Regjisori me famë botërore i beson jetën vaksinës ruse

Nga vaksinat aktive për koronavirusin, ajo ruse, e quajtur Sputnik V ( ku V nuk do të thotë pesë por pikërisht vaksinë) shihet disi me dyshim, të paktën nga opinioni publik perëndimor.

Disa ekspertë thonë që ajo nuk këshillohet për moshat e mëdha, por nuk e mendon kështu një nga regjisorët më të njohur amerikanë, i cili deklaroi se vendosi t’i besojë Sputnik V mbrojtjen nga COVID-19.

Bëhet fjalë për Oliver Stone, i cili deklaroi se gjatë një vizite në Rusi në kuadër të xhirimeve të një dokumentari me tema ambientaliste, u injektua me vaksinën ruse.

“Mora dozën e parë disa ditë më parë. Nuk di a do të funksionojë, por jam optimist. Nuk kuptoj pse është i injoruar nga Perëndimi”, deklaroi 74-vjeçari kontrovers i kinematografisë botërore.

Oliver Stone është karakterizuar gjithmonë për filma ku talenti i tij regjisorial është bashkuar me kritikën e ashpër ndaj sistemit amerikan, transmeton ‘a2news.com’.

Skenarist i filmit “Scarface”, fitues i çmimit Oskar për “Platoon” dhe “I lindur në 4 Korrik”, regjisori i lindur në Nju Jork njihet për filma tashmë mitik si “ Wall Street”, “the Doors”, “Natural Born Killers”, “JFK”, ndërkohë që filmi i tij i fundit është “Snowden”, ku tregohet historia e ish-agjentit të CIA që për t’i shpëtuar arrestimit për akuzën e përhapjes së informacioneve të rezervuara u transferua pikërisht në Rusi.