Nevoja për ndërtimin e një Teatri të ri ka qenë një kërkesë e hershme e aktorëve dhe regjisorëve”, shprehet regjisori i njohur, Gëzim Kame, i cili e cilëson godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar si të papërshtatshme, e ndërtuar që nga italianët si dopolavoro dhe për një jetëgjatësi 15 vjet.
Në një intervistë për Report tv, Kame i bën thirrje komunitetit të artistëve që të lënë mënjanë politikën dhe për sa kohë që u bë stadiumi kombëtar, le të bëhet edhe një Teatër i ri Kombëtar.
“Pra është një godinë jashtë funksioneve. Kjo gjë na ka brejtur historikisht. Unë që kur kam qenë student, dhe shkolla ka qenë pranë teatrit, ankoheshin të gjithë artistët që nga Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Ndrec Luca, Margarita Xhepa, për kushtet mizerabël që kishte ky teatër. Kjo sepse pas çlirimit, pushteti i asaj kohe filloi gradualisht të ndërtojë Kinostudion, televizionin shqiptar, Teatrin e Operas, Muzeun Kombëtar, Galerinë e Arteve, iu dha një nga mjediset me të bukura studentëve të arteve që ishte Akademia e Arteve, dhe i vetmi institucion që ngeli rrugëve si të thuash, në një barake, ishte Teatri Kombëtar. I dukej si fyerje të gjithë artistëve. Dhe që në vitet ’80 ka qenë një projekt, bile në mos gaboj ka qenë djali i Manush Myftiut, paskësh qenë arkitekt, unë atëherë e kam dëgjuar këtë që kishte bërë një projekt të Teatrit Kombëtar i cili nuk u ekzekutua kurrë”, shprehet Kame.
Regjisori kujton se për kushtet e kësaj godine ankoheshin të gjithë artistët që nga Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Ndrec Luca, Margarita Xhepa dhe që kërkuan që në kohën e komunizmit që të ndërtohej teatri i ri.
Regjistori i njohur, i cili ka qenë edhe drejtor i këtij teatri, tregon edhe një moment kur mori premtimin plot zell nga ish-Presidenti Berisha në takimin me aktorët për rindërtimin e teatrit, por që mori aty për aty përgjigjen e ish-kryeministrit Meksi që po e shoqëronte: “Me çfarë do ta bëjmë, me paratë e Noc Rrokut, ku i ka paratë ai? Lëre mos e dëgjo atë”.
“Unë mbaj mend, që kam qenë i ftuar në ambasadën Bullgare në 1996, në grupin e njerëzve që ishim aty, ishte dhe presidenti i asaj kohe Sali Berisha dhe kryeministri Aleksandër Meksi dhe personalitete të tjera. Ndërkohë presidenti kalon pranë meje, njiheshim, na respekton shumë si artistë, më jep dorën, më pyet si je Gëzim? Dhe shfrytëzova rastin, i thashë: Çfarë do bëjmë me atë teatrin tonë? Do ta bëjmë, më tha. Do bëjmë një takim, e pyeta. Patjetër me tha, “edhe unë e mendoj që nuk rrihet në atë teatër”. Edhe iku, vazhdoi punën e tij. Ndjej pas shpatullave të mia një dorë që trokiste, kthej kokën dhe shoh kryeministrin e asaj kohe, Aleksandër Meksin. Më pyeti: Çfarë tha ai”. I thashë, “më tha që do ta bëjmë Teatrin Kombëtar” . “Me çfarë do ta bëjmë, me paratë e Noc Rrokut, ku i ka paratë ai. Lëre mos e dëgjo atë”, më tha. Kështu shprehimisht”, tha Kame.
Si një nga momentet më të trishta të karrierës së tij kujton atë të vitit 2005, kur të madhit Sulejman Pitarka i ikin dritat teksa ishte në skenë, dhe ai, por edhe publiku, pritën për mëse 30 minuta mes errësirës dhe të ftohtit për të rinisur shfaqjen.
Madje, në një moment Rajmonda Bulku i çoi në errësirë edhe një batanije për t’u ngrohur, por që u refuzua vetëm për hir të respektit ndaj publikut nga Pitarka i madh. Kame thotë se aktualisht është duke punuar për një vepër të re, dhe pse jo, nuk e fsheh dëshirën që të jetë pikërisht ajo që të çelë edhe siparin e shfaqjeve të Teatrit të ri Kombëtar.