Me regji nga Florenc Papas, “Derë e hapur” është filmi përfaqësues i Shqipërisë në festivalin “International Sofia Film Fest”, në kategorinë “Balkan Competition”. Me skenar nga Florenc Papas dhe Ajola Daja, me producent Eno Milkani filmi “Derë e hapur” do të konkurrojë në këtë festival bashkë me të tjerë prodhime nga vende të ndryshme të botës. Filmi “Derë e hapur” ka në qendër tri personazhe. Dy motrat Rudina e Elma dhe djalin 5-vjeçar të Rudinës. Rolet e tjera janë episodike në film, por të rëndësishme përgjatë udhëtimit të tri personazheve kryesore. Filmi i vendos ngjarjet në ditët tona dhe zhvillohen në Tiranë, Kërrabë, Përrenjas dhe Lin.
“International Sofia Film Fest” do të nisë më datë 12 mars dhe producenti Eno Milkani tregon se është festivali i 17-të që ky film shqiptar merr pjesë, ndërsa do të vijojë dhe në të tjera prezantime në konkurrime jashtë. “Në Sofje nga Shqipëria merr pjesë ky film dhe është festivali i 17-të, por dhe ka akoma festivale që jemi përzgjedhur për vitin 2020. Do të jetë në edicionin e 21-të të Festivalit të Filmit në Leçe në prill dhe më vonë në Munih. Këto janë të konfirmuara. Tani presim nga agjentja jonë edhe për festivale të tjera”, – pohon producenti Milkani.
I prodhuar nga shtëpia kinematografike “Bunker Film +”, me producent Eno Milkani, filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Producenti Eno Milkani tregon se “International Sofia Film Fest” në Bullgari është një festival i rëndësishëm filmi që “Derë e hapur” merr pjesë. “Filmi “Derë e hapur” është në konkurrim zyrtar. Të gjithë jemi të gëzuar që marrim pjesë në një festival të rëndësishëm për rajonin”, -ka thënë producenti, Eno Milkani.
Filmi do të shfaqet në datat 17 mars në “Cinema Odeon”, më 27 mars në Institut Francais-Cinema “Slaveikov”, më 18 mars në kinema “Lumiere Lidl” dhe qendrën kulturore “G8”.
Në rolet kryesore vijnë dy aktoret, Luli Bitri dhe Jonida Vokshi, për të vijuar dhe me të tjerë emra, që regjisori i ka besuar rolet. Filmi tregon historinë e dy motrave që do të ndërmarrin një rrugëtim, duke u ballafaquar hera-herës me forcën e sistemit tradicional-patriarkal. Personazhi kryesor është Elma, që është një vajzë e re shqiptare, e cila jeton ilegalisht në Itali. Ajo është shtatzënë dhe babai i fëmijës tashmë është në burg. Pas dëbimit nga policia italiane, duke mos ditur kujt t’i drejtohet për ndihmë, ajo vendos të kthehet te motra e saj e madhe, Rudina. Të dyja motrat do të nisin një rrugë të gjatë me veturë drejt shtëpisë së babait të tyre tradicional. Ndërsa Rudina nget veturën, Elma do të bëjë ç’të mundet për të mos shkuar atje.
Më herët për filmin e tij “Derë e hapur” regjisori Florenc Papas ka pohuar se qëllimi është të tregojë një histori shqiptare, që ndikon shoqërinë tonë dhe që është e pranishme akoma. “Sot në Shqipëri jetojnë dy breza, ajo e prindërve tanë të cilët janë rritur në sistemin komunist dhe brezi i ri, i lindur në demokraci aty ku dhe unë bëj pjesë. Kjo përplasje midis këtyre brezave është aq e pranishme sot kudo edhe pse e vështirë ta pranojmë. ‘Derë e Hapur’ merret me jetë tematike edhe pse nuk kërkon të thotë se e gjithë shoqëria jonë është tradicionale dhe hera-herës patriarkale, por kërkon të thotë se këto forma ekzistojnë akoma dhe janë të pranishme në shoqëri”, pohon ai.
Si regjisor për punën në film, Papas vlerëson edhe dy aktoret dhe shprehet se puna ka qenë intensive. “Nuk jam bërë pishman për zgjedhjet e aktorëve, por përkundrazi. Janë dy aktore me një kimi dhe ndjeshmëri të thellë”, – pohon ai.
“Derë e hapur” pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë./konica