Rekomandime leximi nga Ballsor Hoxha

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin Ballsor Hoxha.
Ja cilat janë tri librat që Hoxha u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

______________

Kush nuk e ka dëgjuar “mos lexo shumë se bohesh budallë”. Kush nuk e njeh një person që ka një ‘përhanie’ nga të lexuarit, e që në të vërtetë, ka, një botë të veten, personale, intime e private.

Nga Ballsor Hoxha

Në këtë, po i marr dy shembuj; Marquez thotë se kur merrte në dorë një libër për herë të parë, gjëja e parë që bënte ishte se i merrte erë. Sikur ky ritual i tij, krijon atashimin psikik, shpirtëror, gjë që kalon, në një mënyrë, në jetë psikike, në jetë shpirtërore. Pastaj, në shembullin e dytë, duke e ndërlidhur këtë ritual shpirtëror të Marquez, Borges thotë diku “sa herë hyjë në librari shfryj pse nuk mund të blej përsëri disa libra që tanimë i kam blerë” gjë që shfaqë atë atashimin edhe me një univers “tjetër”…, nuk do të thotë që e kam saktë, por në marrëdhënien tonë me librin, pavarësisht dhe kushtëzuar nga pushtetet e ideologjia, ne kemi pasur një kujdes të shtuar ndaj librit, në kohëra të ndryshme, ne kemi pasur edhe njëlloj frike – mallkimi nga vetë librat (gjë që në filozofinë e tij, Jacques Derrida e shpjegon shumë qartë, duke e shpërfaqur psikologjinë e njeriut ndaj gjuhës së shkrimit, që e merr atë si – suplement – zgjatim, panatyrshmëri etj.). Dua të them, duke iu kthyer fillimit dhe thënies “mos lexo shumë se bahesh budallë” , ne të atashuarit pas librave, edhe jemi një lloj i të “marrëve” (possesed nga anglishtja), me univers, përhanie, intimitet ndryshe me botën vetë.

Jeta është tjetërkund – Milan Kundera

Është një roman mbi kotësinë, sakrifikimin e jetës për poezinë, xhelozinë dhe hipokrizinë e të pasionuarit dhe vetë pasionin e poetit.

(Kam filluar shumë vonë të publikoj poezi), kisha filluar të shkruaj me tërë ngulmimin, pasionin, dhe bindjen se “bota është më e mirë me poezi”, se “do të bëhem poet” (madje me mirënjohje), dhe përnjëherë në duart e mia gjendet romani i Kunderës “Jeta është tjetërkund”. Mprehtësia, hollësia dhe psikologjia kirurgjikale e Kunderës ishte si një prerje, çarje e të vërtetës së poetit, një dhembje që ndien dhe rrjedhë gjatë tërë kohës së “operacionit/operimit”, por që të duhet kohë e gjatë për ta bluar dhembjen dhe pranuar aq më shumë.

Ndjehesha si një mazohist, ndjeja kënaqësi në rrënimin/operimin/neutralizimin e pasionit tim për t’u bërë poet “madje i mirënjohur”. Por, mbi të gjitha, isha unë, ishim të gjithë ne, ishte poeti, jo vetëm me përpjekjen e pambarim, por edhe me xhelozinë, hipokrizinë dhe dështimin e tij.

Drama “Sinkopa” – Anton Pashku

Kjo dramë e shkruar në kohë relativisht të largët nga aktualiteti dhe bashkëkohësia jonë, është sigurisht një prej mjeshtërive më të mëdha të letërsisë shqiptare e më gjerë.

Një sinkopë (humbje klinike e vetëdijes aktuale) shpërfaq tërë atë që letërsia bashkëkohore sot mundohet ta shprehë: “një papagall i shefit që hanë qëllimin”, psikologji e lartë, teknikë e papërsëritshme e të kompozuarit të idesë, derealizimi i botës e njeriut përbrenda saj, që përhumbet në krim e skizofreni, janë të gjitha elemente të cilat letërsia bashkëkohore i ka në brumin e saj por nuk arrin t’i ofroj në këtë shkallë estetike Pashkiane.

E kisha lexuar në kohën kur “jeta ime ishte tjetërkund”, kur ndërtoja guximin, kur ëndërroja të bëhesha shkrimtar. Dhe pasi që kisha përfunduar të lexoj “Sinkopa”, e kisha paluar librin ngadalë, kisha marrë frymë ngadalë, dhe isha dorëhequr nga ndonjë aspiratë në këtë fushë! Ishte, isha, (në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare) rast i veçantë dështimi qysh në ëndrrat!! (humor)

Novelat e Kadaresë (Shtatë Novela, kompleti i veprave të Kadaresë botuar nga Onufri)

Sesi ka ndodhur që leximi i parë i novelës së Kadaresë “Lidhja e shkrimtarëve të Shqipërisë përballë pasqyrës së një gruaje” është histori identike me atë të Gëzim Bashës (të dy me edukim në letërsinë anglo-saksone dhe botërore)… së pari e kam lexuar këtë novelë në “The New Yorker” në gjuhën angleze. Ishte njëlloj vendosje e Kadaresë në novelën/tregimin bashkëkohor, dua të them me dinamikën, ironinë, humorin (sidomos) dhe me guximin intelektual dhe të krijuesit për të përballur subjektivisht veten në letërsinë e vetë. Ishte si të kisha gjetur një Premti (të Robinson Krusoes, apo për të qenë i saktë, sikur të isha gjetur nga një shqiptar, të më kishte gjetur humbur në oqeanet e letërsisë botërore bashkëkohore) me të gjitha shenjat e kulminacionit të saj.

Po ashtu, “Muri i madh”, “Konkurs Bukurie në Bjeshkët e Nemuna, pastaj dhe sidomos “Kisha e Shën Sofisë, dhe “Kalorësi me skifter” etj., në “Shtatë novelat”, janë rrëfim rrënjësisht bashkëkohor në letërsinë serioze globale. Janë rrëfimi i sotshëm global.

Dhe po, e kam bërë atë të cilën e thoshte Borges – blerja dy herë e të njëjtit libër – sa i përket këtyre novelave. Dua të them i kam blerë disa herë, dhe në disa versione të botimeve të tyre, aq më shumë ua kam kushtuar një punim ambicioz!

ObserverKult