuk dinte thuajse asgjë. Di të them këtë që, në aeroport iku duke qarë. U ndje shumë mirë këtu dhe tha: Këtë dashuri vetëm mamaja ime ma ka dhënë”, rrëfeu regjisori.
Episodi i parë i serialit vjen në kinematë e Tiranës nga data 10 tetor, me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Subjekti i filmit i zhanrit aksion/dramë e merr spunton nga ngjarje të përditshmërisë tonë, me fokus në reformën në drejtësi dhe luftën e një prokurori të ndershëm për t’u përballur me krimin e organizuar dhe politikanë të korruptuar.
ObserverKult
Lexo edhe: