Në qytetin e Durrësit ka nisur puna për ringritjen e kullës C, një nga kullat fortifikuese të kalasë, e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti inspektoi nga afër punimet për restaurimin e kullës.
“Rehabilitimi i kullës u bë i mundur nga një financim i qeverisë suedeze, që na ndihmoi në ditë të vështira. Bashkë me profesorët e nderuar Pirro Thomo e Gjerak Karaiskaj ishim sot pranë objektit, ku qytetërime, ngjarje historike e fatkeqësi natyrore kanë lënë gjurmët e tyre”, – tha Margariti.
Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.
Muret mesjetare aktualisht rreth 4,6 metra në lartësi dhe tri hyrjet e disa prej kullave të fortifikimit janë ruajtur në gati një të tretën e gjatësisë fillestare të qytetit kala.
Lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit nuk kanë kursyer as monumentet e kulturës, të cilat datojnë prej shekujsh.