Regjisori kosovar, Leart Rama, në xhunglën kolumbiane për të bërë film bashkë me Werner Herzog

Regjisori i ri kosovar, Leart Rama, këtë vit do ketë një mundësi të artë. Rama, 22-vjeçar, ka fituar të drejtën që brenda 11 ditëve të realizojë një film nën instruksionet e regjisorit të njohur Werner Herzog.

Xhungla kolumbiane do të jetë lokacioni në të cilin Rama do ta shfaqë vizionin e tij për kinematografinë së bashku me 50 pjesëmarrës të tjerë që janë bërë pjesë e programit “Film Accelerator”, që do të nisë më 24 prill.

Nën këshillat e regjisorit që ka punuar më shumë se 60 filma, pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të mësojnë të gjitha fazat e filmbërjes, të inspiruar nga një temë të cilën Herzog do ta propozojë në ditën e parë të takimit.

Regjisori Herzog, për t’ua ofruar këtë mundësi të paharruar pjesëmarrësve, po kthehet në xhungël pas 33 vjetësh. Më parë kishte xhiruar disa skena për filmin “Cobra Verde” të viti 1987.

Regjisori Leart Rama ka thënë se duke marrë parasysh që Herzog është një nga regjisorët me të mirë në historinë e kinematografisë, ky është një shans shumë i mirë për të që të rritet profesionalisht.

Regjisori gjerman Werner Herzog është fitues i disa çmimeve, përfshirë atë për regjisorin me të mirë në Festivalin e Filmit në Cannes në vitin 1982 për filmin e tij të njohur “Fitzcarraldo”.

Leart Rama, i lindur më 21 maj të vitit 1997, ka qenë bashkorganizator i “Kino Kabaret” në kuadër të festivalit “DokuFestit” dhe pjesë e shkollës së filmit dokumentar të këtij festivali dhe më pas u ftua nga i njëjti që të jetë kreator i videove zyrtare të tij. Përfundoi fakultetin e regjisë së filmit dhe televizionit në vitin 2018 në Tiranë me filmin e tij të titulluar “Tegel”. Është regjisor i mbi 15 filmave të shkurtër dhe arriti të nominohet në shumë festivale të kualifikuara për “Oscar” dhe “Bafta”. Filmat e tij të fundit janë “Stacioni”, “Tegel” dhe “A Call From Yesterday”. Rama është në përgatitje të filmit të tij të ri dhe po ashtu është themelues i shtëpisë filmike “Katarzë Films”/ koha